Suksesi i Ramës si gënjeshtar patologjik
Nga Alfred Lela –
Kryeministri thotë se nuk ka 15 kushte të Bashkimit Europian për antarësimin, pra se negociatat e Shqipërisë mund të fillojnë pa asnjë pengesë, sepse të këtilla nuk ekzistojnë. Ndërkohë ato jo vetëm janë, por edhe konturojnë gjurmën gjermane në procesin e antarësimit të Shqipërisë, gjë që u provua edhe nga kërkesa e Partive Popullore në Parlamentin Europian për një amendim në rezolutën për Shqipërinë, që pritet të miratohet së shpejti. Një ndryshim i thjeshtë dhe i ftohtë gjermanocentrik: shtimin e 15 kushteve.
Ramën, edhe po ta pyesësh tani, pas faktit se grupi i PPE, më i madhi në Parlamentin Europian, ka kërkuar zyrtarisht që të shtohen këto kushtëzime do të thotë: Jo, nuk ka kushte.
Ajo që po ndodh nuk është një haluçinacion i Kryeministrit, por një futje me qëllim e debatit për negociatat, shtyrjet, po-në, jo-në, ndoshta-t, në një territor të anormales. Që të mund të shndërrohet në normale. Rama e filloi këtë overturë të rrenës para dy vjetësh me një tweet të famshëm ku, edhe pse negociata u shtynë, shpalli se ato ishin hapur. Në një cicërimë melodramatike Kryeministri fliste për anijen që hyri në port e bla bla bla. Paturpësia shkoi deri aty sa u porositën festime për hapjen e negociatave, edhe pse Këshilli i ministrave të BE e kishte refuzuar rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian.
Ajo që e ndihmon Ramën në përplotësimin e kësaj narrative me të vërteta alternative dhe kundërproduktivitete, janë edhe misionet e huaja në Tiranë. Si në rastin e ‘hapjes’ së negociatave atëherë, edhe tani kur Kryeministri ‘refuzon’ kushtet e Unionit, asnjë prej entiteve europiane nuk del me një deklaratë. Në kësi rastesh nuk është vetëm keq/informimi i publikut në hesap, por edhe reputacioni i BE. Përballë kësaj heshtjeje zëri i opozitës dhe një pjese të medias, duken ‘luftë politike si zakonisht’.
Rama ia del kësisoj që gjithë këtë anormalitet ta bëjë të duket normal. Në këtë hulli të hapur ai vazhdon të hedhë farën e fakteve alternative dhe post fakteve, i ndihmuar edhe nga makina propagandistike shtetërore apo nga numri më i shumtë i medias që ka në dispozicion krahasuar me kundërshtarët.
Kryeministri nuk ka patur vetëm heshtjen e të huajve, ndihmën e propagandës dhe varësinë e medias me vete, por edhe një strategji. Ai është kujdesur që, herë pas here, të kërkojë falje apo të tërhiqet për ndonjë gënjeshtër, por edhe e ka hapur hullinë e të gënjyerit në mënyrë të ngadaltë. Psikologët theksojnë se njerëzit janë më të prirur ta pranojnë sjelljen jo etike apo gënjeshtrën, nëse ajo zhvillohet gradualisht krahasuar me shfaqjen e menjëhershme të saj.
Kulmimi i Ramës së ditëve tona si gënjeshtar patologjik duket se nuk shihet me shqetësim nga shumica e njerëzve, sepse ai ka një historik të gjatë manipulimesh, kthesash jo etike, tërheqje, sulmesh të rishta. Pra, ai e ka zhvilluar gradualisht patologjinë e tij që në vitin 1998. Tashë ai duket ‘normal’, si kur thotë të vërtetën, si kur gënjen, si kur përgjërohet se mendon çdo minutë për Shqipërinë, si kur shfaqet hapur fare si moskokëçarës ndaj fateve të vendit dhe njerëzve.
Politiko.al