Të mjerët ju po i zhgënjyet edhe njëherë popullin demokrat!

Nga Erl Kodra-

Partia Demokratike!
Është gati e pashpjegueshme me fjalë ekzistenca e Partisë Demokratike, partia që lindi në Dhjetor 90, sepse ajo nuk është thjeshtë një parti politike. Nuk e di, por unë kam përshtypjen se edhe vet themeluesit nuk kuptojnë mirë peshën e asaj çfarë kanë krijuar. Asnjë ngjarje politike nuk do të mund të krahasohet me krijimin e Partisë Demokratike, pavarësisht rrugës plot dritëhije që prej themelimit. Ka momente në jetën e një kombi që shënojnë udhëkryqe historike; dhe padyshim që lindja e Partisë Demokratike shënon fundin e epokës më të errët të ekzistencës tonë.
Nuk ka asnjë rëndësi se kush janë emrat e përveçëm të themeluesve; as faktet e veçanta dhe ngjarjet në vetvete, sepse diçka tjetër e përmasave të mëdha po ndodhte ndërkohë; po shembej pushteti i terrorit.
Krijimi i Partisë Demokratike përmbledh frymën dhe shpirtrat e shqiptarëve që humbën jetën nën regjimin komunist, dramën dhe tragjedinë e të burgosurve dhe internuarve, vuajtjet dhe mjerimin e një kombi. Prej asaj dite, çdo qytetar të këtij vendi mund të besonte tek liria dhe demokracia, pa frikën se do të përfundonte në litar, në burg ose në internim. Në këtë kuptim, asnjë ngjarje në historinë moderne të shqiptarëve nuk e ka peshën e krijimit të Partisë Demokratike.
Për politikë kam menduar që në rininë e herëshme, zaten edhe pa dashur, unë kam qenë i detyruar të mendoj. Dhe më besoni që kam menduar intensivisht, çdo ditë dhe orë përgjatë viteve. Pavarësisht se kurrë nuk jam marrë me politikë aktive, ajo është bërë pjesë e vetdijes time. Ndoshta pse jam edhe poet, me gjasë, dhe unë nuk mund të jem indiferent.
E bëra këtë hyrje të veçantë për të treguar se Partia Demokratike është ndryshe çdo partie tjetër, sepse ajo, para se të jetë një forcë politike e djathtë, është partia e një populli të vrarë dhe të burgosur, e të vdekurve dhe të gjallëve të tij. Në këtë kuptim, ajo nuk përfaqëson një krah politik, por vet shpirtin tonë. Ndaj nuk ka rëndësi se kush është në krye, përfshirë edhe emrin e Kryetarit Lulzim Basha. Ky është çelësi i kuptimit tim.
Mbrëmë (e enjte, 24 shtator) po kaloja nëpër programet kryesore politike të javës, por nuk po e gjeja askund Partinë Demokratike. Asnjë zë, asnjë fjalë, vetëm Andi Bushati dhe Ylli Rakipi që mbronin kauzat opozitare nëpër televizione. Dhe të mendosh se jemi vetëm një javë larg para se Edi Rama t’i japë dorën e fundit megaprojektit për mandatin e tretë.
Por, lavdi Zotit, Andi Bushati duket shumë i vendosur për kauzat e opozitës!
Unë nuk qahem pse Partia Demokratike është në opozitë, por po mpakem nga trishtimi që fati i vendit gjendet në duart e një maskarai si Edi Rama. As që e vras mendjen nëse Lulzim Basha do të bëhet apo jo Kryeministër, por më çahet zemra kur shoh se si ëndrrat tona po veniten. Duket si një makth, por është e vertetë; ne kemi rënë në humnerë. Sytë janë për të parë, mendja për të kuptuar.
Shumica e qytetarëve shqiptar janë sy e vesh nga Partia Demokratike. Ata e dinë shumë mirë se tjetër shpresë nuk ka. Ndaj presin me ankth çdo akt dhe fjalë të Partisë Demokratike.
Unë nuk e di se çfarë mund të ndodhë përgjatë muajve në vijim, por mund të them vetëm kaq:
Të mjerët ju po i zhgënjyet edhe njëherë popullin demokrat!

SHKARKO APP