SPAK, përballë megakorrupsionit 245 milion euro, të largimeve të paligjshme nga puna

Nga Zija Lika –
Ndonëse me vonesë kohore të konsiderueshme dy vjeçare, ish ministri i shtetit për inovacionin dhe administratën publike, në mbështetje të ligjit 152 / 2013 “Për nëpunësin civil” të ndryshuar, ka nxjerrë urdhërin nr 5151, datë 28.10.2015 “Për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga institucionet e administratës publike, të përfshira në fushën e zbatimit të ligjit për shërbimin civil”.Nëpërmjet këtij urdhëri, është përcaktuar procedura që duhet të ndiqet nga ana e institucioneve përkatëse të administratës publike, të përfshira në fushën e zbatimit të ligjit të sipërpërmendur, lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për rikthimin në vendin e mëparshëm të punës apo pozicion pune të barazvlerëshëm (të të njëjtit nivel dhe kategori), të ish nëpunësve civilë të larguar padrejtësisht nga puna, të cilët e konfirmojnë këtë të drejtë përmes këtyre vendimeve përkatëse gjyqësore.
Kjo procedurë përfshin ngritjen e një komisioni të posaçëm pranë secilit prej institucioneve përkatëse debitore, i cili duhet të shqyrtojë mundësitë e sistemimit (rikthimit) në një pozicion të rregullt pune të shërbimit civil, të ish nëpunësve gjyqfitues, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, ende të pa ekzekutuara.
Vetëm pas dërgimit nga komisioni i posaçëm tek Departamenti i Administratës Publike, të akt rekomandimit përkatës për sistemimin në punë të ish nëpunësit civil gjyqfitues, ky i fundit (DAP) duhet të vijojë me nxjerrjen e aktit të emërimit.
Le të shohim se çfarë ka ndodhur në DPT Tiranë
Do të duhej të kalonin rreth 3,5 vite nga hyrja në fuqi e ligjit 152 / 2013 “Për nëpunësin civil”, apo 1,5 vite nga nxjerrja e urdhërit të detyrueshëm për zbatim, të ish ministrit të shtetit për inovacionin dhe administratën publike nr 5151, datë 28.10.2015 “Për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga institucionet e administratës publike, të përfshira në fushën e zbatimit të ligjit për shërbimin civil”, që DPT Tiranë të nxirrte në zbatim të tij, urdhërin nr 25, datë 24.04.2017 “Për ngritjen e komisionit të posaçëm, për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga administrata tatimore”.
Bazuar në këtë urdhër të DPT-së, komisioni i posaçëm i ngritur në zbatim të tij, në përfundim të shqyrtimit të kërkesave të gjyqfituesve (të cilat janë shpesh herë shumë të pakta, krahasuar me numrin e tyre) i propozon ish nëpunësit civil (në rast se është e mundëshme), sistemimin në një pozicion pune të të njëjtit nivel dhe kategori, në zbatim të dispozitivit të vendimit gjyqësor “titull ekzekutiv”.
Çuditërisht vetëm pasi ish nëpunësi civil, shpreh pëlqimin për sistemimin në pozicionin e propozuar të punës, komisioni i posaçëm i DPT- së, i drejtohet DAP-it me akt rekomandimin përkatës, për emërimin e tij në këtë pozicion. Po në rast se ish nëpunësit civilë, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë ende të pa ekzekutuara, nuk kërkojnë të rikthehen në punë apo nuk e japin pëlqimin për pozicionin e punës që ju ofrohet në bazë të këtij urdhëri të sipërcituar (gjë e cila ka nivel shumë të lartë probabiliteti), çfarë duhet të ndodh?! Fatkeqësisht nëse ndodh kështu, në mënyrë krejtësisht të paligjshme bazuar në këtë urdhër, ndërpritet vazhdimi i mëtejshëm i procedurës përkatëse ligjore dhe të gjithë ata që refuzojnë rikthimin në pozicionin e propozuar të punës konformë vendimeve përkatëse gjyqësore të formës së prerë, lejohen padrejtësisht në dëm të taksapagueve shqiptarë, të vazhdojnë të trajtohen me dëmshpërblimin përkatës në mënyrë krejt të pakufizuar në kohë (deri sa të jetojnë), ndërkohë që ligjërisht vazhdimi dhe përfundimi i kësaj procedure ligjore, duhet ta ndërpres menjëherë këtë dëmshpërblim financiar.
Përveç sa më sipër, vonesa shumë e gjatë kohore dhe plotësisht e pajustifikuar, në lidhje me ngritjen e këtij komisioni të posaçëm nga ana e DPT-së, të ngarkuar sipas urdhërit të sipërcituar me detyrimin ligjor të gjetjes së mundësive dhe vazhdimit të procedurave përkatëse në bashkëpunim me DAP, për rikthimin në punë të ish nëpunësve civilë, konformë vendimeve gjyqësore të formës së prerë ende të pa ekzekutuara, ngarkon me përgjegjësi ligjore, financiare dhe administrative, drejtuesit kryesor të kësaj drejtorie të përgjithshme, si dhe ata respektiv të drejtorive të saj juridike, apo të burimeve njerëzore.
Të dhënat statistikore të deritanishme tregojnë se, zbatimi i akteve të mësipërme nënligjore, të nxjerra me shumë vonesë sikurse themi më sipër, jo vetëm nuk e ka zgjidhur këtë problematikë shumë të rëndësishme në aspektin ligjor, ekonomik, financiar, social e të tjera, por përkundrazi e ka vështirësuar e përkeqësuar edhe më tej atë. Kështu për shembull, nëse janë rikthyer në marrëdhënie pune në zbatim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, rreth 10 – 15% e numrit të ish nëpunësve civilë të administratës tatimore qëndrore, të larguar më parë padrejtësisht nga puna pas vitit 2000, zotërues të vendimeve përkatëse gjyqësore të formës së prerë, ende të pa ekzekutuara deri në fundin e vitit 2013 (kohë në të ciën hyri në fuqi ligji 152 / 2013), të paktën në periudhën e mëpasshme rreth 40% e këtij numri nëpunësish civilë të kësaj administrate që janë larguar nga puna, i janë shtuar listës së gjyqfituesve, përfitues të dëmshpërblimeve të majme financiare, qysh prej momentit të largimit përkatës nga puna, derisa të rikthehen në të ose të jenë gjallë nëse ky rikthim nuk do të ndodh. Bazuar në ligjin në fuqi 152 / 2013 “për nëpunësin civil” të ndryshuar, nenit 66/1, pika 1,në të cilin përcaktohet se vendimet gjyqësore të formës së prerë për rikthimin e nëpunësve civilë në detyrë, duhet të zbatohen menjëherë nga “njësia përgjegjëse” e cila në bazë të nenit 4, pika 1, shkronja f, të po këtij ligji është Departamenti i Administratës Publike (DAP) për institucionet e administratës shtetërore dhe njësia e burimeve njerëzore, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, konstatohet fare qartë se në rastin që analizojmë: DPT dhe DAP (ashtu sikurse edhe shumë institucione të tjera, që e kanë këtë problematik), janë plotësisht jo efektive përsa i takon ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë të kësaj natyre.

Disa këshilla e rekomandime, për minimizimin e dëmit financiar nga statusi i nëpunësit civil.
Nisur nga fakti që përgjatë 18 viteve të fundit të veprimit të ligjeve nr 8549 datë 11.11.1999 “statusi i nëpunësit civil” dhe 152 / 2013 “për nëpunësin civil” të ndryshuar, buxheti i shtetit shpenzon çdo vit miliona euro për dëmshpërblimin, që rrjedh nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë në favor të ish nëpunësve me status të larguar më parë nga puna, në rolin e një ekonomisti finance me përvojë të gjatë pune në këtë profesion e mësimdhënie, duke qenë i obliguar të kontribuoj profesionalisht në favor të interesit publik, kam bërë publike përgjatë viteve 2017, 2018 e 2019, përmes mediave të ndryshme vendase dhe paraqitur paranë institucioneve kryesore ligjzbatuese të vendit tonë, përmes faqeve të tyre zyrtare elektronike, disa mendime, këshilla dhe rekomandime ekonomiko – ligjore, të cilat nëse do të zbatohen do të çojnë në minimizimin e këtij dëmi financiar sistematik e të përvitshëm, duke bërë të mundur që paratë e taksapaguesve, të mos përdoren për pagesa inproduktive e parazitare, por t’ju rikthehen atyre, në formën e investimeve publike, mallrave dhe shërbimeve qeveritare, rritjes së rrogave dhe pensioneve, politikave më të mira sociale e të tjera.
Meqënse institucione të ndryshme shtetërore (sistemi tatimor qëndror,doganat në pjesën më të madhe të pozicioneve të punës, ministri, bashki e tjera), që gëzojnë ligjërisht statusin e nëpunësit civil për punonjësit e tyre, kanë specifika të ndryshme, jam përqëndruar në zgjidhjen e këtij problemi në sistemin tatimor qëndror, që përbëhet nga: DPT-Tiranë, 13 DRT, DTM- Tiranë e tjera, ndërkohë që kjo zgjidhje mund shërbejë si model edhe për institucione të tjera me status, në vartësi me veçoritë që ato kanë.

Së pari: Duhet të bëhet rregullimi përkatës ligjor, duke ngarkuar me përgjegjësi financiare, administrative dhe/ose penale autoritetet përkatëse vendimmarrëse, për largime të padrejta nga puna, të konfirmuara përmes vendimeve përkatse gjyqësore të formës së prerë, që lidhen me periudhat respektive nga datat e largimit, deri tek ato të marrjes formë të prerë të vendimeve gjyqësore dhe për mosekzekutim në kohë të këtyre të fundit, prej datave përkatse që duhet të realizohej përmbushja e këtij detyrimi ligjor, deri në ato të ekzekutimit të këtyre vendimeve, apo në vazhdim për pjesën e mbetur të tyre ende të paekzekutuar.
Zbatimi i pjesës së parë të këtij rekomandimi, që lidhet me largimet nga puna të ish nëpunësve civilë dhe zhvillimin e proceseve gjyqësore përkatëse deri në marrjen formë të prerë të vendimeve gjyqësore në favor të tyre, duhet të analizohet me shumë kujdes dhe objektivitet, pasi periudha e deritanishme e funksionimit të sistemit të drejtësisë, është mbushur me raste të shumta kontestimesh, gjykimesh jo korrekte të ndershme e profesionale, të shoqëruara me ngjarje e fenomene korruptive, të denoncuara edhe prej emisioneve televizive investigative si “Fiks- Fare”, “Stop”, “Boom” e të tjera. Lidhur me atë çka themi, le të shpresojmë se funksionimi në të ardhmen i strukturave të reja të sistemit të drejtësisë, të dala nga implementimi i reformës në drejtësi, do të ndryshojë në drejtimin e duhur realitetin përgjithsisht negativ të funksionimit të deritanishëm të këtij sistemi. Gjithashtu këto autoritete, në përkatësi të institucioneve që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, duhet të mbajnë përgjegjësinë e sipërcituar, në të gjitha ato raste kur sipas verifikimeve përkatse, rezulton se kanë bërë emërime në punë nga jashtë ose brenda sistemit, në ato pozicione pune tek të cilat ato duhet të rikthenin detyrimisht, ish nëpunësit përkatës, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë,të cilat e konfirmonin më parë këtë të drejtë, duke lejuar në këtë mënyrë vazhdimin abuziv të pagimit inproduktiv të këtyre të fundit, me fondet përkatëse publike të buxhetit të shtetit, deri në momentin e rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, sikurse përcaktohet në këto vendime gjyqësore, ose derisa të jenë gjallë nëse ato nuk ekzekutohen.
Lidhur me këtë strukturat përkatëse të kontrollit dhe auditimit financiar, kanë detyrimin ligjor të ushtrojnë kontroll tematik pranë institucioneve dhe autoriteteve përkatëse shtetërore, zbatuese të ligjshmërisë së sipërpërmendur dhe në bazë të verifikimeve, fakteve e gjetjeve të rezultuara, të cilat provojnë paligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve respektivë, me pasojë dëmtimin sistematik e abuziv në shifra shumë të larta të buxhetit të shtetit, të kërkojnë jo vetëm çdëmtimin ekonomik, por edhe marrjen e masave administrative dhe/ose penale ndaj tyre. Nga ana tjetër, është aspak normale që përgjatë 18 vjetëve të fundit të veprimit të ligjeve nr 8549 datë 11.11.1999 “statusi i nëpunësit civil” dhe 152-2013 “për nëpunësin civil”, të ndryshuar, këshilltarët ekonomikë dhe ose ligjorë të institucioneve qëndrore shqiptare, titullarët e tyre, drejtoritë juridike, strukturat përkatse të auditimit financiar dhe specialistët e FMN-së, të cilët kanë asistuar në këtë periudhë ekspertimin e financave publike shqiptare, nuk i kanë dhënë asnjë rekomandim zyrtar qeverive përkatëse shqiptare, për zgjidhjen efiçente dhe ligjore të këtij problemi tepër të rëndësishëm për buxhetin e shtetit.

Së dyti: Në mënyrë që njësitë përkatëse përgjegjëse (Departamenti i Administratës Publike, për institucionet e administratës shtetërore dhe njësia e burimeve njerëzore, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore), të mund të zbatojnë normalisht konformë procedurave ligjore respektive, nenin 66/1, pika 1, të ligjit 152 / 2013 “për nëpunësin civil” të ndryshuar, në lidhje me ekzekutimin e menjëhershëm të vendimeve gjyqësore të formës së prerë për rikthimin e nëpunësve civilë në detyrë, nevojitet që këta të fundit, të detyrohen ligjërisht të depozitojnë pranë njësive përkatëse përgjegjëse, të dhëna personale (ligjërisht të lejueshme), për efekte njoftimi zyrtar të tyre si: adresa e vendbanimit / email-it, numri personal i letërnjoftimit / telefonit e të tjera, si dhe të njoftojnë menjëherë këto njësi në çdo rast ndryshimi të këtyre të dhënave, ndërkohë që duhet të mbajnë përgjegjësi përkatëse ligjore, në rast mospërmbushje të këtij detyrimi apo paraqitje të dhënash të rreme / gabuara.
Së treti: Për të gjithë ish nëpunësit tatimor, të larguar më parë nga puna dhe për të cilët aktualisht ekzistojnë vendimet përkatëse gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre, duhet të fillojnë menjëherë nga ana e DPT-së dhe DAP-it Tiranë, procedurat e rikthimit të tyre në punë, duke i kërkuar paraprakisht qeverisë në mënyrë të argumentuar, miratimin e një shtese organike për aq sa nevojitet, në përmbushje të detyrimit përkatës ligjor, që rrjedh edhe nga zbatimi i ligjit 152 / 2013 “për nëpunësin civil”, të ndryshuar, neni 7, pika 2, shkronja gj.
Menjëherë pas këtij miratimi, ministria e financave konformë procedurave përkatse ligjore, duhet të transferojë fondin përkatës të parashikuar në buxhetin e shtetit për dëmshpërblime të kësaj natyre, në fond pagash për llogari të DPT-Tiranë, duke shtuar pjesën kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që do të paguhet nga punëdhënësi (shteti) dhe rritjen totale respektive të pagës bruto krahasuar me më parë.
Ky transferim është tepër i rëndësishëm, pasi ai bën të mundur zvëndësimin e shpenzimeve buxhetore inproduktive me ato produktive, pasi këto të fundit në çdo rast do të krijojnë të ardhura shtesë nga punësimi për llogari të buxhetit të shtetit, ndërkohë që ndryshesa (rritja / ulja) e shpenzimeve faktike në kuadrin e këtij buxheti, do të jetë e barabartë me pjesën e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që do të paguaj punëdhënësi (shteti) në zbatim të legjislacionit përkatës, plus rritjen totale respektive të pagës bruto, krahasuar me më parë për të gjithë ish nëpunësit e rikthyer faktikisht në punë, minus pjesën e dëmshpërblimit financiar të ndërprerë për ata ish nëpunës, të cilët sikurse themi më poshtë lirohen apo largohen nga shërbimi civil. Përllogaritet se vlera e çdo dëmshpërblimi financiar të ndërprerë, është përafërsisht e mjaftueshme për të mbuluar koston shtesë buxhetore të rikthimit dhe vazhdimit në punën e mëparshme, të katër ish nëpunësve zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të cilat e konfirmonin më parë këtë të drejtë. Kjo do të thotë se vlera e dëmshpërblimit, që i korrespondon 20% të numrit total të ish nëpunësve tatimorë të kësaj kategorie, të cilëve për shkaqet e përmëndura më poshtë ju ndërpritet dëmshpërblimi financiar, është e mjaftueshme për të përballuar koston shtesë buxhetore të rikthimit dhe vazhdimit në punën e mëparshme, të të gjithë pjesës tjetër të barabartë me 80% të numërit total të tyre, ndërkohë që nëse shifra e mësipërme e daljes nga skema e dëmshpërblimit financiar është mbi 20%, atëhere gjenerohet përfitim shtesë buxhetor në formën e kursimit të shpenzimeve përkatëse të këtij buxheti.
Nëse për këtë kategori ish nëpunësish, kryhen procedurat përkatëse ligjore të rikthimit në punë dhe për këtë bëhet njoftimi zyrtar i secilit prej tyre, atëhere ndërpritet menjëherë dëmshpërblimi financiar i sipërpërmendur, pasi në këtë moment madje edhe kur ekzistojnë arsye të justifikuara ligjore për mosparaqitje në punë, efektet e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nulifikohen (zerohen), ndërsa të gjithë ata që paraqesin aktin e dorëheqjes me shkrim, apo për arsye të ndryshme të pajustifikuara ligjore nuk e respektojnë këtë vendimmarrje, lirohen apo largohen respektivisht nga shërbimi civil dhe numri i tyre i zbritet atij të strukturës së shtuar organike të personelit, duke e fiksuar atë përkohësisht në përputhje me rregullat përkatëse ligjore.
Në përfundim të këtij proçesi, do të jetë tepër e sigurt, se numri i ish nëpunësve të kësaj kategorie që do të vazhdojnë të paguhen, do të jetë më i vogël nga ai i mëpërshëm, madje me një ndryshim thelbësor tepër të madh, pasi këta të fundit nuk do të paguhen më në mënyrë inproduktive e parazitare, por nëpërmjet punës e cila padyshim dhe për çdo rast, do të gjenerojë nëpërmjet produktivitetit përkatës, përfitim shtesë me interes publik. Në lidhje me këtë, ka shumë të ngjarë që pjesa më e madhe e atyre, që kanë emigruar jashtë vendit (në Europë, SHBA, apo kontinente të tjera), apo që kryejnë punë të tjera ose merren me biznes, nuk do të preferojë të rikthehet në vendin e mëparshëm të punës, ndërkohë që padyshim ju intereson vazhdimi sa më gjatë në kohë i përfitimit parazitar të dëmshpërblimit ekonomik, që rrjedh nga mos kryerja e procedurave përkatëse ligjore të rikthimit në punën e mëparshme, konformë vendimeve gjyqësore përkatëse të formës së prerë. Sqarojmë se efektet makroekonomike bëhen edhe më negative për ekonominë shqiptare në tërësi, jo vetëm se këto dëmshpërblime financiare (mesatarisht prej 2 – 2.5 miliardë lekë çdo vit) janë tërësisht inproduktive e parazitare, por edhe për faktin se një masë e konsiderueshme e tyre (ndonëse është e vështirë të matet saktësisht), konvertohet në valuta të njohura ndërkombëtarisht si: euro, dollar amerikan, paund britanik e të tjera dhe nga ana tjetër transferohet dhe shpenzohet jashtë shtetit, kryesisht në vendet respektive ku dhe kanë emigruar sëbashku me familjet e tyre (ndonëse nuk disponohen statistika të njohura zyrtare), një pjesë jo e vogël e ishnëpunësve përkatës gjyqfitues, të larguar më parë nga puna sikurse themi më sipër. Nga ana tjetër bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi që vepron në RSH-së, shumat e dëmshpërblimeve financiare që buxheti i shtetit paguan çdo vit në favor të kësaj kategorie ishnëpunësish, mund të rriten potencialisht nëse këta të fundit ngrenë padi civile pranë gjykatave respektive të juridiksionit, duke kërkuar edhe përfitimin e interesave apo kamatave, në të gjitha ato raste kur marrin tej afeteve ligjore të parashikuara dëmshpërblimet takuese financiare, si rezultat i ekzekutimit me vonesë të vendimeve gjyqësore të formës së prerë të disponuara prej tyre.
Aktualisht janë rreth 380 ish nëpunës të sistemit tatimor të larguar nga puna pas vitit 2000, për të cilët ekzistojnë vendimet përkatëse gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre, por që ende figurojnë të pakthyer në punën e mëparshme. Ky fakt, përbën një dëm të madh ekonomik të përvitshëm që i bëhet buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë, pasi secili prej tyre ka përfituar dhe përfiton çdo vit, në vartësi me pagën përkatëse që ka patur, një shumë prej 9-10 milion lekësh të vjetra, pa dhënë asnjë llojë kontributi në punë. Duke qënë kështu, kuptohet fare qartë që shumicës së tyre apo ndoshta të gjithëve, nuk i intereson rikthimi në punën e mëparshme, madje mund ta konsiderojnë si një nga fatkeqësitë më të madha, nëse një gjë e tillë u ndodh, pasi ata mund të bëjnë punë të tjera (qoftë edhe në sektorin publik) dhe paguhen për to, të merren me biznese, e tjera, apo të emigrojnë jashtë vendit për vite të tëra dhe deri sa të arrijnë moshën e pensionit ose të jenë gjallë (gjë e cila nuk përbën aspak çudi), të paguhen duke shtuar çdo vit në llogarinë bankare të çdonjërit prej tyre, shumën prej rreth 10 milion lekësh. Përvoja e deritanishme ka treguar se kjo pagesë, mund të vazhdojë pandërprerje deri në më shumë se 60 vjetë rresht, duke kapur shifrën e mbi 600 milion lekëve.
Në këtë situatë, rikthimi i tyre në punë sa më shpejtë që të jetë e mundur (qoftë edhe me shtesë organike), jo vetëm që e ndërpret efektin përkatës negativ në buxhetin e shtetit, por përkundrazi mundëson lëvizjen e tij drejt kahut pozitiv, pasi kontributi (produktiviteti) i punës së tyre në sistemin tatimor, i cili ende karakterizohet nga një nivel i lartë evazioni fiskal, do të shoqërohet me siguri në kushtet e mirëmenaxhimit të këtij sistemi, me një rritje të ardhurash për buxhetin e shtetit disa herë më shumë se rrogat përkatëse të tyre, të cilat vazhdojnë t’i marrin sistematikisht në periudha periodike vjetore, në mënyrë inproduktive e parazitare, madje dhe pa zbritur më parë kontributin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sikurse ndodh me të punësuarit.
Pra zbatimi i kësaj skeme ekonomiko-ligjore në çdo lloj rasti dhe rrethane, do të rezultojë me efekte financiare pozitive për buxhetin e shtetit dhe do të ulë nga ana tjetër, treguesin në % që zë kostua reale vjetore e mbajtjes së personelit të administratës tatimore qëndrore, (të cilës i shtohet edhe dëmshpërblimi vjetor i sipërcituar), ndaj totalit të të ardhurave vjetore që vilen prej kësaj administrate, ndërkohë që vonesat subjektive të pajustifikuara nga ana ligjore, lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë (për sa i takon rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, të ish nëpunësve përkatës të larguar më parë nga puna), apo akoma më keq mosekzekutimi fare i tyre, do të vazhdojnë të ndëshkojnë financiarisht këtë buxhet dhe taksapaguesit shqiptarë. Mundësia e rikthimit në punë, për raste të tjera të ngjashme, qoftë edhe me shtesë organike deri në masën ku të ardhurat e produktit marxhinal të punës barazojnë çmimin e saj (pagën), sikurse përcakton shkenca e ekonomisë, duhet të shikohet me përparësi edhe në institucione të tjera ku vepron ligji përkatës “për nëpunësin civil”, duke përfshirë edhe njësitë e qeverisjes vendore.
Në këndvështrimin ligjor, ekonomik, financiar dhe social, çdo shtesë organike e miratuar konformë procedurave përkatëse ligjore, që do të mundësonte rikthimin në punën e mëpërshme të ish nëpunësve të kategorisë së lartpërmendur, do të ishte e justifikuar deri në masën që treguesi ekonomik “të ardhura të produktit marxhinal të punës”, të jetë jo më i vogël se pjesa e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që paguan punëdhënësi (në rastin tonë shteti), në zbatim të legjislacionit përkatës, plus rritja respektive e pagës bruto krahasuar me më parë, pasi pjesa tjetër e shpenzimeve që lidhet me pagën, mbulohet financiarisht nga fondi përkatës i parashikuar në buxhetin e shtetit për dëmshpërblime dhe i transferuar më parë në fond pagash, sikurse themi më sipër.
Së katërti: Është e domosdoshme dhe emergjente që në kuadrin e rregullimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të legjislacionit në fushën e shërbimit civil e të tjera, të përcaktohet qartë se nëse përgjatë periudhës kur ishpunonjësi civil apo jo civil, është trajtuar apo trajtohet me dëmshpërblim financiar nga fondet e buxhetit të shtetit për shkak të ekzekutimit të vendimit përkatës gjyqësor të formës së prerë në favor të tij dhe nga ana tjetër brenda kësaj periudhe, verifikohet se ai ka qenë apo është i punësuar në sektorin publik dhe për pasojë i paguar prej fondeve publike buxhetore, atëhere këto shuma pagesash duhet t’i zbriten atij prej dëmshpërblimit të pritshëm, ose të kërkohet rikthimi i tyre në buxhetin e shtetit, përmes vendimit ekzekutiv të nxjerrë prej institucionit përkatës, konformë zbatimit të procedurave të nevojshme ligjore. Nga ana tjetër bazuar në praktika të njohura të legjislacionit ndërkombëtar që vepron në këtë fushë në vende të ndryshme demokratike të botës, përfituesit e lartëpërmendur të kësaj kategorie, apo të disa prej rasteve të tjera të parashikuara në legjislacionin përkatës, (të cilat lidhen me pagesën e papunësisë, mbrojtjen sociale e të tjera), e humbasin këtë të drejtë, nëse verifikohet se kanë qëndruar jashtë vendit përkatës në mënyrë të vazhdueshme apo me ndërprerje, më tepër se 183 ditë në një periudhë prej 365 ditësh.
Së pesti: Në ligjin 152 / 2013 “Për nëpunësin civil” i ndryshuar, neni 66/1, pika 4, citohet se: “Njësia përgjegjëse është e detyruar që në momentin e krijimit të një vendi pune të lirë në shërbimin civil, të emërojë, fillimisht me pëlqimin e tyre, nëpunësit civilë (gjyqfitues) të regjistruar në listë, sipas kategorisë përkatëse dhe që plotësojnë kriteret e pozicionit të punës”.
Duke qenë se zbatimi në praktikë i këtij neni, është shoqëruar me spekullime, afera korruptive e të tjera, të cilat kanë gjeneruar pasoja të rënda e të vazhdueshme negative, veçananërisht ndaj buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë, nevojitet që kjo pikë e këtij neni të ndryshojë, duke hequr shprehjen e lartëpërmendur ‘fillimisht me pëlqimin e tyre”, në të gjitha rastet kur nëpunësit civilë gjyqfitues, në zbatim të dispozitivit të vendimit gjyqësor “titull ekzekutiv”, rikthehen në vendin e mëparshëm të punës, ose duke përcaktuar në mënyrë të qartë dhe të prerë, se këta nëpunës civilë gjyqfitues, nuk mund të refuzojnë më shumë se një herë sistemimin në një pozicion tjetër pune të të njëjtit nivel dhe kategori, në të cilin plotësojnë kriteret përkatëse, ndërkohë që nëse shteti merr përsipër paraprakisht, trajnimin përkatës falas, afatshkurtër dhe të detyrueshëm të tyre, refuzimi (përveçse përkohësisht dhe në rrethana të parashikuara e arsyetuara ligjërisht), të konsiderohet i pajustifikuar dhe i papranueshëm nga ana ligjore. Mospjesëmarrja e pajustifikuar në këtë trajnim, nga ana e nëpunësit civil përkatës, të konsiderohet thyerje e rëndë disiplinore, duke përbërë shkak për largim nga shërbimi civil dhe ndërprerje të menjëhershme të trajtimit me dëmshpërblim financiar.

Përfitimet që rrjedhin nga implementimi i këshillave dhe rekomandimeve ekonomiko – ligjore të lartëpërmendura.
GJykoj se duke vepruar në këtë mënyrë, bëhet e mundur që të merren një sërë përfitimesh në drejtime dhe aspekte të ndryshme, të cilat padyshim do të jenë në interes të mbarë publikut dhe vlerësohen pozitivisht prej tij.
Në aspektin ligjor, ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, merr një rëndësi edhe më të madhe në kushtet e sotme të implementimit të reformës në drejtësi dhe çeljes së pritshme të negociateve për antarësim të vendit tonë në bashkimin europian. Në të gjitha vendet e botës ku funksionon realisht shteti ligjor i së drejtës, jo vetëm që ekzekutohen në kohën e duhur këto vendime, por aktualisht në disa prej tyre si SHBA, Gjermani e tjera, legjislacioni përkatës me qëllim minimizimin e pagesave inproduktive, kushtëzon dhënien e asistencës ekonomike për të gjithë individët përfitues në moshë ligjore pune dhe të aftë për punë, me kryerjen përgjatë çdo muaji të një numri të caktuar orësh pune në dobi të komunitetit.
Në aspektin ekonomik, sikurse e shpjeguam më sipër, bëhet e mundur të shmangen ose të paktën minimizohen, pagesat e majme, sistematike, inproduktive e parazitare, që kapin çdo vit në total shifra prej rreth 20 milionë euro për këtë kategori ishpunonjësish të sipërpërmendur, të cilët mund t`i përfitojnë ato në vazhdimësi deri në më shumë se 60 vjetë, nëse nuk kryhen procedurat përkatse ligjore të rikthimit në punën e mëparshme. Në lidhje me këtë bazuar në të dhënat përkatëse të drejtorisë së përgjithshme të thesarit të ministrisë së financave, rezulton se për periudhën 01.01.2000 – 31.12.2018, shuma e paguar nga buxheti i shtetit shqiptar në formën e dëmshpërblimit financiar (në zbatim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë për largime të paligjshme nga puna), arrin vlerën rreth 245 milion euro, ndërkohë që vetëm në 5 vjeçarin e fundit të kësaj periudhe (01.01.2014 – 31.12.2018), kjo pagesë arrin vlerën e barabartë me 102 milion euro.
Nga ana tjetër ekzekutimi në kohën e duhur i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, minimizon kostot e problematikave me të cilat mund të përballen në të ardhmen, ishnëpunësit përfitues të dëmshpërblimeve financiare dhe institucionet përkatëse shtetërore, në të gjitha ato raste kur gjykata e lartë (shkalla më e lartë e gjyqësorit), në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të rekursve përkatëse (gjë e cila nisur nga përvoja shqiptare e deritanishme ndodh pas disa vitesh), vendos shfuqizimin e vendimeve të dhëna më parë nga gjykatat përkatëse të apelit, të cilat pas marrjes formë të prerë të tyre, janë ekzekutuar vetëm për efekt dëmshpërblimi financiar dhe për pasojë duhet të realizohet sipas procedurave respektive ligjore, rikthimi mbrapsht në buxhetin e shtetit i shumave të dëmshpërblimeve financiare të tërhequra më parë nga përfituesit përkatës, të cilët nëse i kanë shpenzuar ato më parë dhe nuk kanë burime të tjera të mjaftueshme financiare, vështirësohet së tepërmi dhe ndoshta bëhet i pamundur rikthimi në fjalë i sipërcituar.
Në aspektin social, rikthimi sa më shpejtë të jetë e mundur në vendet e mëparshme të punës, konformë vendimeve përkatëse gjyqësore të formës së prerë, të ishpunonjësve të larguar më parë nga puna, minimizon kostot sociale që lidhen me zhvlerësimin e kapitalit njerëzor dhe intelektual, të shkaktuar nga humbja e aftësive profesionale dhe shprehive të punës, si rrjedhojë e qëndrimit papunë, apo punësimit jashtë profesionit.
Në aspektin e luftës antikorrupsion, ekzekutimi sa më i shpejtë i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për pjesën që i takon rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, të ish punonjësve që e kanë fituar këtë drejtë me këto vendime, do të shmang në të ardhmen, aferat korruptive që mund të jenë praktikuar në të kaluarën në sistemin gjyqësor, lidhur me dhënien e së drejtës së pamerituar (tek disa prej ishpunonjësve të larguar nga puna), kundrejt shpërblimeve korruptive të dhëna, pasi çdo vendim i kësaj natyre ju ka siguruar dhe siguron atyre, çdo vit në vazhdimësi mesatarisht rreth 10 milion lekë të vjetra.
Në aspektin moral, shoqëror e politik, duke vepruar si më sipër, kontribuohet pozitivisht në drejtim të dhënies fund, jo vetëm të pagesave të majme parazitare që shpesh zgjaten pa limit kohor në dëm të interesit publik, por edhe të spekullimeve hipokrite të një pjese të ishpunonjësve të kësaj kategorie, që ndërsa hiqen çuditërisht “të persekutuar”, (megjithëse trajtohen me rroga të larta papunuar), tundin jo rrallë herë flamujt e opozitarizmit, në pritje dhe me ëndrrën për t`u katapultuar në të ardhmen, në poste drejtorësh në mënyrë të pamerituar.
Vetëm kështu, aq më tepër të ndodhur përballë implementimit të shumëpritur të reformës në drejtësi dhe çeljes së negociateve për antarësim të vendit tonë në bashkimin europian, bëhet i mundur zbatimi korrekt i legjislacionit mbi ekzekutimin e detyrueshëm të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, shmangia ose minimizimi i pagesave inproduktive e parazitare, të cilat kapin vlera monetare relativisht shumë të larta, eleminimi i mundësive të emërimeve të reja të pamerituara dhe dubluara, përmirësimi i efiçencës ekonomike në sistemin tatimor e tjera, duke kontribuar pozitivisht në rritjen e mirëqënies ekonomike e sociale të mbarë publikut.
Shpresoj që Prokuroria Speciale e Antikorrupsionit dhe Krimit të organizuar (SPAK), të fillojë menjëherë hetimet penale, ndaj këtij megakorrupsioni me pasoja tepër të rënda dhe gjithmonë në rritje ndaj buxhetit të shtetit shqiptar dhe interesit publik, duke përgjegjësuar ligjërisht të gjithë zyrtarët e lartë përkatës shtetërorë të pas vitit 2000, të ciët kanë abuzuar dhe vazhdojnë të abuzojnë me këtë llojë problematike komplekse dhe tepër serioze. Në këtë kontekst, duhet të përgjegjësohen ligjërisht edhe të gjitha ato struktura kontrolli dhe auditimi financiarë, të cilat nuk kanë përmbushur detyrimet përkatëse ligjore, ndërkohë që nëse kanë raporte apo materiale të tjera kontrolli dhe auditimi financiarë që lidhen me këtë tematikë, duhet t’i vihen në dispozicion strukturës më të lartë të hetimit penal, të cilësuar ligjërisht më emërtesën “SPAK”.

Zija LIKA

SHKARKO APP