Sundimi ligjit – e vetmja rrugë drejt BE-së!

Nga Majlinda Bregu*

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vendet të cilat presin vendimin e mesit të Tetorit për çeljen e Negociatave si domosdoshmëri për të ruajtur reformat e nisura dhe për të hedhur hapin e radhës në procesin e integrimit europian.  Por për sa kohë anëtarësimi në BE vijon të jetë synimi përfundimtar i të gjashta ekonomive të rajonit, të gjithë presin me ankth vendimin e ketij tetori për të lexuar më qartë ndryshimet që mund të sjellë ky vendim në situatën gjeopolitike në rajon e më gjerë, marrëdhëniet dypaleshe e bashkëpunimin rajonal.  RCC ka një instrument shumë interesant të matjes së opinionit publik dhe biznesit për çdo vit, i cili quhet Ballkan Barometër. Leximi i të dhënave të këtij viti ishte më shumë se pune zyre edhe për ne. Dhe pas analizave e rianalizave përfundimi ynë ishte: qytetarët e lexojnë realitetin mençurisht.

56% e qytetarëve të rajonit mbështesin anëtarësimin në BE. Për herë të pare pas 5 vitesh kjo shifër është më e lartë se 50%. Nuk di të them nëse kjo rritje në mbeshtetje vjen se qytetarët janë të lodhur me realitetin së brendshmi, apo se sa më e vështirë bëhet Europa aq më shumë e duam ne.  Unë jam vetë dëshmitare e kohërave të ndryshme të ec e ja -keve  tona europiane.  Nuk mbaj mend sa shumë raporte, kritere, takime. biseda, ore të tëra me nerv, pa nerv, pasion, zemërim, debat, sulme, premtime, bllokime, gënjeshtra, të verteta, kemi konsumuar këto vite, por pavarësisht se ç’më sjell para syve kujtesa, nuk arrij ende të kapërdij pse sa herë na duket se jemi më afër, ndërtojmë distanca edhe me të mëdha… Është e vërtetë! BE-ja ka qenë shtysa kryesore dhe më e rëndësishme në rajon për promovimin e demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave themelore dhe pakicave.

Por nëse 56% e qytetarëve në BP besojnë se jeta e tyre do të ndryshojë për mirë kur të jenë vend anëtar i BE-së, 75% e tyre janë të pakënaqur për mënyrën sesi zbatohet drejtësia.

59% mendojnë se ligjet nuk zbatohen në mënyrë efektive dhe 70% e qytetarëve mendojnë se nuk zbatohen në mënyrë të barabartë (BB2019).

Si për ta qartësuar edhe më shumë pakënaqësine e tyre, – parlamentet dhe gjykatat janë institucionet publike më pak të besueshme në rajon 74% ose ndryshe partitë politike dhe  institucionet e drejtësise janë sipas 75% të tyre më të korruptuarat.

Arsyeja tjetër se pse ky pikëtakim u vendos në Tiranë, ka të bëjë pikërisht me Reformën në Drejtësi që ka ndërmarrë Shqipëria.

Miratimi i reformës në drejtësi në Shqipëri dhe procesi i vetingut, po aq sa edhe situata e pazakontë e vakuumit t krijuar në institucionet e drejtësisë, ka krijuar një lloj stepjeje tek ekonomitë e tjera të rajonit.  Nuk është proces i lehtë të ndryshosh 1/3 e Kushtetutës sic ndodhi në Shqipëri apo të rivlerësosh/vetosh të gjithë gjyqtarët e prokurorët e sistemit, duke rrezikuar edhe boshatisjen e institucioneve. Sikur diskutimet mes nesh në rajon, mbi modelin radikal të reformës në drejtësi që ka ndërrmarrë Shqipëria të ishin publike, sikur reagimet për procesin e vetingut apo  habia mbi numrin e gjyqtarëve që kanë lënë sistemin gjyqësor në Shqipëri, përmes shkarkimeve dhe dorëheqjeve, të ishin po aq publike, jam e bindur që do ta kishin të gjithë më të lehtë për të kuptuar cdo të thotë : Its all about justice!  

Sot jam edhe më e bindur se 18 muajt e debateve, vështirësive, luftës së nervave me të gjithë aktorët politikë që në media flisnin për një system të ri të drejtësisë të pavarur nga çdo lloj ndikimi politik, dhe nga ana tjetër krijonin pengesa artificiale për ta bllokuar, ia kanë vlejtur pavarësisht kostove personale të gjithkujt që beson se  për të garantuar të drejtën e qytetarëve për një shoqëri demokratike, ku pandëshkueshmëria nuk është normë e shoqërisë dhe ku askush nuk është mbi ligjin, duhet te paguash edhe nje cmim!

Rumania ende sot tronditet politikisht pikërisht prej zbatimit te reformës në drejtësi. Rumania dhe Bullgaria u bënë vende anëtarë në 2007. Pavarësisht reformave me cepa e dërrmuese përfshi dhe ndryshimet në sistemin ligjor, Bullgaria dhe Rumania edhe pas një dekade kanë akoma në fuqi mekanizmin e Bashkëpunimit dhe Verifikimit, përmes të cilit Komisioni Europian monitoron që reformimi i drejtësisë vazhdon edhe pas Anëarësimit.

Kroacia u bë vend anëtar në 2013. Kroacia i shpëtoi deri diku mekanizmit që ka në fuqi Bullgaria e Rumania, pasi reformën në drejtësi iu desh ta bënte para anetarësimit. Pooor në 2000 kur Kroacia ndryshoi për herë të tretë kushtetutën që prej nënshkrimit të MSA, numri i dosjeve pirg në gjykata ishte 1,5 milione. Në 2018 mbërriti në 407 mijë.

Cka po bën Shqiperia sot, për Kroacinë kanë qenë benchmarks për mbylljen e kapitujve 23 & 24. 

Dhe për të mos marrë shembull vetëm anetarësimet e këtij dhjetëvjecari. Vetëm një vit më parë Komisioni Europian coi Poloninë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë për ndryshimet në lidhje me Gjykatën e Lartë të cilat cënonin pavarësinë e këtij institucioni. Ndaj sa herë të behemi keq për vonesën në këtë proces, mbase është mirë t’i themi vetes së për zbatimin e ligjit jo vetëm steka do të ngrihet më lart, por monitorimi do të vije vit pas viti duke u shtuar.

Po I kthehem edhe njëherë Ballkan Barometrit.

Nuk është rastësi, që përveç drejtësisë institucioni tjetër me i pabesueshëm në të njëjtat shifra është Parlamenti. Dhe s’ka si të jetë rastësi që edhe Bundestagu cakton një binom kushtesh si parakushte për celjen e negociatave: reformën zgjedhore dhe kushtet që lidhen me reformën në drejtësi.

Keto jane problemet sistematike që kanë vendet tona. Nëse zbatimi i ligjit pengohet nga ata që kanë pushtet politik dhe që kanë mundësi ta gozhdojnë dominancen e tyre përmes procesit të votimit, atëherë ja pse reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi janë një kusht i vetem ose  një Binom. Mungesa e një reforme elektorale, pengon konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Kush bllokon reformën zgjedhore pengon zbatimin e ligjit, forcimi i të cilit i heq kudo pushtetit mundesinë për të abuzuar me votën.

“Ide dhe koncepte të panjohura u aplikuan  në një vend me tradita të ndryshme ligjore dhe politike”. Kështu Alexis de Tocqueville përmblidhte hapat e parë të demokracisë në Amerikë. Kjo është ajo që ndodh me reformën në drejtësi dhe procesin e anëtarësimit në BE.

Çështja është kush na jep garanci që kjo reforme do të sjellë ndryshimin  që duam dhe sa do të jetë e qendrueshme?

Unë nuk di sa kohë do të marrë vendosja e një sistemi efektiv e të paanshëm drejtësie dhe kthimi në hallka të besueshmërisë, për me teper qe koha iken e na lë të gjithëve shpesh në një  paqartësi solemne. E shkuara është ende pjesë e të tashmes, e tashmja duket e zymtë e ardhmja është under construction. (në ndërtim e sipër) Por di se rrugë tjetër për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët europiane të rajonit, perveç asaj te sundimit te ligjit,-  Nuk ka.

*Fjalimi i Sekretares së Përgjithshme të RCC, mbajtur sot në Tiranë në konferencën me të gjithë ministrat e Drejtësisë të vendeve të rajonit.

SHKARKO APP