Spektakël dhe “çmenduri”, mbyllet Rockstock Music Festival

Është mbyllur në mënyrë spektakolare edicioni i dytë i Rockstock Music Festival. Artistët më në zë të muzikës kualitative kanë shoqëruar dy net radhazi publikun shqiptar, i cili për orë të tëra është argëtuar nën ritmet e këngëve më të bukura rock. Edhe pse mbrëmja e parë u anullua për shkak të stuhisë së shiut, në dy netët pasuese, fansat e rock-ut duket se “ia morën hakun” motit të keq duke festuar me miq të rinj e të vjetër në sheshin “Nënë Tereza”. Performancat e “çmendura” live të revolucionarëve të rock-ut shqiptar, të rinj të talentuar që ngjiteshin për herë të parë në skenën e Rockstock Festival, banda të ardhura posaçërisht nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Ukraina, Kroacia dhe Shqipëria gozhduan për orë të tëra publikun përballë zërave më të mirë rock.

I cilësuar si një risi nga të pranishmit, organizatorët e Festivalit, Elton Deda dhe Erjon Zaloshnja duket se ia kanë arritur qëllimit; argëtimit të pjesëmarrësve, rikthimin e vëmendjes tek vlerat e muzikës rock shqiptare, ribashkimin e disa prej bandave veterane, si dhe krijimit të një atmosfere ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim.

“Ka ende punë për t’u bërë, por duke marrë parasysh që ky është vetëm edicioni i dytë i një festivali të tillë tek ne mund të them që deri tani jemi mirë me ecurinë. E rëndësishme është që po përpiqemi të bëjmë diçka të bukur, diçka që publikut duket se i ka munguar prej kohësh. Publiku po argëtohet tej mase e kjo gjë më krijon ndjesi fantastike. Është stimul për t’u rritur edhe më shumë në vitet pasuese, sepse ky është edhe qëllimi ynë, që përveçse të bëjmë muzikë të bukur, ta kultivojmë atë edhe tek brezat pasardhës”, shprehet Elton Deda për gazetën “Koha Jonë”, duke shtuar që dy netët e Festës së Rock-ut do të shumëzohen vitet e ardhshme, përfshirë edhe më me shumë banda nga rajoni (Europa). Ndër shumë të pranishëm në publikun rocker, në sy ka rënë edhe pjesëmarrja e disa prej figurave publike, siç ishte ajo e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me bashkëshorten, deputetit Dashamir Peza, etj., të cilët ndenjën pothuajse deri në fund të Rockstock Music Festival.

Mbrëmjen e parë në skenën plot ngjyra dhe drita perfomuan artistë e banda si; Crossbones, Renis Gjoka Band, "Asgjë Sikur Dielli", Duck Lord, RockStock Band (Eneda Tarifa, Rezarta Smaja, Altin Gjici, Franc Fierca), Tre Musketierët, (Elton Deda, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi) dhe Muscle Tribe of Danger and Excellence nga Kroacia. Ndërsa në natën finale,  Centaur (Reunion), Offchestra, Altin Goci Band, Gipsy Groove, Shpat Deda, Jericho, Elita 5 dhe Jinjer.

Këto të fundit, ardhur posaçërisht nga Ukraina dhanë një spektakël të jashtëzakonshëm me performancat e tyre energjike. Hite që interpretoheshin në kor, kërcime rockerësh gjysmë të zhveshur, miqësi të reja e të vjetra që argëtoheshin në grupe, njerëz të bukur, falenderime e mirënjohje për pjesëmarrjen e shumtë, kjo ka qenë panorama e dy netëve rock në Rockstock.

Ky Festival, i cili synon të bëhet ndërkombëtar, premton suksesin e radhës edhe në edicionet e ardhshme.

 

Albina Gjergji

SHKARKO APP