Studimi: Ilaçi me antitrupa ofron mbrojtje ndaj koronavirusit

Një studim i ri që ka përfshirë një numër të madh njerëzish ofron prova të reja sipas të cilave përdorimi sa më shpejt i një ilaçi me antitrupa që lufton COVID-19-n, mund të ndihmojë në parandalimin e rasteve të rënda të sëmundjes.

Kompania e bioteknologjisë me seli në Nju Jork “Regeneron Pharmaceuticals” thotë se nga provat e kryera tek më shumë se 4,000 pacientë të diagnostikuar kohët e fundit me COVID-19, u zbulua se ilaçi i prodhuar prej kësaj kompanie me dy lloje antitrupash, ul me 70 për qind rrezikun e shtrimit në spital ose vdekjeve.

Të gjithë pjesëmarrësit në studim ishin pacientë që nuk ishin shtruar në spital, por sëmundja e tyre rrezikonte të përkeqësohej për shkak të moshës ose kushteve të tjera shëndetësore, si mbipesha ose tensioni i lartë i gjakut. Ilaçi shkurtoi gjithashtu kohën mesatare të shërimit nga 14 në 10 ditë.

Përfitimet nga ilaçi ishin të njëjta me ato që jep përdorimi i një gjysmë doze për të cilën është dhënë autorizimi për përdorim në raste urgjente në Shtetet e Bashkuara. Kompania thotë se do t’u kërkojë enteve rregullatorë të lejojnë përdorimin e dozave edhe më të ulëta.

Rezultatet nuk janë botuar në ndonjë revistë dhe nuk janë shqyrtuar ende nga shkencëtarë të tjerë të pavarur. Ilaçi jepet vetëm një herë, nëpërmjet injektimit intravenoz dhe kompania gjithashtu po e teston atë në formë të injektimit në muskul, gjë që do ta bënte më të lehtë përdorimin.

Edhe kompania farmaceutike “Eli Lilly” ka njoftuar më parë se trajtimi me antitrupa ul rrezikun e shtrimit në spital ose vdekjet tek pacientët me simptoma të ngjashme./VOA

SHKARKO APP