Sovraniteti ynë si “hipokrizi e organizuar”?!

Nga Ben Andoni-

Zhvillimi i fundit, lidhur me miratimin e strukturës së Marrëveshjes së 5 Qershorit, është përshëndetur nga i gjithë faktori ndërkombëtar i atashuar në vend.

Kryefjala ka qenë: Shqipëria gjendet tashmë vetëm një hap nga procesi i nënshkrimit me BE-në.

Por, në fakt, a e ka zgjidhur marrëveshja lëmshin e madh politik dhe përplasjen disa-vjetore të stërlodhshme pozitë-opozitë?

Aspak. Shqetësimi për të ardhmen e demokracisë dhe reformën zgjedhore, që do hapin udhë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, apo modeli i vërtetë i sjellë, mbetet i paqartë aty.

Veçse, kryeministri Rama dhe kryetari i Opozitës Basha janë në garë se cili do të mund të bëjë figurën më të mirë para të huajve, në një farë mënyre garantuesit e çdo marrëveshje në këtë vend. Këtyre u është shtuar edhe presidenti Meta, që shpesh i anatemon paq diplomatët e huaj: “Unë s’kam qenë ndonjëherë kundër diplomatëve, por sa herë diplomatë karagjozë tallen me Kushtetutën e Shqipërisë dhe vënë në dyshim kompetencat e mia dhe nuk thonë të vërtetën dhe tallen me popullin shqiptar ky është problem. Ky është raporti i presidenti me ndërkombëtarët dhe presidenti është në shërbim të integrimit të vendit”, ka thënë së fundmi, por asnjëherë konkretisht.

Por, a jemi mjaftueshmërisht sovranë dhe të lirë për të vendosur?! De jure po. Sovraniteti në literaturë konsiderohet gjëndja e të bërit ligje dhe e kontrollit të burimeve të një vendi pa ndërhyrjen e të huajve; kurse në teorinë politike, sovraniteti është një term thelbësor, që flet për autoritetin suprem mbi disa politika kyçe në një vend ose më thjeshtë: principi bazë që thekson modelin dominant Westfalian të bërjes së shtetit, kurse liria është gjëndja e të qënit i pavarur e një kombi, vendi ose shteti në të cilin banorët dhe popullsia e tij, ose një pjesë e tij, ushtrojnë vetëqeverisje dhe zakonisht kanë sovranitet mbi territorin.

Sërish, a jemi mjaftueshmërisht të lirë apo sovranë? De facto, kjo ha shumë për të diskutuar, pasi vendi ynë si strukturë e disa marrëveshjeve është i detyruar që edhe mbrojtjen e tij ta atashoj tek forcat e tjera aleate. Për të mos folur pastaj për mënyrën sesi veprohet me kontrollin e burimeve natyrore dhe elementëve të tjerë, që kanë qenë burim akuzash të vazhdueshme. Një nga studiuesit e funksionimit empirik të sovranitetit, Stephen D. Krasner, në vitin 1999 do të vërente se pavarësia, e cila duhet të burojë nga sovraniteti, është shkelur në mënyrë të vazhdueshme në disa vende, si rrjedhojë shkeljet e sovranitetit janë bërë një rutinë sot në marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi ato janë një mjedis në të cilin normat kanë pak ndikim dhe ku dihet se aktorët shtetërorë nuk i nënshtrohen kurrë e në mënyrë të sinqertë këtyre rregullave. Rasti shqiptar e tregon hapur këtë fakt. Ndaj Krasner e quan sovranitetin si një “hipokrizi të organizuar”, që do të thotë norma juridike respektohet nga aktorët shtetërorë kur kjo është në interesin e tyre për ta bërë, por dhunohet atëherë kur nuk i përshtatet fare interesave të tyre.

Dhe, sërish, a jemi ne shqiptarët realisht sovranë?! Marrëveshja zgjedhore e arritur me ndërhyrjen direkte të SHBA dhe madje në mjedisin e tyre, këtë herë i ka turpëruar jo pak politikanët shqiptarë, ku kryeministri Rama e ka shpallur hapur pak orë më vonë se nuk do ketë më marrëveshje në kancelaritë të huaja…Por, teksa lexon mesazhet e ambasadoreshës amerikane deri ditët e fundit për çështje të ndryshme në vend, dyshon realisht për këtë premtim, që në fakt u harrua shpejt.

Jo më kot, edhe historia jonë politike flet ndryshe. Pak kohë më parë ishte momenti, kur presidenti i vendit Meta nxorri duke denoncuar mesazhe të të huajve që flisnin për ndërhyrje direkte në çështje të ndryshme në vend. E të mos shkojmë pak vite më parë, kur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit merrte pjesë një personazh i huaj, i cili do akuzohej nga Drejtësia jonë dhe jo vetëm. Nuk është vendi për të shtuar dhe katrahurën e vitit 1997, kur përfaqësuesit grekë futeshin lirisht në vend, ardhjen e zyrtarëve turq në momente para-zgjedhore apo ndërhyrjet dhe presionet e tyre të vazhdueshme dhe pa principe respekti të sovranitetit për të kulmuar me ardhjen e ish-zyrtarit të lartë austriak Vranicki për të qetësuar vendin, që për pak u shpërbë në 1997.

Por le të vimë sërish në kohët tona: Teksa Rama e theksonte në parlament sovranitetin dhe institucionin e parlamentit për problemin e fundit të Reformës Zgjedhore, pak orë më vonë përfaqësuesi amerikan ishte sërish aty në institucionin ad hoc, ngritur prej politikanëve shqiptarë. “Gabimi më i madh ka qenë identifikimi i sovranitetit me lirinë çka është marrë gjithnjë e mirëqënë në mendimin politik e filozofik. Po të jetë e vërtetë se sovraniteti dhe liria janë e njëjta gjë atëherë në të vërtetë asnjë njeri nuk do të ishte i lirë, sepse sovraniteti , ideali i vetëmjaftueshmërisë pa kompromis dhe zotërimit të vetvetes është në kundërshtim me kushtin e mirëfilltë të shumësisë”, na kthjellon Hannah Arendt. Në fakt, koha jonë flet për një kuptim shumë më të hapur të sovranitetit, i cili përcillet ndryshe edhe me dy zhvillime të kohëve të sotme, që lidhen me integrimin e shteteve në Bashkimin Evropian dhe rritjen e rëndësisë së respektimit të të drejtave dhe lirive themelore, gjë për të cilat hasim në debate të tjera.

Në fakt, politika shqiptare e kësaj kohe, ka kaluar çdo princip sovraniteti në vlerë të interesit për të pasur pushtet. Edhe pse ne ende besojmë në një lloj moraliteti, duhet t’i besojmë, asaj që Makiavelli e argumentoi në kohën e tij se: politika dhe morali duhej të ndaheshin, dhe se një proces politik duhet të vlerësohet në bazë të dobisë dhe efikasitetit e tij, me fjalë të tjera, vlerësimi moral i një veprimi politik nuk mund të jetë baza për vendimmarrje politike.

Po ku morali për interesin nuk e prek sovranitetin? Kjo ha një çështje tjetër, por e sigurt është që Shqipëria ka një sovranitet për të cilin shqiptarët e sotëm dhe sidomos ata që u delegojmë politikat duhet ta mendojnë seriozisht. Pasi realisht po e shikojmë me këtë formim të politikanëve shqiptarë: neve nuk jemi asfare sovranë në kuptimin klasik dhe më keq akoma: askujt nuk i bën më përshtypje. Apo ashtu si e sqaron realisht Krasner, këtë stad të kohës sonë: “Hipokrizi e organizuar”. (Homo Albanicus)

SHKARKO APP