Studimi amerikan: Të mbash një qen, zgjat jetën
I kanë quajtur miqtë më të mirë të njeriut për shumë arsye dhe ja ku po ju njohim me një tjetër… Të kesh një qen, redukton rrezikun për të vdekur para kohe. Një studim i publikuar në revistën e shoqatës “American Heart”, kurorëzoi 70 vite kërkime dhe përfshiu 4 milionë njerëz në vende të ndryshme. Rezultati? Shkencëtarët zbuluan se zotërimi i një qeni lidhej me një reduktim prej 24% të vdekjes nga të gjitha shkaqet. Dhe për ata që kanë pësuar infarkt apo ishemi, miqtë me 4 putra reduktonin rrezikun e vdekjes nga sëmundje zemre me 31%.
Kjo u përforcua edhe nga një studim i dytë, i cili gjithashtu zbuloi se njerëzit që kanë qen, kanë shëndet më të mirë pas një infarkti apo ishemie. Lidhja e saktë nuk është e qartë, por hamendësimet orientojnë nga aktiviteti i shtuar.
Shoqata “American Heart” i referohet një studimi që zbuloi se njerëzit që shoqërojnë qentë e tyre bëjnë 30 minuta me shumë aktivitet fizik në ditë. Studime të tjera kanë zbuluar se thjesht përkëdhelja e një qeni mund të ulë presionin e gjakut, redukton ankthin dhe depresionin.