Studimi shokues: Bota ka zbuluar vetëm 6% të të infektuarve me koronavirus
Një studim nga shkencëtarët e një universiteti në Gjermani i ka shokuar të gjithë pasi thotë se janë zbuluar vetëm 6% e të infektuarve nga koronavirusi.
Shifra e vërtetë që mendohet të ketë prekur njerëzit në nivel global mund të arrijë në dhjetëra milionë.
Sipas studimit, numri total i të infektuarve është shumë herë më i lartë se sa është raportuar nga autoritetet e shëndetësisë në të gjithë botën.
Christian Bommer dhe Sebastian Vollmer nga Universiteti Göttingen në Gjermani analizuan të dhënat nga një studim i fundit i publikuar në gazetën “The Lancet Infectious Diseases”.
Profesori i Universitetit Sebastian Vollmer tha se këto të dhëna tregojnë se shifrat zyrtare nuk janë përfundimtare dhe nuk po jepet informacion i dobishëm.
Sipas studimit të tyre, në Gjermani janë zbuluar 15.6% e rasteve, në Itali janë zbuluar vetëm 3.5% ndërsa në Spanjë 1.7%, në ShBA 1.6% dhe në Britaninë e Madhe, 1.2%.
Autorët thonë se testimi i papërshtatshëm dhe i vonuar mund të jetë arsyeja pse disa vende evropiane, përfshirë Italinë dhe Spanjën, po përjetojnë shkallë shumë më të larta të viktimave sesa Gjermania.
Deri tani, Spanja ka konfirmuar gjithsej 15,238, Italia ka konfirmuar 17,669 ndërsa Gjermania ka 2,349 të vdekur nga koronavirusi.