Surprizë e veçantë për kirurgun e njohur të Pukës

Një urim të veçantë për 65 vjetorin e lindjes ka marrë sot kirurgu i njohur i qytetit verior të Pukës, Dodë Boçi. Kryetari i bashkisë së Pukës, Gjon Gonaj, e telefonoi herët në mëngjes mjekun Boci duke i thënë se po e priste pranë sallës së operacionit me një të afërmin e tij, pasi kishte nevojë për një ndërhyrje.

Kur mjeku mbërriti në sallën e operacionit u befasua nga surpriza e përgatitur nga stafi mjekësor dhe kryetari Gjonaj , të cilët i uruan ditëlindjen. I emocionuar, kirurgu i vetëm në spitalin e Pukës fiku qirinjtë në tortën e 65 vjetorit të tij. Boçi falënderoi kryetarin e bashkisë dhe bashkëpuntorët e tij, ndërsa në mesin e tyre ishte dhe një prej qindra pacientëve që ai i ka shpëtuar jetën.

Kreu i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj falënderoi kirurgun në emrin e të gjithë komunitetit pukjanë teksa e ftoi të kontribuonte sërish për pukjanët. Gëzim Laçi, ish pacient i Dr.Dodë Bocit e falënderoi atë për çfarë kishte bërë për të pas plagosjes që kishte pësuar vite më parë. “Të detyrohem vetë jetën”, u shpreh ai.

Kirurgu Boçi e konsideroi ditën e sotme një nga më veçantat e jetës së tij. ”Do të jetë një kujtim i pashlyer për mua. Ju falënderoj juve kryetar i bashkisë gjithë personelin. Nuk mund të jem ky që jam nëse nuk do kisha ju si staf”, tha doktor Boçi. /ATSH/

SHKARKO APP