“Të mos harrojmë, duke kujtuar dhe shkruar për njerëzit”

 

Nga Sakip Cami*

“Memoria historike e kombit”. – Ky është titulli kuptimplotë i librit më të ri të gazetarit e shkrimtarit të mirënjohur Halil Rama. Libri është padyshim dhurata më e mirë që autori u bën lexuesve të tij, fillimvitin e ri 2016.  Pas “Testamentit të Atdhedashurisë” vjen jo rastësisht “Memoria historike e kombit”. Brezat duhet të njohin historinë, në të kundërt historia do të harrohet. Kurrë nuk duhet të harrojmë. Harresa është dëmi më i madh për ndërgjegjen e një kombi. Kush njeh të kaluarën, projekton edhe të ardhmen. Ky është mesazhi kryesor i këtij libri me monografi, personazhe, personalitete, kujtime dhe recensione.

Kryeredaktori i gazetës “Veterani”, Halil Rama, pas një hulumtimi 15- vjeçar në historinë e popullit tonë, pas librave të suksesshëm për 20- vjetorin e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar (OBVL) dhe për “Heroin e Popullit” dhe “Nderin e Kombit”, Gjeneral Rrahman Parllaku, për patriotin dhe filozofin popullor dibran, Dine Hoxha e kompozitorin e tangos shqiptare, Muharrem Xhediku, vjen sërish me një kontribut tjetër për historinë e lavdishme të kombit tonë, aq shumë të vuajtur e të lodhur nga luftërat dhe grackat e Fuqive të Mëdha.

Brezat që vijnë duhet ta dinë mirë se nuk ka pasur NATO dhe BE me të cilët bashkëpunojmë sot. Historia jonë kombëtare ka kaluar nëpërmjet vështirësish të panumërta Memoria historike e kombit dhe të pashembullta. Një komb dhe një popull i vogël në numër si kombi ynë ka mbijetuar vetëm nëpërmjet sakrificave dhe luftërave. Si gjatë Luftës së I Botërore ashtu edhe gjatë Luftës së II Botërore Shqipëria është renditur në krah të aleatëve, në krahun e duhur, me fitimtarët. Është derdhur shumë gjak, që nuk duhet injoruar sepse është gjaku i baballarëve dhe gjyshërve tanë. Në reportazhin “Memoria historike e kombit” që është edhe titulli i tërë librit, autori tregon se në Borovën martire 72 vjet më parë, nazistët masakruan gjithë banorët e fshatit Borovë. Pushtuesit nuk kursyen as gratë shtatzëna dhe foshnjat në djep. Fshati i vogël, vetëm 5 km larg Ersekës, vijon ende të jetë një dëshmi e gjallë historike. Grupi i veteranëve të OBVL dhe i të mbijetuarve të një prej masakrave më të më dha në Shqipëri kryejnë homazhe në varrezat e 107 martirëve të Borovës. Vendosin kurora me lule, bëjnë foto tek partizani i Borovës, tek varrezat masive të të rënëve. Kërkojnë të vizitojnë muzeun e Borovës, por Muzeu i Borovës është i mbyllur, në rikonstruksion.

Ndoshta është koha kur muze të tilla të ristrukturohen të jenë të hapura për publikun në çdo orë dhe në çdo ditë. Më thoni të nderuar lexues se në çfarë vendi të Europës apo edhe të Botës i gjen muzetë e luftës të mbyllura, lapidarët të thyer, veteranët të harruar!!!. Është koha që gjërat të venë në vend. Më pak shpenzime për salltanete pushtetarësh dhe më shumë për njerëzit që sakrifikuan dhe sakrifikojnë për Shqipërinë dhe Kosovën, për kombin shqiptar. Në këtë libër do të gjejmë protagonistët e Luftës së Dibrës kundër serbëve në vitin 1920, protagonistët e OBVL, Rrahman Parllaku dhe Skënder Malindi, që edhe mbi 95 vjet mbi supe, edhe të burgosur në burgun komunist, përveç internimit fashist dhe plagëve në luftë marrin përsipër t’u tregojnë brezave vendet dhe ngjarjet historike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar. Një vend të veçantë gjejnë të përndjekurit dhe të persekutuarit politikë si: Mark Shllaku, Bajram Ndreu, pinjolli i familjes Ndreu të Zall Dardhës, rrëfimi për kalvarin e familjes Shtylla që u përfshinë në të pabërën e bombës në ambasadës sovjetike etj.. Besim Ndregjoni rrëfen vetë si i intervistuar dhe si President i Unionit të të Përndjekurve Politikë se kjo shtresë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare po bën 25 vjet demokraci dhe nuk po e gjen veten e saj, e përndjekur sërish, por këtë herë nga politikanët e rinjtë pas viteve ‘90, që kurrë sesi nuk mund t’i quash demokratë.

Me mjaft mjeshtri artistike dhe mjete shprehëse autori sjell profilin e “skenderbegasit” nga Arrasi i Çidhnës, Lavdrim Krashi, i ngjitur me dinjitet në administratën e Bashkisë së Londrës, si dhe recensionin për librin e Hasan Moglicës nga Okshtuni që përshfaqet si frymëzues i Kryeministrit kanadez. Libri i redaktuar me përkujdesje maksimale nga Qamil Xhani – Kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë”, përmbledh edhe shkrime të autorit për personalitete të letërsisë e të kulturës shqiptare si: Teodor Laço, Shaqir Rexhvelaj, Shefki Karadaku, Skënder Cala, Lutfi Hanku, Naim Berisha, për emblemën e sportit shqiptar Isa Tare, studimin për librin e Diplomatit Dr. Arjan Starova për jetën e Presidentit amerikan Ronald Regan, për personalitetin e mjekësisë ushtarake shqiptare, Prof. Dr. Islam Dauti, për këngëtarin e ri dhe të talentuar Dritan Jashari etj. Gazetaria dhe hulumtimi e kanë ndihmuar autorin H.Rama që nëpërmjet personazheve jetësore të futet fuqimisht dhe estetikisht tek jeta dhe historia shqiptare. Unë do ta ftoja lexuesin që ta lexojë këtë libër sepse do të gjejë pjesë nga jeta e tij, nga jeta jonë që duhet kuptuar dhe jetuar realisht me gjithë përfshirje dhe me senspozitiv, sepse vetëm kështu mund të arrijmë atje ku duam të arrijmë, të shkojmë në Europën e qytetëruar si shqiptarë të qytetëruar.

*Poet dhe publicist

SHKARKO APP