Të drejtat e minoriteteve dhe shkelja e të drejtave të çamëve

Nga Nexhat Merxhushi

Kam kohë që po merrem me një studim të gjatë, në formë libri, me titull: Paralelizma dhe ultimatumet Greke drejtuar Shqipërisë. Ngjarjet e fundit dhe sidomos ato të Himarës, më detyruan të shkëpus në shkrimin tim të gjatë, një pjesë të shkurtuar të këtij studimi.  Jam shqiptar çam nga Paramithia e Çamërisë, ardhur në Tiranë me gjithë familjen më 1945, përzënë me genocid nga Zervistët Grekë.

Sot jam 83 vjeç, me një formim arsimor dhe intelektual të kënaqshëm. Kur erdha në Shqipëri nuk dija të shkruaja dhe të lexoja shqip, me gjithë se isha 10 vjeç. Thuhet se në kohën e Mbretërisë Shqiptare, u nënshkrua një Marrëveshje midis Qeverisë Shqiptare dhe asaj Greke, për hapjen e shkollave respektive për minoritetin grekë në Shqipëri dhe minoritetin shqiptar në Greqi.                                               Për hapjen dhe ecurinë e funksionimit të shkollave Greke në minoritetin grekë në Shqipëri, ua thotë vetë zoti Filip Lico në librin e tij “Marrëdhëniet Shqiptaro-Greke” faqe 327. Në muajin Maj 1945 doli gazeta greke “Llaiko Vima”. Më vonë dilte dy herë në javë. Në TVSH kishte Emision në gjuhën Greke. Të gjitha këto me shpenzimet e shtetit Shqiptar. Por hapjen e shkollave shqipe në Çamëri, do të mundohem t’ua tregoj unë me dokumentet që disponoj dhe me ç’kam jetuar vetë atje. Shkollat  shqipe në Greqi u hapën në disa ambiente, krejtësisht të papërshtatshme. Shkollat shqipe nuk u hapën në të gjithë Çamërinë, por vetëm në Filat dhe rrethinat. Pak më sipër tregova për veten time se sa dija unë të lexoja shqip, megjithëse i kisha të gjitha kushtet. Në kohën e pushtimit Italian, disa patriot shqiptar çamë, në vendlindjen time, Paramithi, mblodhën djemtë çamë për t’u mësuar gjuhën shqipe, kryesisht në xhaminë e Vasilus (Xhamia e Mbretit) dhe në disa shtëpi. Në xhami isha dhe unë bashkë me vëllain, por vetëm për një muaj. Kur hyri Zerva, nismëtarët patriotë çamë që hapën këto vende për mësimin e gjuhës shqipe, i vrau.

Respekt për patriotët çamë, dëshmorët e arsimit shqip; Abedin Dino, Fejzo Baki, Gani dhe Abedin Bako (vëllezër), Spiro Calluka. Që të gjithë këta u vranë në mënyrë mizore. Por më tragjikja ishte vrasja dhe masakrimi i vëllezërve Bako. Në shtëpinë burg të Sali Hafuzit. Pasi u vranë të gjithë burrat në Paramithi, neve fëmijët dhe gratë që mbetëm, na mblodhën aty. Aty ishin dhe dy motrat e vëllezërve Bako (Meko dhe Hajrieja). Pas dy ditëve vinë atje në burg dy zervistë dhe takojnë të dy motrat. Dhe çfarë u treguan; në një shami kishin mbështjellë sytë e nxjerra të dy vëllezërve të tyre, të Ganiut dhe Abedinit. Të dy motrave u ra të fikët. Këtë skenë e kam parë vetë.

Ju mbrojtës të të drejtave të njeriut, mbrojtës të të drejtave të Minoritetit Grekë në Shqipëri, a i dini këto vepra monstruoze, që bënë bashkëkombësit tuaj! Jo vetëm i mbuloni, por kërkoni dhe llogari, na mësoni se si duhen trajtuar Minoritetet, në një kohë që ju i keni zhdukur me një Genocid të paparë. Këtë mësim do të na jepni ju zoti Pavllopullo, Kotzias, e shumë të tjerë, për Minoritetet!                                                                                                                                                                                  Prandaj ju mbroni tezën ta lemë të kaluarën dhe të shikojmë përpara, tezë të cilën e përkrahin dhe disa politikanë tanë. Ka akoma për të thënë për masakrat tuaja ndaj Minoritetit dhe kryesisht ndaj minoritetit shqiptarë çam. Unë mora vetëm një aspekt për trajtimin e minoriteteve, atë të gjuhës amëtare, por sat ë tilla ka pasur, me shëmtinë e tyre, tek minoriteti shqiptar çam në Greqi!

 Juve zotërinjtë e zellshëm, mbrojtës të Minoritetit Grekë në Shqipëri nuk u drejtohuni bashkëkombësve tuaj të kërkojnë falje për krimet që kanë bërë tek minoriteti shqiptarë çam në Greqi, që duke shkelur me të dyja këmbët të drejtat e shqiptarëve në Greqi, të kërkojnë, Falje.                                                                                                                                                                                                                                        Shtetet me të vërtetë demokratike e njohin faljen. Gjermania Naziste, vrau me mijëra njerëz, me miliona gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ambasadori Gjerman në Shqipëri Hofman, kur shkoi për një  përkujtimore Borovë, për Masakrën që bënë Nazistët kundër popullsisë së pafajshme shqiptare, tha: “Unë nuk kam qenë atëherë, kur bashkëkombasit e mi vranë me dhjetëra shqiptarë të pafajshëm, por si gjerman kam përgjegjësi. Kërkoj falje.” Kështu çlirohet njeriu demokrat sepse falja është çlirim. Minoriteti shqiptar çam në Greqi, u njoh zyrtarisht nga Qeveria Greke e kryeministrit Eleftero Venizellos dhe nga Lidhja e Kombeve qysh më 1925, megjithëse etnia shqiptare në Çamëri njihej që më parë, me Traktanin e Athinës e vitit 1914 (ka dokumente për këtë). Shtypi shqiptarë, evropian dhe politikanët grek, miratuan këtë vendim të Lidhjes së Kombeve. Citoj: “Në Shqipëri të Jugës, nuk ka grekë, përveç disa grekofonëve.” (Gazeta “Korça” e datës 27 shkurt 1926, citon ish-kryeministrin grekë Pangallos.)

Dhe armiku nr.1 i shqiptarëve, ish-kryeministri Grekë Eleftero Venizellos deklaronte nga Lozana : “… I telegrafova Qeverisë sime për të tërhequr vëmendjen për pozitën e muslimanëve, shtetas grekë, me kombësi shqiptare, të cilët nuk duhet të barazohen me turqit…”  (Tek libri i Dh.Mihalopullos “I camidhes” citon Eleftero Venizellon).  Po ky Venizellos në Konferencën e Paqes Paris 1919, deklaronte: “Edhe territoret shqiptare pa shumicë të pastër greke, duhet patjetër t’i kalojnë Greqisë. Populli shqiptar zotëron një qytetërim inferior dhe duhet t’i nënshtrohet popullsisë Greke.” Vetëm grekët janë të zot të drejtojnë, prandaj u çudit një gazetar grekë kur kryeministri Rama e fliste më mirë anglishten se Cipras. Dhe duke dëgjuar këto, Margaret Mac Milan, mbesa e ish-kryeministrit të Anglisë Lloid Xhorxh, deklaronte në librin e saj: “E mjera Shqipëri, sa shumë armiq të fuqishëm dhe sa pak miq.” Kurse gazeta “The Times” në Gjenevë shkruante: “Republika e Greqisë njeh minoritetin shqiptar, që jeton në territorin e saj dhe nuk i konsideron shqiptarët si turq.”  (Gazeta “The Times” 8.3.1926)   Po kjo gazetë citon Dheodhoros Pangallos si kryetar të Qeverisë Greke : “Teza se orthodoksët shqiptarë, janë grekë, është e gabuar dhe e shkelmuar nga të gjithë.” (“The Times” 8.3.1926)

Po pyes të zellshmit që mbrojnë të drejtat e njeriut, sipas konventave Ndërkombëtare, po pyes pra zotërinjtë Prokopis Pavllopullon, Kotziasin, Bollanon, Leonidha Papën, Fredi Bejlerin, Barkën, Nëranxin etj. Ku është minoriteti shqiptar i Çamërisë sot!? Qeveria e Mbretit Zog dhe Qeveria komuniste e kishin merak shumë të madh minoritetin grekë në Shqipëri. Mbasi ne çamët, të dëbuar me dhunë nga kriminelët grekë ish-kryeministri i qeverisë komuniste Enver Hoxha thirri disa çamë në Zyrën e tij. Ishte viti 1946 dhe Enver Hoxha ishte 36 vjeç. Midis të ftuarve ishte dhe babai im. Mbasi u tha mirëseardhjen, Enveri citoi: “ Këtu në Jugë të Shqipërisë kemi një pakicë që bëjnë minoritetin grekë. Unë e kuptoj se ju nuk do i shihni me sy të mirë ata, sepse patriotët e tyre, mbi ju bënë masakra. Për hir të politikës tonë demokratike, dua që me ata të shkoni mirë dhe mos krijoni incidente.” Merak i madh i qeverive tona për minoritetin, por ata nuk duan t’ja dinë. Zotërinj, Ligjet për të drejtat e njeriut që aprovoi Evropa pas Luftës së Dytë Botërore, që i ka firmosur dhe shteti juaj Amë, kanë edhe fuqi prapavepruese. Bota i quajti ato ligje Fe zyrtare të shek. XXI-të.

Ju që mbroni të drejtat e minoritetit grekë në Shqipëri, jini bashkëkohorë dhe kontribuoni edhe për të drejtat e minoriteteve të vendeve të tjera. Shteti juaj Amë jo vetëm i zhduku të gjitha Minoritetet, por në mënyrën më të shëmtuar, me genocid.  Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut e vitit 1948 thotë: “Askush nuk mund të dëbohet me anë masash individuale ose kolektive nga territori i shtetit, shtetas i të cilit është.” (Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut e vitit 1948). Shteti Grekë nga ku merrni udhëzime ju, e shkeli këtë konventë, duke i dëbuar shqiptarët çamë me gjenocid.

Kam disa vjet që punoj për historinë e shqiptarëve të Çamërisë. Kam lindur në Çamëri dhe kam ardhur në shtetin Amë, Shqipëri, nëpërmjet një genocidi grek. Në asnjë dokument nuk kam gjetur se Himara futet si zonë minoritare. Dokumentet që ka edhe Evropa, si zonë minoritare përfshihet zona rreth Delvinës dhe disa fshatra të Gjirokastrës. Këtyre, edhe ish kryeministri grek Theodhoros Pangallos u thotë një grusht grekofonësh që jetojnë në Shqipëri të Jugut.

 (Vijon në numrat e ardhshëm)

SHKARKO APP