“Të mallkuarit e Azinarës”, historia e robërve të luftës që nga Ballkani përfunduan në Sardenja

Nga Eridion Gjetja –
Në tetorin e 1915-ës, pak më shumë se një vit nga fillimi i luftës së parë botërore, trupat gjermane e astro-hungareze nga njëra anë dhe ato bullgare nga ana tjetër depërtuan thellë në Mbretërinë Serbe. Ushtria e kësaj të fundit tentoj tërheqjen nga Mali i Zi, u fut në Kosovë, territor që kishte aneksuar vetëm tre vite më përpara, dhe vazhdoj zbritjen në jugperëndim drejt porteve shqiptare. Gjatë këtij rrugëtimi ushtria serbe do të sillte me vete mijëra civil, refugjat e robër lufte nga territoret austro-hungareze. Udhëtimi nga Nishi për në Vlorë rezultoj një kalvar i vërtet vuajtjesh e mundimesh, të cilit shumë nuk mundën ti mbijetonin. Pas negociatave aspak të lehta me aleatët francez, Italia ia doli të merrte kontrollin këtij lumi njerëzish prej rreth 24.000 vetësh. Në këtë mënyrë Roma rriste prestigjin brënda aleancës por mbi të gjitha fitonte fuqi kontraktuese kundrejt një armiku kufitar, siç ishte Perandoria e Asburgëve.
Që në momentet e para komanda italiane u ndodh në vështirësi. Përhapja e sëmundjeve infektive si kolera e detyronte atë të zgjidhte një kamp burgimi të përshtatshëm me struktura sanitare funksionale për karantinim. Destinacioni i robërve u bë ishulli i Azinarës, në veriperendim të Sardenjës. Pak i populluar dhe i “izoluar”, ishulli shërbente si koloni penale prej 1886-ës. Por Azinara nuk ishte konceptuar për tu bëre kampi më i madh i burgimit i mrbretërisë italiane. Mangësitë, si nga pikëpamja logjistike ashtu dhe nga ajo sanitare, qenë domethënëse. Fluksi i madh i robërve që silleshin në ishull bëri që një pjesë të flinte në qiell të hapur nën rrahjet e erës së vazhdueshme. Po ashtu spitali i kampit nuk qe në gjëndje të përballonte situatën. Pikërisht në këto rrethana u konsumua fati i shumë prej të burgosurve. Kushtet e këqija dhe sëmundjet infektive bënë kërdinë. Prej 24.000 vetëve që mbërritën në Azinara në dhjetorin e 1915-ës vetëm 16.000 i mbijetuan korrikut të një viti më pas, kur iu dorëzuan ushtrisë franceze për tu dërguar në kampet e përtej-alpeve.
Odisea e vuajtjeve të këtyre njerëzve, të njohur edhe si të “mallkuarit e azinarës”, është pjësë e historisë e këtij ishulli të vogël. Tradita e identifikimit të ishullit me struktura të predispozuara për heqjen e lirisë vazhdoj edhe më vonë. Nga vitet ’60 deri në 1997-ën Azinara shërbeu si burg e sigurisë së lartë, ku vuajtën dënimin personazhe të njohura të botës së krimit. Pas mbylljes së burgut krejt ishulli u kthye në park kombëtar me status të veçantë, gjë që i garanton mbrojtjen e istitucioneve në nivelet më të larta. Ç’do vit vizitorët e shumtë të parkut gjëndën përballë një “fotografie” që shkrin natyrën me historinë duke ofruar një eksperiencë që nuk harrohet lehtë.

SHKARKO APP