Tarifat e internetit – Shqipëria, vendi i dytë më i lirë në rajon

Shqipëria renditet e dyta në rajon për tarifat më të lira të internetit me brez të gjerë. Sipas një studimi nga kompania e specializuar point topic, Shqipëria është e dyta pas Serbisë dhe renditet në vendin e 39-të nga rreth 80 vende të marra në analizë nga kjo kompani. Metodologjia e krahasimit mbështetet në metodën e llogaritjes së tarifave të internetit broadband sipas parimit të paritetit të fuqisë blerëse, për të amortizuar diferencat që rrjedhin nga zhvillimi i ndryshëm ekonomik i vendeve.

Analiza ka marrë në konsideratë tarifën për një lidhje internet bazë dhe tarifën mesatare të shërbimit në secilin vend. Renditja përfundimtare është bërë duke nxjerrë mesataren mes këtyre dy tarifave. Në rastin e Shqipërisë, tarifat për lidhjen bazë të internetit janë mjaft të ulëta, dhe na rendisin të dytët në botë.

Por, duke llogaritur edhe tarifën mesatare të shërbimit, Shqipëria rezulton në vendin e 44-të në Botë dhe renditja e saj përkeqësohet ndjeshëm. Sipas kësaj teknike matjeje, vendi më i lirë në rajonin tonë rezulton Serbia, ndërsa më i shtrenjti Maqedonia. Mes 80 vendeve të marra në analizë, tarifat më të lira i kanë Venezuela, Rusia dhe Ukraina.

Sipas statistikave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në mars të këtij viti Shqipëria kishte rreth 314 mijë abonentë të internetit broadband me linja fikse, ndërsa përmes rrjeteve celulare numri i përdoruesve raportohet në afërsisht 1.9 milionë.

SHKARKO APP