Të bësh art është e vështirë, por jo e pamundur

Mendime rreth librit “Tregime”, me tregime dhe novela, të autorit Bardhok Pulaj

Nga Ndrue Dragusha

Jeta jonë emocionale përfaqësohet në ëndrrat tona, të cilat kristalizohen në forma të ndryshme të vetëdijes njerëzore, duke bërë të mundur që të transmetohen nga një brez tek tjetri në formë libri artistik, historik, kujtimesh etj., që mbartin dhe japin ndjesi të veçanta, sipas vlerës së tyre.

Mundësia e bërjes art nuk qëndron thjeshtë tek personi, por dhe tek pasioni, mënyra e të perceptuarit, forca e brendshme e ndjesive, logjicioni artistik, i shfaqur në mënyrën e zgjidhjes së dramave, të trajtimit dhe realizimit të një vepre artistike, gjuha e përdorur dhe figuracioni artistik etj.

Duke shfletuar librin “Tregime” të autorit Bardhok Pulaj, ndjen gjithë afshin e kohës, që të derdhet artistikisht si një puhizë e ngrohtë e një kohe të veçantë, që të gjithë e përjetuam dhe akoma e ndjemë. Kjo bën që të mos mund të qëndrosh indiferent ndaj secilit tregim apo novelë, të cilët vijnë të përshkallëzuar jo vetëm artistikisht, por edhe stilistikisht në renditje në këtë vëllim.

Autori i këtyre tregimeve ka interferuar tek personazhi përmes vënies përballë tyre, duke u përpjekur që t’i kuptojë ata realisht, të shquajë se çfarë ndodh vërtetë brenda tyre dhe brenda realitetit kohor në të cilin janë vendosur ngjarjet e secilit tregim apo novelë. Pasi i ka nxjerrë disa karakteristika të tyre gjatë këtij vëzhgimi, ka përcaktuar veçantitë në kuadrin e përgjithshëm të planit të tregimit, sipas situatave që ka vëzhguar, duke arritur të reflektojë dhe rindërtojë një tablo të plotë të tregimit, duke ruajtur mjaft mirë raportet personazh – ambient dhe kulturën që përfaqëson secili prej personazheve.

Mënyra e të treguarit është e thjeshtë, me një gjuhë të pasur, konkrete, situata realiste, si në një pikturë që e fut në kornizën e kameras pjesën që do të filmosh.

Përshkallëzimi i renditjes së tregimeve është shumë interesante: në fillim të librit janë vendosur tregimet shumë të shkurtëra, siç duket me mendimin që lexuesi të ketë mundësinë që të mos lodhet duke e lexuar, në se nuk do t’i pëlqejnë. Në se do i pëlqejnë ato, ai mund të vazhdojë tek tregimet e tjera, që janë më të gjata në vijimësi dhe shumë të bukura, të ngarkuara me dramacitet dhe emocion.

Autori “luan” fillimisht me ambientin, të cilin e “pikturon” dhe e sjell si realitet për lexuesin, “luan” me pjesët e veçanta të tij dhe të personazhit, derisa i ngërthen në subjekt në mënyrë të “puthitur” mrekullisht bukur si një e tërë.

Për ta kuptuar më mirë se si autori ndërhyn në rrugëtimin e rritjes, duhet ta përqëndrojmë vëmendjen tek cilësia e përshkrimit, forca e argumentit, që vjen natyrshëm gjatë gjithë procesit të ndërtimit të tregimit. Çdo lexues e vëren se mes autorit dhe personazheve ka një “marrëdhënie besimi”, e cila shfaqet në çdo ndërtim të personazhit me një siguri mjeshtërore të njohjes së tipologjisë dhe të kulturës së zonës nga vjen personazhi. Po kështu, gjithnjë në shtjellim të ideve, ka një simbolikë shumë racionale, ku e bukura dhe e shëmtuar japin një kumt, kumt të lidhur me kohën në një krahasueshmëri shumë fine dhe emocionale, që e bën lexuesin të deduktojë dhe të nxjerrë vetë konkluzionet e duhura.

Autori është treguar shumë i kujdesshëm që personazhet e këtij libri, në secilin prej tregimeve dhe novelave të jenë bartës të psikologjisë së secilës periudhë dhe këtë ta shprehë përmes fjalës dhe veprimit konkret, pa ngarkesa politike, por si një realitet. Jeta e personazheve kalon gjithnjë në një lëvizje jetësore shumë interesante, ngarkuar me psikologjinë reale të ambientit dhe veprimet e tyre kondicionohen pikërisht në logjikën e kësaj psikologjie, duke e bërë lexuesin të arsyetojë jo vetëm mbi personazhin, por dhe mbi kohën kur ky personazh ka jetuar, të cilën na e sjell gjithnjë në veprimet dhe mendimet e tija.

Gjithçka në tregimet e këtij autori është funksionale, çdo detaj qartëson, në çdo “qelizë” të tregimit, idetë dhe motivet esenciale që transmetohen dhe që ruajnë një linearitet shumë të pastër mes reales dhe aludimit.

Mosha e personazheve dhe kushtet e marrëdhënies me realitetin kanë një ndikim të madh mbi mënyrat me të cilat shfaqet koha, e cila, ndonëse e shkuar, krijon emocione të fuqishme të dhimbjes dhe të heroizmit. “Skllevërit” e kohës sonë rreshtoheshin para kazanit të “lëngut të bardhë”, që quhej qumësht, para se të hynin në galeritë e errta të minierës. (Tregimi “Qumështi”). Është ky qumësht antidoti kryesor që do t’u pastrojë pluhurat e mushkërive atyre mjeranëve të nëntokës. E ruajnë qumështin për t’ua çuar fëmijëve në shtëpi. Paradoks! Tregimi mbart emocion dhe dhimbje të madhe, por dhe një qëndresë dhe heroizëm klasik, që lidhet me forcën që ka karakteri i këtyre malësorëve për të përballuar të papërballueshmen.

Brenda personazheve gjendën gjithmonë dimensionet e ndryshme që përfaqësojnë personazhet me përvojën e tyre të heshtur, por si të kodifikuar në ndërgjegjen e tyre. Dhe kjo karakteristikë shfaqet qartë në të 19 tregimet dhe 4 novelat që përmbledh ky libër, duke filluar që nga tregimi “Kolla”, ku shfaqet në mënyrë metonimike kolla dhe nata e zezë e përcjellë me një metaforë shumë të qartë si një krahasim i nënkuptuar, ku nata dhe kolla janë sinonime të kohës së zezë që jetonin këta njerëz krenar e ku krenaria e tyre përballej gjithë kohën me një “Nënsupë” (nga tregimi me të njëjtin titull “Nënsupa”) vulgare, që shterronte energjitë e atyre burrave që kishin bërë histori. “Më pas do të futeshin një mijë metra nën tokë. Atje kolla e tyre nuk do të dëgjohet më. Do të merrnin racionin ditor të pluhurit të nëntokës për të forcuar kollën dhe ngrënë mushkërinë.” (Tregimi “Kolla”).

Janë këta rrjeshta që sfidojnë në mënyrën më të suksesshme të gjithë propogandën e kohës kur ka ndodhur kjo ngjarje dhe tejkalojnë të gjithë ata që duan të bëjnë “histori individuale” përmes një dhimbje kolektive.

Një realizëm “pikturë” e një kohe jo shumë të largët. Kollën e atyre njerëzve e “dëgjojmë” edhe sot, që tëharret egër mbi malet e bjeshkët tona, ku minierat po i hanë minatorët e tyre të rinj bashkë me mineralin, duke u lënë në ajër vetëm një “duhmë” jo të këndëshme të moskujdesjes dhe të korrupsionit.

“Nënsupa” është tregimi tjetër i radhës, që sjell personazhin tip Uk Urzalli, i cili vjen ngarkuar me gjithë kohën e tij, ku buka dhe supa ishin “ingranazhet” e jetës. Uka, pasi del nga miniera i këputur dhe plot pluhur … “Mori dhjetëlekëshen e bukës dhe pjatën e mbuluar në fund me supë dhe u ul ashtu i dërmuar në fundin e mensës. Hëngri me nxitim bukën, duke e njomur në atë lëng supe…”.

 Ata burra të urtë e krenar gjatë të gjitha kohrave, janë të detyruar nga koha që të ulin kokën në heshtje për të përballuar përçmimin që i sillte ajo përulje “nënsupe”.

Trajtimi artistik në një mënyrë shumë të koncentruar, duke përfshirë dhe ligjet kanunore brenda një mjedisi ku kishte mbështetjen dhe bazën reale të funksionimit të tij, është një arritje shumë e vlershme e një pune shumë të kujdesshme të autorit. Dimensionet që përfshijnë tregimet “Disidencë1”, “Disidencë2”, “Gjyshja”, “Ritual”, “Jeta”, “Pranimi”, “Nusja”, “Dorëzimi”, “Pëllumbi”, “Cjapi”, “Kumbulla”, “Arratisja”, “Miku”, “Gjarpëri i vjetër”, “E bukura, i bukuri”, “Për faj të moshës”, janë jo vetëm vlera artistike, por dhe ideore e në fund të fundit dhe shkencore e historike, sepse janë shumë gjëra të cilat kanë mbetur jashtë vëmendjes së studiuesve, gjuhëtarëve dhe historianëve, për të cilat ka nevojë që të njihen.

Nga kjo pikëpamje, mendoj që performanca e një misioni nuk arrihet vetëm nga politikanët, por dhe nga artistët, shkrimtarët, gazetarët, njerëzit që nuk i lënë të vdesin vlerat, siç janë dhe këta tregime të këtij libri.

Po kështu, novelat “Deti i trazuar”, “Pengu i Kohës”, “Nata e parë”, “Toka e falur”, janë pjesë integrale dhe mbajnë një peshë të madhe në libër, pasi problematikat që trajtohen në këto novela janë një shkallare që do ta çojnë autorin drejt lindjes së një gjinie tjetër më të gjërë, sepse aftësia për të konfiguruar personazhet, për të përdorur ngjarjet me mjeshtri artistike, për të dhënë një dialog emocionues dhe logjik, për të bërë të vlefshëm shembujt dhe për të ruajtur raportet mes linjave kryesore të novelës, rrjedhimisht çojnë në aftësimin e autorit për gjini më të mëdha artistike.

Po t’i lexosh me vëmendje tregimet dhe novelat e këtij libri, do të ndjesh një kënaqësi artistike, stilistike, një shtendosje dhe një distancim nga lodhja, ankthi etj. dhe do të provojmë një tjetër shije lidhur me jetën, përfituar kjo dhe nga eksperiencat e personazheve të tregimeve dhe novelave kaq realiste, kaq të këndshme dhe kaq intriguese.

Personazhet dhe realitetet që lidhen me ta, mbartin mbi vete përgjegjësi individuale dhe sociale, në respekt dhe të marrëdhënieve që janë krijuar në shekuj dhe janë kodifikuar në kanun, si një dije e zbatuar në mënyrë të ndërgjegjshme dhe si detyrim social e ndërgjegjësor, si një “shkencë” e aplikuar në teoritë e organizimit social të kohës, duke pasur parasysh se ishte ndërgjegja ajo që e udhëhiqte individin në sjelljen dhe veprimet e kryera, siç ndodh tek novela “Nata e parë”.

Lufta e brendshme e Gjergj Trangës në natën e parë të martesës nuk është vetëm një çështje e tija personale, por ajo ka thellë – thellë paaftësinë e tij për të reaguar si rezultat i kodit të maleve për nderin, i cili bëhet pengesë dhe ai vihet në vështirësi reale për t’u përballur me gjithë atë akumulim shekujsh me radhë.

Gjergji vihet në provë dhe me veten, qëndrueshmërinë e tij, përballjen, vetësigurinë për atë që do të bënte dhe një analizë e tillë e thelluar e kësaj situate të caktuar, ku duhej marrë vendimi menjëherë, një vendim individual, konkret, i pakthyeshëm dhe plot ngarkesë emocionale, tradite, opinioni, nderi, por dhe një dhimbjeje për Marien, e cila kishte treguar besnikërinë e saj dhe ishte gadi ta përfundonte aty jetën e saj për fjalën e dhënë në një moment të ndezur dashurie.

Pengu i kësaj “Nate të Parë” është varur mbi kokat e të dyve, mbi ndërgjegjen e tyre, mbi dobësinë e tyre, si një lavjerrës i mprehtë që godiste dhe hapte gjithnjë, pas çdo goditje, plagë të reja.

Autori bën zgjidhjen e duhur përmes vendimit të Gjergj Trangës. Ai vesh nusen e tij si burrë, del nga dritarja e dhomës, e merr nusen mbi kalë, tashmë jo nusja e tij, por e dikujt tjetër, e Pal Zhurit, i cili kishte humbur çdo shpresë që të bashkohej me Marien dhe niset natës së errët si mendimet e tija, që i silleshin dhe i errësonin pamjen, dhe shkon tek shtëpia e Pal Zhurit në mesin e natës.

Aty kemi një dramë të re, përplasjen e absurdit me madhështinë e zgjidhjes. Plaku Ndue Zhuri befasohet. Jetë e vështirë, moment i vështirë! Por autori gjen zgjidhjen më të duhur përmes plakut Ndue. Vendimi i plakut ishte i rëndë, por “ndere” të tilla të vështira shpërblehen po me “ndere” të vështira. Ai i jep vajzën e tij, Gjelinën që ta merrte për nuse. U bë një shkëmbim nusesh? Jo! Këtu bëhet një shkëmbim respekti, që turpi të mos gjejë mbështetje as në miqësinë e tyre, por dhe as në opinionin shoqëror.

Këto drama, sa reale dhe sa simbolike, autori i “ngërthen” me mjeshtëri artistike dhe me një logjikë të ftohtë, si një njohës i mirë i kanunit të maleve, por dhe i tipoligjive krahinore. Zbërthimi i karaktereve ka një rëndësi të veçantë dhe është një vlerë e shfaqur nga autori në “gdhëndjen” e tipareve të tyre mjeshtërisht.

Gjuha e përdorur ka shijen dhe ritmin e kohës, mbi atë tokë ku ndodhin ngjarjet, ka ëmbëlsinë dhe mençurinë brenda, ka mënyrën më të saktë të mundur të shprehjes së mendimit aq të zgjuar të këtyre njerëzve mësuar me drama gjatë të gjithë jetës së tyre.

Në fund, shprehja më e mrekullueshme për nga thjeshtësia dhe madhështia e vlerës si artistike, ashtu dhe kuptimore: – Bre, çfarë bën nata e parë e martesës, nusen e bën më të bukur…!

Gjatë leximit të tregimeve dhe novelave të këtij libri, arrijmë në një konkluzion se ne vetëm e interpretojmë realitetin që shohim dhe e quajmë interpretimin tonë realitet, si një perceptim personal i tij dhe në mënyrë paradoksale shohim se brenda realitetit, aty ku dikush ndjen dhimbje, mërzitje, stres etj., pikërisht aty dikush tjetër ndjen kënaqësi, entusiazëm, emocion. Gjeografia e mendimit përputhet me gjeografinë e teritorit, duke asimiluar vlerat dhe kodet që transmeton mjedisi, duke formuar kështu dhe një karakter dhe personalitet “autokton”.

Në këtë mënyrë vlerat e këtij libri janë shumë të qarta, janë një dëshmi e kohrave të ndryshme, kaluar mbi këto troje, ku jeta dhe vdekja kishin pothuajse të njëjtën shije dhe vlerë!

SHKARKO APP