“Suudeutsche Zeitung” per Ismail Kadare: Një variant i historisë së Orfeut dhe Euridikës në vitet e fundit të diktatorit Enver Hoxha

Thomas STEINFELD

Nje recension i botuar ne gazeten gjermane “Suudeutsche Zeitung”

Për dashurinë nuk flet ky rrëfim, në të cilin Orfeu shkon në botën e nëndheshme për ta kthyer Euridikën në jetë. Për më tepër rrëfimi ka të bëjë me vdekjen. Dashuria mes bashkëshortëve vetëm ndihmon në krijimin e rastit, në bazë të së cilit gjurmohet sa fundore është jeta dhe sa e pakthyeshme vërtet është vdekja.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duket se grekët vështirë e durojnë këtë mendim, aq torturues është për ta, saqë çdonjërin prej heronjve të mëdhenj e dërgojnë në perandorinë e hijeve: Teseun, Herkulin dhe Odisenë. Këta tre heronj janë njerëz të gjallë. Ata vetëm i bëjnë një vizitë Hadit. Për dallim nga këta Euridika ka vdekur. Ajo duhet të sillet nga bota e nëndheshme. Kur Orfeu dështon në këtë detyrë, me fajin e tij, ai mbetet vetëm mbi tokë, rri mbi një gur dhe këndon këngë të pikëlluara, andaj shumë shpejt i ngjan një të vdekuri mes të gjallëve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Që romani «E penguara» (në gjermanisht: «E internuara») i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, i botuar në origjinal më 2009, duhet të jetë një variant i historisë së Orfeut dhe Euridikës në vitet e fundit të diktatorit Enver Hoxha, lexuesi i vëmendshëm e vëren me gjasë tek në fund të kësaj vepre. Që ky roman rrëfen ecjen nëpër një lloj bote të nëndheshme, kjo është e qartë nga fillimi. Personazhi kryesor, një dramaturg i suksesshëm me emrin Rudian Stefa, ftohet të shkojë për bisedë në selinë e Komitetit të Partisë. Arsyen nuk e di, por ai i frikësohet më të keqes. Ndoshta ka shkelur rregullat për prodhimin e pjesëve teatrale në realizimin socialist, sepse në aktin e dytë të veprës së tij më të re përshkruan shfaqjen e një shpirti. Ndoshta e ka denoncuar e dashura, pasi gjatë fjalosjeje ia kishte përplasur kokën kundër një vitrine me libra. Ai është aq i shqetësuar, saqë flet dhe flet, ndërsa shokët që e marrin në pyetje gjithnjë e më shumë heshtin.

Rudian Stefa nuk është njeri i këndshëm dhe ndoshta është njeri i keq, nga ana tjetër ai është shkrimtar arrogant. Plotësisht egoist ai duket se pjesën më të madhe të ditëve të tij e kalon duke menduar se çka mendojnë për të njerëzit (dhe para së gjithash hetuesit e shtetit komunist), si reagojnë ndaj tij, si duhet të sillet ai ndaj tyre, nëse ky apo ai dyshim rezulton i saktë – pastaj ai vjen në këtë përfundim: «Jetojmë në botë të ndryshme».

Pak gjëra në këtë libër duken për të gjithë pjesëmarrësit reale dhe të çliruara nga detyrimi për interpretim: kafeja vietnameze në hotelin Dajti, bashkë me agjentët dhe çimkat, tabelat e lajmërimit të shfaqjeve para teatrit, ku nuk gjenden më afishet për pjesët teatrale të Rudian Stefës, librat që bien nga vitrina, kundër së cilës ai kishte përplasur kokën e të dashurës. Ajo quhet «Migena» (anagram i «Enigma»). Ajo vjen e shkon, e shtyrë nga interesat e paqarta, por disi shoqërore, dhe e vë në lëvizje historinë duke kërkuar t’i shkruhet një përkushtim në një libër për një mike me emrin «Linda B.»

Rudian Stefa është një shtegtar në botën e nëndheshme dhe ashtu siç ecën si skemë nëpër libër, konturat e të cilit mbahen bashkë nga një materializëm i mjerë, modest, por para së gjithash nga logjika e dyshimit, ashtu duket se është gjendja edhe e vendit, edhe e udhëheqësit të tij, Enver Hoxhës.

Ai shfaqet në fund të këtij romani të vogël, si burrë i sëmurë, i cili sytë e tij të ujshëm ia ka hedhur nuses së njërit prej funksionarëve të tij. Duket se bota e nëndheshme e ka përvetësuar gjithë realitetin. Ai vazhdon të ekzistojë edhe pasi udhëheqësi ka vdekur qëmoti dhe statuja e tij në sheshin Skënderbeu në Tiranë është rrëzuar: «Tani koka e statujës gjendej nën dritaren e tij. Në kafkë ishte një e çarë, pastaj një zbrazëti e madhe dhe e errët. Zhduku, imazh i poshtër, mërmëriti ai vet më vete. Klithma e masës jehoi. Në syrin e djathtë të statujës, e errët, vigane dhe e panatyrshme, dukej se qëndronin lot».

Ky dramaturg është një Orfe, tërë vendi një Had dhe sidomos minierat e bakrit, në të cilat mendohet se zhvillohet pjesa më e re teatrale e Rudian Stefës, por të cilat janë vetëm një metaforë e fatkeqësisë për fuqinë krijuese në zbehje e sipër (ose kurrë ekzistuese) të shkrimtarit. Mirëpo, nëse Orfeu i mitologjisë greke shikon vetëm njëherë gruan e tij që ecën pas tij dhe kështu përfundimisht e shpie në botën e nëndheshme, ky Orfe është një figurë, e cila pa pushuar shikon rreth vetes, në të gjitha anët, dhe për këtë arsye gjithçka dhe çdo gjë e shndërron në hije.

Fundi i shtetit komunist nuk i sqaron këto rrethana, përkundrazi. Në të vërtetë duket se është e qartë se kush është «Linda B.»: e internuara, e cila i jep edhe titullin romanit në gjuhën gjermane, një prej mijëra njerëzve të padëshiruar, të cilët regjimi i deportonte në zona të largëta, shpesh bashkë me familjet. Por, edhe e internuara është vetëm një skemë, një kujtesë e ngjallur nga kureshtja e shkrimtarit, për besueshmërinë e së cilës nuk ka garanci, ndonëse kujtesa, me këmbëngulje, insiston në vërtetësinë e saj.

Ky është një roman i vogël, i hidhur. Por, ka peshë të rëndë mentale edhe për shkak se qëndron larg nga idealizmat e ballafaqimit me të kaluarën. Nuk ka kujtim pa interes, këtë na e mëson kjo vepër, dhe nuk ka moral pa siguri të rrejshme. «Mbylle gojën, kufomë» – kështu i thërrasin shpirtit, të cilin e Rudian Stafa e prezanton në dramën e tij të mjerë dhe në kundërshtim me rregullat e teatrit socialist. Kjo fjali mund të qëndronte si moto mbi këtë libër. Sepse natyrisht që kufomat flasin, përkundër mitit antik mbi shpirtrat e heshtur. Ata madje flasin edhe brenda njeriut. Dhe a nuk do t’i dëgjosh nga arsyeja elementare se do të dish se si jetohet me vdekjen?

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?