Spitali i Vlorës, Rama: Lentet e syve për të moshuarit janë falas
Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kanë vizituar pasditen e kësaj të premteje spitalin e Vlorës, ku investimet në infrastrukturë dhe mjekë të specializuar mundësojnë shumë shërbime që nuk ofroheshin më parë me kushte dhe standarde të kualifikuara.
Rama ka thënë se tashmë falë investimeve të bërë nga koncesionari pacientët nuk kanë më nevojë që të udhëtojnë drejt Tiranës dhe të paguajnë 700 dollarë për lentet e syve pasi tashmë shërbimi është në Vlorë dhe kryhet falas.
“Nuk kanë më nevojë të marrin rrugën drejt Tiranës të moshuarit që paguanin 700 dollarë më parë për lentet e syve, ata e kanë FALAS këtë shërbim në Vlorë. Pacientët me tumore nuk vijnë më në Tiranë për trajtimin, por e marrin shërbimin në Vlorë”.
Kryeministri është ndalur edhe tek ata persona që akuzojnë qeverinë për vjedhje me koncesionet duke thënë se këto janë të pavërteta. “Nuk kemi bërë një muzeum të vogël si ishin dhe si janë bërë. Dëgjojnë në llafe rruge vjedhja PPP e kshu. Të gjitha këto janë të financuara nga privati. Shteti merr shërbimin dhe paguan vit pas viti këto. Në fund janë të shtetit paisjet”.