Stress-teste të detyrueshme – Banka e Shqipërisë harton udhëzim për bankat tregtare

Duke filluar nga dhjetori i këtij viti, bankat shqiptare do të jenë të detyruara të ushtrojnë periodikisht prova rezistence apo stress-teste. Ky detyrim tashmë do të rregullohet nga një udhëzim i veçantë i Bankës së Shqipërisë.

Projekt-udhëzimi parashikon që bankat të kryejnë stress-teste të paktën dy herë në vit, për të vlerësuar ndikimin që mund të kenë përkeqësimet domethënëse të mjedisit ekonomik dhe financiar në treguesit kryesorë të veprimtarisë së bankës, kryesisht te kapitalizimi dhe likuiditeti. Bankat duhet të sigurohen që stress test-et të bazohen në skenarë të ashpër, por të mundshëm për të ndodhur. Në veçanti, çdo bankë duhet të marrë parasysh dobësitë specifike të saj në ndërtimin e një skenari të caktuar, mbështetur në modelin e saj të biznesit. Këto prova duhet të testojnë efektin e skenarëve të mundshëm në raport me disa prej rreziqeve kryesore në aktivitetin bankar, si rreziqet e lidhura me kredinë, rreziku i normës së interesit, ai operacional, i likuiditetit, rreziku sovran i vendit, etj.

Drejtuesit ekzekutivë të bankave duhet të informojnë rregullisht Këshillin Drejtues dhe Komitetin e Kontrollit për rezultatet e stress-testeve. Në rastet kur është e nevojshme, këto organe duhet të ndërmarrin veprime për të adresuar dobësi të mundshme që stress-testet mund të kenë evidentuar. Veprimet mund të përfshijnë masa të tilla si ndryshimin e strategjisë së biznesit, me qëllim uljen e kufijve të ekspozimit ndaj rrezikut, rritjen e kapitalit, pezullimin e shpërndarjes së dividendëve, etj.

Çdo bankë duhet të paraqesë të paktën një herë në vit pranë bankës qendrore rezultatet e stress-testeve, së bashku me masat e ndërmarra nga organet drejtuese mbështetur në rezultatet e testeve në fjalë.

Stress-testet për sektorin bankar aplikohen tashmë prej vitesh edhe nga Banka e Shqipërisë dhe një përmbledhje e rezultateve, në nivel sistemi, publikohet në raportet e stabilitetit financiar. /SCAN

SHKARKO APP