Sot krimi çoi mesazh

Nga Pano Soko

Sot Klodi duhet mbështetur, jo vetëm për solidaritet human, por mbi të gjitha për të çuar deri në fund duke bërë publik atë informacion që ata që qëlluan duan të ndalojnë që të bëhet publik. Sepse, personalisht kam një përshtypje që kjo që i ndodhi Klodit, nuk i ndodhi në lidhje me ndonjë informacion apo investigim, të kaluar, por me diçka që ajo po bën tani dhe që nuk është bërë akoma publike. Sepse të qëlluarit me plumba tek dera e shtëpisë, personalisht më duket më shumë mesazh paralajmërues sesa si hakmarrje për një ngjarje që ka ndodhur më parë.
Dhe kur mundohem ta mendoj dhe më thellë them, po përse këta të tanishmit vendosën të reagojnë kaq kriminalisht për ta ndaluar një gazetare të denoncojë një akt, ndërkohë që këtu në Shqipëri, me shtetin e kapur totalisht nga mafia, nuk ka arsye pse të godasësh një gazetar? Goditja e gazetarëve merr sens në ato vende ku shteti dhe mafia janë në luftë, sepse mafiozi e di që nëse gazetari flet, ai do të shkojë në burg, prandaj vendos të reagojë përpara se kjo të ndodhë. Por këtu tek ne..?? Klodi ka denoncuar dhjetra e dhjetra raste dhe askujt s’i ka hyrë një gjemb në këmbë? Sepse e dimë të gjithë ça shteti kemi…
Po pse tani papritur vendosën të reagonin në mënyrë kriminale për ta paralajmëruar? Ka filluar mafia kujdeset dhe për PR-in tani, godet këta që i prishin imazhin në publik? Sepse i vetmi dëm që denoncimet publike bëjnë në shtetin tonë të kapur totalisht, është prishja e imazhit publik të atij që po denoncohet. Se në burg nuk shkon, aty të çojnë prokurori dhe gjykatat..që mafia i ka në krah.
Dhe logjika më çon në përfundimin që ky informacion (të cilin Klodin po mundohen ta ndalojnë ta nxjerrë) ndoshta s’ka lidhje me emra të rëndomtë trafikantësh, por me njerëz që kanë frikë nga opinioni publik. Me politikanë me pushtet që humbasin shumë nëse kjo që Klodi di, bëhet publike. Prandaj sot e paralajmëruan. Dhe prandaj sot ne duhet të jemi në krah të saj për ta mbrojtur dhe për ta nxitur që ajo ta thotë atë që ata po mundohen t’ia ndalojnë.

#UnëJamKlodianaLala

SHKARKO APP