Sporti i harruar dhe i lënë pas dore nga njerëzit e tij

Nga Viron Bezhani

Sporti shqiptar po kalon një moment delikat të ekzistencës së tij, pasi pas 28 vitesh demokraci ka ardhur koha që ai të ketë identitetin e tij, të jetë i pavarur dhe si i tillë ka nevojë për përkrahjen e mbështetjen e të gjithëve. Shpesh njerëzit që janë pranë tij janë treguar indiferentë për sportin, duke e lënë atë të lëngojë dhe të mendojnë pak për zhvillimin e tij, për të bërë sa më shumë hapa përpara. Sporti i përket të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i atyre që bëjnë sport, pasi të gjithë ne krenohemi kur sportistët tanë arrijnë rezultate të larta.

Një kujdes të veçantë duhet të tregojë shteti shqiptar, që t’i mbajë gjithnjë dyert e hapura për sportin, sportistët e trajnerët, t’i përkrahë ata dhe të jetë partner për zhvillimin e tij. Aktivitetet madhore sot në sportin shqiptar e atë ndërkombëtar sa vijnë e shtohen, madje shumë prej tyre zhvillohen edhe në Shqipëri, por mbështetja financiare e shtetit shpesh është e njëjtë si ajo e 5 apo 10 viteve më parë, ndërkohë që organizimi i sportit kërkon të tjera ritme. Jo vetëm mbështetje financiare por edhe ligjore, për ta zhvilluar sportin shqiptar në çdo drejtim, për t’i dhënë atij një hov tjetër.

Sporti nuk mund dhe nuk duhet të jetë dera e fundit e një Ministrie që kujdeset për të apo e Qeverisë, përkundrazi, duhet të jetë dera që na lidh më shumë me botën. Sporti promovon vlera të jashtëzakonshme, promovon kulturën e turizmin, ecën në krah tyre dhe në vetvete është kulturë. Këtë gjë duhet ta dinë e mësojnë njerëzit që drejtojnë sportin dhe askush nuk duhet të harrojë se pa sport nuk ka shoqëri njerëzore. Sot duhet vëmendje edhe më e madhe ndaj atyre që punojnë çdo ditë në palestër, pallate sporti apo stadiume. Rezultatet nuk kanë munguar asnjëherë dhe kjo falë pasionit dhe dëshirës që kanë njerëzit që merren me sport, ndaj përkrahja ndaj tyre duhet të jetë e madhe. Sot sporti në Shqipëri është lënë edhe pa një drejtori që të organizojë e drejtojë sportin, një turp, pasi kështu ai nuk mund të funksionojë dhe zhvillohet.

Sporti shqiptar ende vijon të lëngojë, në shpresën tij për të mbijetuar dhe lulëzuar njëkohësisht në këtë periudhë delikate. Por shpesh kjo mbijetesë duket gjithnjë më e vështirë, duke parë indiferencën që kanë karshi sportit pikërisht njerëzit që më shumë se kushdo, duhej ta përkrahnin dhe ta ndihmonin. Ndoshta ende edhe sot, pas 28 vitesh demokraci, ende nuk ka një vizion të qartë nga ana e shtetit për ta ndihmuar dhe mbështetur sportin si një veprimtari aktive në shërbim të shoqërisë, pasi në këtë drejtim bëhet shumë pak.

Ata që sot bëjnë çdo ditë sport duan vetëm që dikush t’i përkrahë dhe të dëgjojë problemet e tyre, t’i orientojë drejt një sporti më cilësor e rezultativ, me ligje e rregulla, të cilat sot mungojnë ose nuk zbatohen fare. Dhe duket se në këtë përpjekje për të mbajtur kokën lart e me krenari, njerëzit e sportit janë të vetëm, pasi përkrahja e shtetit është e vakët, bile edhe atëherë kur sportistët shqiptarë nderojnë kombin, duke gritur lart flamurin kuqezi në podiume dhe arenën ndërkombëtare.

Jemi në prag të Lojërave Mesdhetare “Tarragona 2018”, një tjetër veprimtari madhore ku Shqipëria do të shkojë për t’u përfaqësuar dhe ballafaquar denjësisht me shtetet e tjera, në të gjitha sportet. Ne nuk mund të lejojmë që ky turne të zhvillohet sa për të kaluar radhën, por për të treguar se sporti ynë, sportistët tanë më të mirë, dinë të luftojnë dhe të fitojnë. Sporti shqiptar nuk është vetëm i Federatave dhe KOKSH-it, por edhe i shtetit. Sporti i përket të gjithë shqiptarëve, ndaj të gjithë të kthejnë sot sytë nga ai, ta mbështesin e kontribuojnë, për të patur nesër një Shqipëri më të fortë në sport, që nuk ka frikë se paratë me pikatore dhe ligjet absurde do t’i mbyllin derën.

SHKARKO APP