Studimi: Pse në ditët e sotme puna 8 orëshe është kthyer në një “gënjeshtër” jo-produktive?!
Dita e tetë orëve të punës filloi ‘jetën e saj’ si një ëndërr socialiste. Gjatë 100 viteve ose më shumë, sindikatat e punës në SHBA nxitën dhe fituan adoptimin e standardit tetë-orësh në industri të ndryshme. Henry Ford e solli idenë më tej në vitin 1926 duke mandatuar një javë pune 40-orëshe në fabrikat e kompanisë së tij. Më 1940, Kongresi caktoi zyrtarisht javën e punës amerikane në 40 orë.
Ka vetëm një problem në vitin 2019: është krejtësisht e pamundur të punosh në të vërtetë për tetë orë në ditë në profesionet që kanë shumë prej nesh tani. Në studim merren parasysh kryesisht punonjës administrate, kompanish apo institucionesh te ndryshme të cilët qëndrojnë në zyra dhe para kompjuterit shumicën e kohës, qofshin stilistë, analist, shkrimtar etj.
Nëse llogarisim kohën që shpenzon një punonjës zyre kur ndodhet para kompjuterit të tij duke bërë diçka, nuk do të arrinim dot kurrë të mblidhnim 40 orë për askënd. Dyzet orë disponueshmëri, e sigurt. Dyzet orë prani në zyrë, me siguri. Dyzet orë të menduarit për punën, me shumë mundësi. Por sasinë e kohës kur jeni duke bërë diçka, duke shkruar diçka, duke krijuar diçka? Ju nuk mund ta bëni atë punë për tetë orë në ditë pa ngecur apo pa u dorëzuar në një moment të caktuar.
Këto veprimtari janë ato që guru i produktivitetit Cal Newport e quan “punë të thellë”. Puna e thellë, e cila kërkon përqendrim të plotë dhe na shtyn në kufijtë tanë intelektual dhe krijues, është jetike për shumë nga profesionet tona dhe gjithashtu lumturinë tonë. Pasi të përfshiheni në punë të thella, ndiheni të kënaqur dhe krenarë. Por është vërtet e vështirë të qëndrosh në atë gjendje të përqendrimit intensiv për më shumë se tre ose katër orë në ditë. Pra, nëse puna e thellë është pjesa më e rëndësishme e punës suaj, por ndërkohë jeni të angazhuar për të punuar tetë orë, në parim jeni të dënuar të shpenzoni katër deri në pesë orë të tjera në punë të tjera ose duke klikuar nëpër internet.
Disa detyra administrative janë plotësisht të nevojshme edhe në punët më kreative dhe të vetë-drejtuara, edhe media sociale është argëtuese për aq kohë sa nuk pushton jetën tuaj. Por ndoshta nuk keni nevojë të kushtoni katër ose pesë orë në ditë për këto aktivitete, apo jo? Atëherë, pse mos të bëni vetëm punën e thellë duke hequr gjërat më të rëndësishme dhe pastaj të vazhdoni ditën tuaj normalisht nëpër aktivitete të tjera?
Pesë orë është dita ideale krijuese e punës. Një orë për tu ingranuar, me kolegët si dhe agjendën ditore, tre orë punë të përqendruar në një projekt ose ndoshta dy, dhe një orë për të pushuar, e planifikuar të nesërmen, dhe siguruar që nuk keni harruar asgjë të rëndësishme e të nevojshme pa përfunduar. Një shembull i kësaj praktike është përshkruar nga New York Times, Newport kohët e fundit mbi një startup në Gjermani i cili funksionon pikërisht nga ora 8 deri në orën 1 të drekës.
Nuk ka asgjë për t’u habitur fakti që është plotësisht e mundur të jesh më produktiv në pesë orë në këto kushte sesa në tetë në një mjedis të rregullt zyre. Ka shumë punë të rëndësishme zyrash sidoqoftë të cilat nuk mund të bëhen mirë në pesë orë si burimet njerëzore, menaxhimi, madje edhe redaktimi, një punë që ka shumë më pak të përbashkëta me shkrimin sesa mund të prisni.
Por për ata prej nesh që kanë punë krijuese, kryesisht solitare dhe që kërkojnë përqendrim individual: Pesë orë janë të mjaftueshme. Ndonjëherë, është më se e mjaftueshme. (Wired)
/ SCAN