Studentët dhe kërkimi shkencor
Nga Xhorxhina Deda –
Nevojat e njerëzve kurrë nuk mbarojnë. Mund ta besojmë ose jo, por kjo është e vërtetë. Ne jemi të prirur të përshtatemi me gjëra të reja si pasojë e dëshirave tona dhe duam të forcojmë përshtatshmërinë ditë pas dite. Kur përballemi me ndonjë problem ne mendojmë rreth zgjidhjeve të ndryshme dhe shpesh bëhemi konfuzë. Shumë pyetje mund të na vijnë në mendje dhe ne mendojmë hapin e radhës për ti dhënë fund pyetjeve. Pikërisht këtu bëhet më I dukshëm se kurrë roli I kërkimit shkencor.
Kur flasim për kërkime shkencore menjëherë mendojmë rreth atyre kërkimeve që kanë patur karakter të gjerë dhe impakt të lartë në shoqëri. Priremi të kujtojmë studime që kanë ndihmuar në zbulime të kurimeve të sëmundjeve apo vaksinave, studime që kanë zgjidhur ngërçe ekonomike, politike ,sociale etj. Kërkimet shkencore japin zgjidhjen e duhur të testuar për probleme të ndryshme. Nga diskutime të përditshme, mbi rëndësinë e kërkimit, kam vëne re se njerëzit vlerësojnë si studime të vërteta vetëm ato që realizohen nga institute kërkimore apo akademikë dhe nuk u japin shumë rëndësi kërkimeve të studentëve. Sigurisht që kërkimet shkencore të realizuara nga institute apo akademikë janë të një rëndësie të lartë , por një rëndësi tepër të veçantë kanë dhe studimet e realizuara nga studentët për detyrat e tyre. Në dukje këto kërkime mund të shihen si të parëndësishme ,si disa kërkime të vogla , por janë pikërisht ato studime që ndihmojnë dhe përforëcojnë bindjet që formojnë studentin. Kërkmi shkencor është çelësi për suksesin e studentëve mbi profesionin që ato zgjedhin të thellohen. Fjala student nënkupton drejtim të zellit të dikujt për tu marrë me lëndë të caktuara që ai I dëshiron. Të qenurit student ka shumë sfida dhe njëra nga sfidat më të mëdha është zotërimi I dijeve në fushën që ai dëshiron. Pikërisht këto dije I zgjeron kërkimi shkencor dhe për të realizuar një kërkim sa më efektiv duhen zgjerime njohurish mbi metodat e kërkimit.
Pse kërkimi shkencor është I rëndësishëm për studentët?
Përgjigja e kësaj pyetje është pikërisht ajo që thashë më lart. Nëpërmjet kërkimit shkencor studentët arrijnë të marrin akoma më shumë nga ajo që studiojnë në përditshmërinë e tyre. Kërkimi I ndihmon studentët të kenë analiza të detajuara për çështjet që janë në interes të tyre.Nga përvoja personale si studente jam në dijeni të rëndësisë së kërkimit shkencor. Kur studentët kërkojnë ,ata duhet të dinë si të krijojnë balanca mes bashkëpunimit dhe punës individuale. Sot po I jepet, dhe duhet ti jepet më tej, një rëndësi shumë e madhe kërkimit të studentëve nga ana e universiteteve. Është një shtysë e madhe për studentët edhe fakti që në programet studimore ka lëndë mbi metodat e kërkimit shkencor dhe si ti realizojnë ato. Fakultetet gjithashtu realizojnë konferenca studentore me qëllim gjithëpërfshirjen e studentëve për të prezantuar punimet e tyre dhe për të promovuar vlerat dhe talentet studimore.
A janë studentët optimistë mbi kërkimin shkencor dhe vlerat e tij?
Gjatë viteve të mia të studimit kam vënë re se studentët nuk përfshihen shumë në punë kërkimore qoftë edhe për detyrat e tyre të kurseve. Si pasojë e mospërfshirjes së tyre përballemi me fenomenin e plagjiarizmit. Po përse studentët nuk përfshihen në punë kërkimore dhe zgjedhin plagjiature?
Mendoj se ekzistojnë disa arësye të cilat I shtyjnë studentët të mos thellohen në kërkime shkencore.Bazuar në eksperiencë nga njohja me shumë studentë një nga arësyet është përtacëria. Pa dashur të përgjithësoj ,shumë studentë përtojnë të marrin përsipër kërkimin shkencor zgjedhin plagjiarizmin duke e marrë atë të gatshme. Një arësye tjetër është paniku që përfshin studentët. Ato ndjejnë frustrim gjatë procesit , nuk mund të oraginizojnë aftësitë e tyre dhe dorëzohen. Ky mos realizim I detyron të shkojnë drejt plagjiarizmit. Disa nga studentët nuk e kuptojnë rëndësinë e fakteve dhe ideve dhe mendojnë se iu kërkohet të riprodhojnë atë që ekspertët kanë thënë. Një arësye mund të jetë dhe njohuria e dobët që kanë studentet për metodat e kërkimit dhe kjo I çon në dështim. Nisur nga rëndësia e përmendur më lart mund të them se universitete duhet të punojnë akoma më shumë në mbështetje të studentëve për të realizuar kërkime dhe gjithashtu studentët duhet të përfshihen më shumë dhe të kuptojnë rëndësinë e metodave të kërkimit.