Ta “luftojmë” me shembuj realë depresionin e fshehur pas rrjeteve sociale

Nga Elis Kuçi
Shqipëria sipas statistikave zyrtare, ka shënuar rritje të përdorimit të rrjeteve sociale, në mënyrë jo efektive. Tendenca për të qenë “cool” ka krijuar një ngërç psikologjik, për naviguesit e rrjeteve sociale, sidomos tek të rinjtë, duke vendosur si prioritet “kënaqësinë” që marrin nga jeta virtuale. Shoqëria jonë ka nevojë të njohë realisht mjedisin social-kulturor, jo ta imagjinojë përmes disa ‘selfie’-ve të kuruara bukur, që ngjajnë me një tregim të zbukuruar, shumë larg realitetit. Për të keqen tonë, mania për të publikuar në rrjetet sociale foto nga “realiteti” i përditshëm po kthehet në një mënyrë jetese jo vetëm për të rinjtë. Do ta ilustroj me disa shembuj domethënës argumentin tim, (pa paragjykuar, pasi unë nuk kam dhe nuk kam pasur ndonjëherë llogari në ‘Facebook’, ‘Instagram’ etj.) pse po dëmtohemi nga keqpërdorimi i rrjeteve sociale.

Rrjetet sociale VS jeta reale

Po të vëzhgosh faqet në “Facebook”, “Instagram”, etj., kupton që frekuentuesit më të mëdhenj të tyre bëjnë një jetë të gënjeshtërt, pasi në fotot e publikuara do të shohësh djem edhe vajza të lumtur, shpenzues parash, pushues në vende ekzotike etj. Por pse, përdoruesit shqiptarë të rrjeteve sociale qenkan më të lumturit në botë? Sigurisht që jo. Tek albumi i këtyre fotove nuk gjen asnjë foto duke debatuar me prindërit që t’u japin më shumë të holla, nuk gjen asnjë foto, duke u stresuar çfarë do vesh, apo kujt t’i them për disa veshje borxh. Sa përdorues rrjetesh sociale ka që kanë parë një mikun e tyre që poston një foto ku është në momente të këqija? Sa foto vajzash shohin bashkëmoshatarët, ku kanë dalë në momente të shëmtuara…?! Ka rrallë, për të mos thënë asnjë. Pse vallë, nuk ndodh të kesh momente të trazuara gjatë jetës? Sigurisht që po, por s’duhet publikuar se ngjan njeri pa vlera te disa miq që i ke vetëm në rrjetet sociale, me të cilët nuk shkëmben asnjë përshëndetje kur përballesh nëpër rrugët e Tiranës. Ka adoleshentë që kanë miq në rrjete sociale, por që nuk i kanë njohur kurrë në jetën e tyre reale, megjithatë shkëmbejnë mesazhe të shumta virtuale. Ka statistika se shumë vajza janë larguar apo kanë rënë pre e dhunimeve seksuale me djem që i kanë njohur vetëm në “Facebook”. Sa adoleshentë kanë tentuar t’i japin fund jetës për dashuritë virtuale? Sa grindje që kanë degjeneruar në sherre masive mes të rinjve, të cilët kanë shkëmbyer mesazhe në rrjete sociale? Rrjetet sociale mbyllen direkt sapo prishet një lidhje dashurore, për të fshehur nga jeta virtuale të gjithë dhimbjen apo gjendjen e keqe emocionale, që shkaktojnë probleme të kësaj natyre. Ky konstatim minimalisht tregon si përdoruesit e këtyre faqeve gjatë kohës që kanë qenë aktiv kanë postuar vetëm realitetet e bukura të jetës së tyre.

Marrëdhënia me të vërtetën

Një tjetër konstatim i dhimbshëm, por i vërtetë; të rinjtë shkojnë një ditë në spa, pishina, apo aktivitete sportive, etj., dhe në vend që ta harxhojnë kohën duke shijuar qetësinë që të falin ambiente të tilla, marrin me vete veshje të ndryshme, bëjnë shumë foto në cepa të ndryshme të mjedisit ku po kalojnë kohën dhe i postojnë në ditë të ndryshme. Këtu lind paradoksi, të rinjtë i harxhojnë ditët në vijim duke luajtur me fotot, japin perceptimin sikur ndodhen në vende të ndryshme, ndërkohë që rrinë në shtëpi, duke pritur komente dhe ‘like’ nga bashkëmoshatarët. Ndërkohë që presin pëlqime për postimet, të rinjtë shohin moshatarët e tyre që hedhin foto të bukura në vende të “ndryshme” çdo ditë. Këtu lind ndjesia depresive. Si? Harrojnë që edhe postuesi tjetër ka publikuar në rrjetet sociale një moment të gëzuar, ndoshta i vetmi për atë javë, por që mjafton për të mërzitur atë që rri në shtëpi. Jetojmë në një kohë kur për fatin tonë të keq rinia nuk ka shembuj si mund të arrish suksesin, pa qenë nevoja të kesh shumë miq në rrjete sociale.

Marrëdhënie e gënjeshtër prindër-fëmijë

E njëjta ndjesi ndodh edhe me ata që i kanë kaluar të pesëdhjetat me fëmijë adoleshentë, (këtë moshë rrjete sociale japin ndihmesë, pasi gjejnë shokët dhe shoqet e rinisë) kur shohin shembuj se si shokët e tyre të gjimnazit, fakultetit, punës apo lagjes janë “rregulluar” në karrierë, duke i bërë të ndihen inferiorë në sytë e familjarëve. Por vijmë tek miti i rremë që krijojnë rëndomtë rrjetet sociale, në një vend shumë të bukur (Shqipëria ka shumë të tilla), një fundjavë, konstatova (jo se nuk e dija që ndodh kështu) se shumë familje me fëmijë adoleshent, që mbërrinin në destinacion nga një rrugë sfilitëse, porosisnin një kafe shoqëruar me një shishe ujë (pasi çmimet janë të kripura për xhepin e tyre), bënin shëtitje për të gjurmuar peizazhe, shkrepnin disa foto, edhe iknin, pa shijuar thuajse asgjë nga qetësia që të fal natyra. Thënë shkoqur, vinin vetëm për të bërë foto e për ta postuar në rrjetet sociale me diçitura të tipit “disa orë qetësi në natyrë”. E vërteta ishte krejt tjetër. Disa orë në trafik, disa minuta pritje të urbanit të radhës, durimi i vapës dhe djersës së pasagjerëve, e konvertuar në realitet pasdite stresi. Pa dashje ky realitet fals krijon grindje diku tjetër. Ja edhe fëmijët e filanit konsumojnë kohë me prindërit e tyre. Apo në ndonjë rast tjetër, kur dikush boton foto nga biblioteka e shtëpisë, edhe pse nuk ka lexuar asnjë libër në jetën e tij. Vijmë tek afrimiteti fisnor, një traditë e hershme e popullit tonë, që po shkelmohet nga rrjetet sociale, duke na shndërruar në nordikë (për sa i përket ftohtësisë ndaj njëri-tjetrit). Çdo gëzim apo hidhërim para fare pak vitesh ndahej me rrethin familjar, sot xhaxhai, halla, daja, tezja dhe fëmijët e tyre (përveç atyre që ke shumë afrimitet) urohen për ditëlindje me një mesazh apo ‘like’ në “Facebook”. Publikimi i një jete imagjinare ngjan me lavazhin e trurit që bëjnë makineritë e propagandës në vendet diktatoriale, prandaj lipset sensibilizimi i shoqërisë, i miksuar me edukimin në familje mbi ndikimin negativ që mbart keqpërdorimi i rrjeteve sociale, do t’i jepnin disa doza realiteti jetës virtuale.

Marrë nga Gazeta Shqiptare

SHKARKO APP