Studimi i Yale dhe Oxford: Ushtrimet ju bëjnë më të lumtur sesa paratë
Është e qartë për këdo që ushtrimet si vrapi, palestra apo dhe aktivitet të tjera sportive kanë përfitime shëndetësore si fizike ashtu dhe mendore. Po sikur t’ju themi se aktiviteti fizik është më i rëndësishëm sesa statusi juaj ekonomik? Sipas një studimi nga studiuesit në Yale dhe Oxford, rezulton se ushtrimet ju sjellin më tepër lumturi sesa paratë. Në këtë studim, të botuar në “The Lancet”, shkencëtarët mblodhën të dhëna në lidhje me sjelljen fizike dhe gjendjen shpirtërore të mbi 1.2 milion amerikanëve. Pjesëmarrësve iu kërkua të përgjigjen për pyetjen e mëposhtme: “Sa herë jeni ndjerë keq në 30 ditët e fundit, për shembull, për shkak të stresit, depresionit ose problemeve emocionale?” Pjesëmarrësit u pyetën për të ardhurat dhe për aktivitetet fizike. Ata ishin në gjendje të zgjidhnin të bënin 75 lloje aktivitetesh fizike, që nga kositja e lëndinës, kujdesi për fëmijët dhe bërja e punëve shtëpiake deri tek ngritja e peshave, çiklizmi dhe vrapimi.
Njerëzit që janë gjatë gjithë kohës aktiv, priren te jenë më të lumtur sesa ata që bëjnë jetë sedentare. Shkencëtarët zbuluan se ata që bënin ushtrime rregullisht, kishin tendencën për tu ndjerë keq vetëm 35 ditë në vit, ndërsa ata që nuk ushtronin shpesh aktivitete fizike, mesatarisht ndiheshin keq 18 ditë më shumë sesa norma bazë. Për më tepër, studiuesit zbuluan se njerëzit aktivë fizikisht ndihen po aq mirë sa ata që nuk bëjnë sporte por që fitojnë rreth 25,000 dollarë më shumë në vit. Në thelb, ju do të duhet të fitoni shumë më tepër para për të marrë të njëjtin efekt nxitës të lumturisë që ka sporti. Por kjo nuk do të thotë se sa më shumë sport të bësh, aq më i lumtur do jesh.
Ushtrimi i tepërt mund të jetë i dëmshëm për shëndetin tuaj mendor
Ushtrimet fizike janë shumë të mira për shëndetin, por pyetja është sa aktivitet duhet të ushtrojmë? “Marrëdhënia mes kohëzgjatjes së sportit dhe ngarkesës mendorë ka formën e një U-je”, tha autori i studimit, Adam Chekroud nga Universiteti Yale, në një intervistë me Die Welt. Studimi zbuloi si aktiviteti fizik kontribuon për mirëqenien mendorë por vetëm nëse kryhet brenda optimales, pa e tepruar.
Sipas studimit 3 deri në 5 seanca trajnimi në javë, ku secila zgjat nga 30 deri në 60 minuta janë ideale. Shëndeti mendor i personave që kryejnë më tepër se tre orë aktivitet në ditë është më i rënduar sesa i atyre që nuk kryejnë farë aktivitet. Shkencëtarët gjithashtu vunë re se disa sporte që kryhen në grup kanë efekte më pozitive sesa ata që ushtrohen vetëm. Por duke përjashtuar këtu çiklizmin, aerobinë të cilat mund të behën vetëm dhe kanë efekte pozitive të konsiderueshme në shëndetin tuaj mendor.
Përkthehu Koha Jonë.