Të hapësh një biznes – BB: Në Shqipëri bëhet në vetëm 4 ditë e gjysmë, por kostot sa 3-fishi i OECD
Në rast se do të hapësh në biznes në Shqipëri, të mjaftojnë vetëm 4 ditë e gjysmë. Procedurat që duhet të kryhen janë vetëm 5. Këto të dhëna e shumë të tjera i nxjerr në pah raporti i të bërit biznes i Bankës Botërore. Krahasuar me raportin e vitit të kaluar, numri i procedurave mbetet i njëjtë, në 5 të tilla, por është përmirësuar koha për të kryer këto procedura, me gjysmë dite.
Madje, sipas Bankës Botërore, të hapësh një biznes në Shqipëri është shumë herë më e lehtë se në Europën e Azinë qendrore apo edhe krahasuar me vendet e OECD, me nga 11.9 dhe 9.2 ditë respektivisht. Pra, më shumë se dyfish. Për hapjen e një biznesi të ri, Banka Botërore ka marrë në konsideratë një kompani me përgjegjësi të kufizuara ( sh.p.k ) në të gjitha 190 ekonomitë e analizuara, në mënyrë që krahasimi të jetë i njëjtë.
Po kostot e hapjes së një biznesi sa janë? Kostot e maten në raport me të ardhurat për frymë, dhe rezulton se në Shqipëri, kjo normë fiksohet në 10.8%, në rënie krahasuar me vitin e kaluar, kur flitej për 11.3%, por bindshëm mbi mesataren e Europës qendrore dhe OECD, deri në më shumë se 3-fish.
Po të shohim me radhë procedurat që nevojiten për hapjen e një biznesi rezulton se, 4 ndër 5 janë me pagesë, e cila varion. Procedura e parë, ajo e regjistrimit në QKB dhe marrjes së numrit nipt kushton vetëm 100 lekë dhe kërkon vetëm 1 ditë. Procedura e dytë është pa para, dhe është ajo e regjistrimit të punonjësve në zyrën e taksave dhe atë të punës.
Procedura numër tre, ajo e regjistrimi në bashki dhe marrjes së listës së taksave lokale, kushton 30 mijë lekë në formën e taksës së pastrimit dhe 27 mijë lekë në formën e taksës së përkohshme të edukimit. Në procedurën numër 4, sipas ligjit për procedurat fiskale, një kompani e re në Shqipëri duhet të blejë nga autoritetet tatimore fatura të printuara paraprakisht.
Kjo procedurë kushton 360 lekë për 50 fatura. Procedura numër 5 është ajo e vulës së kompanisë dhe kushton nga 3 mijë deri në 5 mijë lekë.
Kjo procedurë nuk është detyrim ligjor që prej vitit 2016, por për shkak të pengesave dhe interpretimeve të shumta ligjore, shumë kompani vendosin ta marrin vulën.
KOHA JONË SONDAZH

