Supervirusi i laboratorit/ Eksperimenti që vazhdon të trondisë


Bota nuk e ka përjetuar një situatë të tillë prej një shekulli. Në kohën kur një virus vdekjeprurës po bën kërdinë, teoritë konspirative janë të shumta.

Një ditë më parë u raportua se britanikët i kanë vënë zjarrin stacioneve të rrjetit 5G, pasi mendojnë se ato po përhapin koronavirusin.

Në Francë mendojnë se koronavirusi është një prodhim laboratorik që ka për qëllim të vrasë të moshuarit për të zgjidhur problemin e pensioneve.

Në SHBA vazhdojnë të jenë të habitur nga forma e koronavirusit, i cili jo vetëm përhapet me shpejtësi, por edhe sepse e ka bërë kalimin nga kafshët te njeriu me një lehtësi të pabesueshme.

Kurse në Itali vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jenë të tronditur me një dokumentar të vitit 2015. Sado shkrime që të bëhen, sërish të dhënat janë kaq të frikshme.

“Shkencëtarët kinezë krijojnë një supervirus pulmonar nga minjtë dhe lakuriqët e natës. Do të shërbejë vetëm për motive studimore, megjithatë ka shumë protesta”.

Ky është titulli i një dokumentari të Tg Leonardo, transmetuar nga Rai italian në vitin 2015.

Ai i referohet një eksperimenti të kryer në bashkëpunim mes Akademisë së Shkencave të Kinës dhe Universitetit të Karolinës së Veriut, me pjesëmarrjen e Universitetit të Wuhanit.

Në qytetin që është qendra aktuale e pandemisë ekziston në fakt një laborator i sigurisë maksimale. Dhe kuptohet lehtë se njerëzit kanë nisur të kenë dyshime dhe të hedhin teori konspirative pasi ky dokumentar është rishfaqur në median sociale.

Gazeta ‘Repubblica’ shkruan se teza se virusi i ri ka qenë një prodhim laboratik qarkullon që nga shkurti dhe është hedhur poshtë një javë më parë nga një studim i ‘Nature Medicine’, që tregon se virusi aktual ka origjinë natyrale dhe jo artificiale.

Nuk ka mjaftuar.

Videoja e Tg Leonardo është përhapur me shpejtësi nëpër telefonat e italianëve.

“Një virus natyral, dhe një tjetër i krijuar në laborator, dallohen shumë qartë”, thotë Fauso Baldanti, virolog i Universitetit të Pavias në Itali.

“Eksperimenti i vitit 2015 ka ndodhur në sytë e të gjithëve. Gjenomi i atij mikroorganizmi është publikuar. Ai nuk është i ngjashëm me koronavirusin aktual”.

Edhe revista ‘Nature’ ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve, duke thënë se nuk ekziston asnjë provë që koronavirusi i ri mund të jetë laboratorik.

Atëherë përse u krye një eksperiment i tillë?

“Për të mposhtur armikun tënd, duhet ta njohësh më parë,” thotë Baldanti.

Ai shpjegon se në Holandë, një grup shkencëtarësh e ka marrë virusin e Gripit Spanjoll nga disa kufoma të ngrira për të kuptuar se përse ishte kaq vrastar një shekull më parë. Edhe atëherë pati shumë debat se kush duhej të ectë përpara: dija apo siguria. Megjithatë u vendos të ecej përpara me studimin e virusit, duke e ditur se kushtet e sigurisë në laborator janë shumë të larta.

Emisioni i RAI 3, viti 2015:

SHKARKO APP