Studimi/Fëmijët që rriten në shtëpi me libra do të kenë të ardhura më të larta në jetë

Shumë ekonomistë kanë vlerësuar normën e rritjes së të ardhurave nga arsimi i detyruar dhe rezultatet nuk kanë qenë gjithmonë të kënaqshme. Disa studime kanë dalë në konkluzionin se vitet e arsimit kanë me të vërtetë ndikim në aftësinë tonë për të fituar më shumë para në jetë, por kjo varet shumë edhe nga gjendja ekonomike e familjes ku je rritur. Për shembull, një studim nga Cunha dhe Heckman (2007) në SHBA argumenton se diplomat e shkollës së lartë japin më pak përfitime për fëmiljët e familjeve në vështirësi ekonomike.

Por një studim i ri i (Brunello dhe të tjerë 2016) bazuar në analizat e të dhënave të krijuara nga Vrojtimi Europian i Shëndetit, Plakjes dhe Pensionit (SHARE sipas akronimit në anglisht), zbuloi se në një kampion me 6 mijë europianë të lindur mes viteve 1920 dhe 1956, të cilët kanë jetuar në nëntë vende të ndryshme të Europës kontinentale – Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Itali, Hollandë dhe Suedi, del gjithashtu në një konkluzion të ngjashëm me studimin amerikan: me të vërtetë shkollimi sjell më shumë të ardhura në jetë, por kjo varet shumë edhe nga gjendja ekonomike. Diferenca më e madhe u dallua te sasia e librave që njerëzit e grupimit të vrojtuar kishin në shtëpi.

Një vit shtesë në arsim rrit të ardhurat përgjatë të gjithë jetës me 9 për qind. Por për njerëzit që kanë një sasi të konsiderueshme librash joshkollor në shtëpi, të ardhurat e tyre përgjatë jetës janë 21 për qind më shumë ndërsa për fëmijët që kanë arsim por nuk kanë pasur libra në shtëpi, efekti pozitiv në të ardhura është vetëm 5 për qind.

Gjetja tjetër e studimit qe se efekti qe më i madh për fëmijët e fshatit, të cilët kanë qenë përfituesit kryesorë të reformave në arsim, të cilat, përgjatë dekadave, e kanë rritur numrin e viteve të arsimit të detyrueshëm.

Në analizë është vlerësuar efekti i arsimimit në të ardhurat përgjatë të gjithë jetës dhe jo thjeshtë të ardhurat aktuale, pasi studime të mëparshme kanë zbuluar se krahasimi i të ardhurave aktuale me vitet e arsimit nuk jep rezultate të qarta pasi në të ardhurat aktuale mund të ndikojnë shumë faktorë të përkohshëm, si mosha mesatare e kampionit të studiuar apo gjendja e ekonomisë në kohën kur bëhet studimi. Në total, konkluzioni i përgjithshëm është se një vit arsimi plus, i rrit të ardhurat përgjatë të gjithë jetës për europianët mbi 60 vjeç me 9 për qind.

Por studimi i fundit arrin të dallojë edhe mes atyre që kanë të njëjtin nivel arsimor, por që kanë pasur shumë apo pak libra jashtëshkollorë në shtëpi. Një pjesë e madhe e europianëve që sot janë mbi 60 vjeç, (40%) në fakt rezultojnë se janë rritur në shtëpi që kanë pasur më pak se vetëm një raft me libra. (Një raft me libra është i barabartë me 10 libra). Të ardhurat shtesë të këtyre indivitëve janë vetëm 5 për qind ndërsa të ardhurat shtesë të individëve që kanë pasur më shumë se 10 libra në shtëpinë e tyre të fëmijërisë, janë 21 për qind më shumë se sa pjesa tjetër e popullsisë.

Për shkak se 43 për qind e brezit të studiuar u rrit në zonat rurale, reforma e arsimit të detyrueshëm bazë ka pasur më shumë ndikim mbi këto zona kështu që studimi analizon edhe diferencën mes fëmijëve ruralë dhe urbanë.

Po pse pasja e librave në shtëpi ka kaq shumë ndikim në të ardhurat në jetë nga arsimi?

Ndoshta librat janë të rëndësishëm për shkak se i nxisin fëmijët të lexojnë më shumë dhe se leximi mund të ketë ndikim pozitiv në ecurinë në shkollë. Dhe më shumë, siç na rikujton ne Matilda e Roald Dahl:

“Librat e transportuan atë në botë të reja dhe e prezantuan me njerëz të mrekullueshëm që jetonin plot aventura. […] Mendja e fortë e re e Matildës vijoi të rritet, e ushqyer nga zërat e të gjithë atyre autorëve të cilët kishin dërguar librat e tyre në botë si anije në det”.

Megjithëse të dhënat nuk zbulojnë nëse librat në bibliotekat e shtëpive qenë lexuar me të vërtetë dhe, nëse qenë lexuar, sa shumë qenë lexuar, duket se ka një lidhje mes pranisë së librave në shtëpi dhe masës së leximit nga fëmijët në këto shtëpi.

Nga ana tjetër, librat në shtëpi kanë rëndësi te të ardhurat jo pse janë libra, por se tregojnë edhe kushtet e përgjithshme social-ekonomike të kohës. Nuk është habi që familjet që kishin për sigurues të bukës një profesion me kollare të bardhë, kishin më shumë gjasa të kishin libra në shtëpi, si në zonat rurale ashtu edhe në zonat urbane. Në të njëjtën kohë, rezulton se 45 për qind e fëmijëve të zonave rurale me prindër punëtorë (dhe 58% e fëmijëve të zonave urbane me prindër punëtorë) kishin së paku një rast me libra në shtëpi. Kjo sugjeron se librat tregojnë jo vetëm dallimin në profesionin e prindit, por edhe nivelin kulturor të familjes dhe gjasave që ky nivel kulturor të ketë efekte në zhvillimin e aftësive konjiktive.

Zhvillimet për gjeneratën e Europianëve të lindur para, gjatë dhe pas luftës së Dytë Botërore qenë të shumta. Ne dokumentojmë se fëmijët e zonave rurale me libra kanë përqindje më të lartë lëvizjeje drejt qyteteve se sa fëmijët pa libra. Dhe ata kishin gjithashtu më shumë gjasa që të siguronin një vend pune zyre se sa ata me më pak libra. Ndërsa ata rriteshin në shtëpi rurale me libra, ndoshta nuk e kanë kuptuar se sa përfitime do të kishin nga rritja e viteve të arsimit të detyruar. Por sapo reformat i detyruan ata të qëndrojnë në shkollë deri në një moshë të caktuar, ata i volën frytet e arsimimit të tyre duke lëvizur në zonat urbane që po rriteshin ekonomikisht me shpejtësi.

Në tërësi, studimi vuri re se reformat në arsim të cilat rritën minimumin e viteve të arsimit të detyrueshëm qenë në përfitim të një pjese të fëmijëve por jo të të gjithëve. Në fakt, grupime të caktuara të cilët jetonin në fshat dhe kishin pak libra në shtëpi – arritën nivel më të lartë arsimi për shkak të reformës në arsimin e detyrueshëm por patën fryte më të pakta nga ky arsim. Kjo sugjeron gjithashtu se politikat alternative të arsimit, të cilat duhet të shënjestrojnë uljen e kostos së arsimit – të tilla si kupona shpërblyese për arsimin – mund të kishin qenë më efikase në rritjen e nivelit arsimor.

Megjithatë, ky këndvështrim nuk arrin të shohë gjithashtu se arsimi sjell përfitime si në nivel individual ashtu edhe në nivel shoqëror.

Ndërkohë, nëse shohim se njerëzit sot kanë shumë më tepër libra nëpër shtëpi nga sa kishin gjashtë dekada më parë, pyetja është nëse një konkluzion i tillë mbi përfitueshmërinë e të pasurit të librave në shtëpi do të vijojë të jetë i vlefshëm në të ardhmen.

Kjo është një pyetje e vështirë, përgjigjja e së cilës do të kërkojë kohë që të mësohet. BIRN

SHKARKO APP