Sopranoja, Morava: S’ka kënaqësi më të madhe tek shikoj kudo posterin me flamurin shqiptar

Kudo në rrugët kryesore të Bukureshtit këto ditë të zë syri postera të mëdha ku njoftohet koncerti i sopranos shqiptare, Arlinda Morava.

Sopranoja, e cila e ka bërë Shqipërinë tepër të njohur në Rumani e më tej, është tashmë një emër i njohur që radhitet midis yjeve të tjerë të mëdhenj shqipëtarë që e kanë ngritur lart profilin e vendit të tyre.

Veprimtaria e saj në  opera, operetë, muzikë simfonike, por edhe në institucione të ndryshme, ka rënë në sy në këtë vend që njihet jo pak për artin dhe bashkëpunimet me të.

Morava, e dashuruar pas kompozitorëve si Mozart, Strauss dhe Lehar, tregon për Koha Jone se sa e emocionuar është ajo për këtë koncert që do të organizohet me datë 3 mars në Teatrin Kombëtar të Bukureshtit.  Personalitetet më të larta rumune si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Rumani, do të jenë midis audiencës.

“ Më në fund, ja arrita të organizoj një event të tillë në Rumani, dëshirë që e kam pasur që kur kam filluar karrierën në Rumani si artiste lirike. Ëndërra ime ishte të realizoja një mbrëmje shqiptare në Bukuresht, me kolegët artistë shqiptarë. Dhe ky moment erdhi falë reputacionit dhe emrit tim si artiste shqiptare dhe miqve rumunë,” thotë Morava, e cila shton se “Për këtë arritje timen jam e sigurtë që edhe ambasada jonë këtu ndihet shumë mirë.Uroj vetem që koncerti të ketë sukses.”

Në këtë koncert, ajo do të shoqërohet nga maestri i madh Lorenc Radovani, solistja Klejda Tare, piano, Nevila Kalaja, Arian Paco, Arben Basha, Klara Bregu. “Nuk ka kënaqësi më të madhe se të shikosh posterin me flamurin e vendit tonë në ekranet digitale në të gjithë Bukureshtin dhe në çdo cep të rrugës.Ndihem jashtë mase e lumtur që e realizova një event të tillë,” shton sopranoja.

Pikërisht, për 100-vjetorin e pavarësisë, Morava realizoi “Shqipëria tokë legjendë”, projekt të cilin e realizoi me artistët më të njohur rumunë, të cilët interpretuan me të perlat e muzikës shqiptare. “Ky ka qenë një nder i madh tek shoqërohesha nga artistët virtuozë rumunë në skenat më prestigjioze rumune,” përfundon ajo.

Rudina HOXHA

morava

SHKARKO APP