Sulmet e Ramës ndaj medias, ISP: Devijim nga demokracia

Instituti i Studimeve Politike ka reaguar ndaj mbylljes së disa portaleve online nga qeveria, AMA apo dhe arrestimeve të aktivistëve nga policia, si rezultat lajme të publikuara nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit. Në një reagim të sajin ISP i cilëson si një devijim të demokracisë. “Vendimi i shpallur fillimisht nga zyrtarë të lartë politikë dhe më pas i zbatuar nga Policia e Shtetit dhe instrumente të tjera shtetërore për ndalim, arrestim apo penalizim administrativ të një portali online, të një studenti dhe së fundi edhe të dy aktivistëve të shoqërisë civile, janë shprehje e devijimit nga praktikat demokratike të qeverisjes dhe tregues i mungesës së respektit për parimet kushtetuese që lidhen me të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes”, thuhet në deklaratën e ISP-së.

Në tri rastet kemi të bëjmë me media sociale dhe sipas Institutit, autoritetet kishin zgjidhje alternative, – sqarimi i lajmit, përgënjeshtrimi apo raportimi në serverin e rrjetit social për heqjen e tij, por megjithatë ato zgjodhën reagimin absurd përmes keqpërdorimit të autoritetit shtetëror dhe Policisë së Shtetit.

Instituti komentoi gjithashtu edhe qëndrimet e kryeministrit Edi Rama në raport me median, i cili i kërkoi që të mos hedhin helme dhe të mos jepnin lajme të pavërteta, por të tregonin solidaritet, duke i paralajmëruar me anë të rrjeteve sociale se “Gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore, Japonia ka masa ekstreme për mediat private, që mesa duket edhe në Japoninë e urtësisë së vjetër, paskan qenë taksirat mbi taksiratin e madh të tërmetit! Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata!”

“Sulmet e përsëritura verbale dhe institucionale të kryeministrit ndaj medieve dhe gazetarëve, përpjekja për inkriminimin kolektiv të tyre dhe për denigrim të raportimeve mediatike përbën gjithashtu një zhvillim shqetësues, devijim nga praktikat demokratike dhe kërcënim për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes. ISP vlerëson se Shqipëria nuk ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme sipas nenit 170 dhe 175 të Kushtetutës së Shqipërisë, por është në gjendje të pjesshme të jashtëzakonshme sipas neneve 39- 52 të ligjit 45/2019 për mbrojtjen civile. Nga ana tjetër, situata e ditëve të fundit nxori në pah faktin se shumë premtime, deklarime
e garanci të autoriteteve qendrore e vendore kanë qenë fiktive dhe patën pasoja negative
për qytetarët, shtetin e shoqërinë”, thuhet në deklaratën e ISPS-së.

Sipas Institutit, raste të veçuara të raportimeve të lajmeve të pakonfirmuara nuk përbëjnë devijim nga ky parim e mision i medias dhe se nuk ka prova serioze, siç provoi edhe vendimmarrja e
gjykatës, të jenë bërë për të krijuar panik apo për motive kriminale.

SHKARKO APP