Te vëllezërit e një gjaku, u bë i shtëpisë “vlonjaku”…

 Nga Agim Jazaj    –

 Vitet rrjedhin në shtratin e tyre. Me vete bartin njerëzit e përmasave të mëdha, duke bërë ballë marrëzisë së kohëve të marra, pa i rrëmbyer në vorbullën e jetës, mes harresës së brezave, pa mundur e zëvendësuar dot: Korifenjtë me lakenjtë, realët me informalët, vlerat me antivlerat, shenjtorët me dhunuesit, ata që shërbejnë me këta që rrëmbejnë, ata që vrapojnë, me ata që pengojnë, ata që ndërtojnë me ata që rrënojnë, zyrën me zgjyrën, shtetin me mafian…

Këta bij, i ruajmë në altarin e pavdekësisë, shëmbëlltyrë e shoqërive të përparuara dhe të emancipuara, nga duhet të frymëzohemi: Të bëhemi njerëz, të certifikohemi qytetarë…

Këta burra vendi, por dhe kombi, janë gurë të çmuar dhe gurrë e pa shuar e shoqërisë, të një populli fisnik që ndjen etje të përhershme për Kalorës të tillë. Një ndër këta Kalorës, ishte dhe mbetet edhe Dr. Xhemil Sherif  Çela, i vlerësuar e nderuar edhe nga Shoqata A.K “Labëria” me titullin më të Lartë: “Personalitet i shquar i Labërisë”.

Ai lindi në Gjorm të Vlorës më 15 Maj 1910. U rrit në një fëmijëri të vështirë, qysh në moshë të vogël, nën kujdesin e veçantë të vëllait të madh Muço Sherifi.

Pasi përfundoi shkollën fillore në vendlindje me zellin për dije, kreu studimet në shkollën “Harri Fuls”, e më pas nisi studimet në Itali.  Në vitin e fundit e përjashtoi nga shkolla e “Fulci” sepse dikush i raportoi se; studenti Xhemil Çela ndihmonte dy bonjak, që flinin përkohësisht në konviktin e kësaj shkolle. Përjashtimi nga shkolla i solli shumë lëndim. Për këto arsye ai shkon në Itali, në shkollën e Kadetave. Pasi përfundoi studimet në dy fakultete, në atë të Ekonomisë dhe të Jurisprudencës dhe për disa vite dha mësim si pedagog në Universitetin “Leonardo da Vinçi”, të Bolonjës! Pas protestës së shumë studentëve shqiptar për pushtimin e Shqipërisë nga Italia edhe Dr. Xhemilin, si shumë të tjerë e internuan në Libi. Më pas erdhi në Shqipëri. Në vitin 1941 e burgosi qeveria fashiste për disa muaj. Pasi kapitulloi Italia, qeveria shqiptare në vitin 1943, e caktoi si sekretar i MPB në Kosovë, ku “Vlonjakun” e deshën shumë vëllezërit e një gjaku, dhe më pas e zgjodhën si zëvendësprefekt, e në vijim Prefekt, deri dhe Deputet i krahinës së Dragashit.

Prej Dragashit e transferojnë në Prizren si prefekt të asaj Krahine.

“Tek vëllezërit e një gjaku/ Në çdo vatër Kosovare/ U bë i shtëpisë “vlonjaku”/ Dhe ka mbetur në thesare…”. Pas një kohe, ushtria gjermane, kur erdhi në Kosovë, Gestapoja e arrestoi dhe e internuan në disa kampe naziste në: Mat’hauzen, Klok deri në kapitullimin e nazizmit. Në vitin 1945 dr. Xhemili u kthye në Atdhe. Qeveria e kohës, nuk i ofroi punë. Ai u punësua në “Shoqërinë UNRRA”. Më pas, fal reputacionit, kontributit dhe performancës dr. u emërua si pedagog në shkolla të ndryshme të mesme në Tiranë dhe për 26 vjet, si pedagog i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme në atë universitet.

  Kujtime nga Kosova…

Ditën e zezë të 7 Prillit 1939, kur fashizmi okupoi Shqipërinë e përshkruan dr. Xhemili: Unë isha në Torino, student i vitit të fundit në Fakultetin e Ekonomisë. Në maj të atij viti nisën dhe provimet. Kisha dhënë tre provime dhe kisha dhe tre për të dhënë për të cilët isha përgatitur. Papritur konsulli shqiptar (konsull nderi italian) zoti Lagraxhe, na njoftoi se Ministria e Jashtme Italiane do të na çonte në Tripoli për shëtitje!

Në realitet, meqenëse në Torino do të bënte një vizitë Musolini, sigurimi italian  do të na hiqte nga Torino për të evituar çdo të papritur nga ana e shqiptarëve. Ishim 60 studentë oficerë shqiptar. Po kur ne refuzuam këtë ofertë, atëherë ndërhyri karabinieria që na nisi për në Tripoli, pa vullnetin tonë. Pasi qëndruam atje për një muaj kuestorët italianë na shoqëruan, e na hipën në një anije dhe na kanë zbarkuar në Durrës!

Erdha pa një dyshkë në xhep. Një nga shokët më tha se në një zyrë italiane kërkohej përkthyes. U paraqita në ata zyrë dhe pasi panë librezën time të universitetit dhe bën pak muhabet me mua, më thanë se mund të filloja qysh atë ditë. Në këtë punë vazhdova rreth për një vit, me një pagë shumë të vogël. Një ditë vjen në zyrë komandanti i skuadrës mobile të karabinierisë dhe më thotë se unë arrestohesha, pra duhej të shkoja në zyrën e tij. Atje më lexoi aktakuzën sikur unë kisha bërë gjoja skicën për bombardimin e Durrësit!

Në të vërtetë, një natë më parë nga dita e arrestimit tim një aeroplan anglez lëshoi ca bomba nga të cilat njëra ra në pullazin e shtëpisë së një italiani, duke vrarë gruan dhe fëmijët.

Këtë italian, një siçilian, i ndyrë e kriminel, e kisha rrahur njëherë mirë, sepse më kishte fyer. Duke u nisur nga kjo ngjarje, italianët konkluduan se unë isha shkaktar i atij bombardimi. E vërteta ishte se unë isha simpatizant i LANÇ-it dhe urrejtjen kundër okupatorit e shfaqja hapur!

Më mbajtën njëfarë kohe në burg, por kur prokurori Mit’hat Mustafaraj, nga Kanina, mik i familjes sime kërkoi nga SIMI prova dhe fakte për akuzën që më bëhej, fashistët mbetën më gjuhë mbyllur. Kështu prokuroria hodhi poshtë akuzën dhe urdhëroi lirimin tim.

Në nëntor të vitit 1943 qeveria shqiptare më emëroi sekretar të MPB me funksionin e nënprefektit të Dragashit në Kosovë.

Çetat e mëdha atë kohë e përbëra nga hajdutë e grabitqarë, grabisnin qindra e mijëra krerë bagëti, dhënë, lopë kuaj, qe. Si hanin e pinin mirë i lidhnin të zotët e shtëpisë dhe vinin përpara çdo gjë të gjallë dhe rrëmbenin sa mundnin ushqime e plaçka shtëpiake.

Kjo ishte gjendja, kur unë vajta në Dragash.

Një ditë një grup fshatarësh mu ankuan se kapiteni i rekrutimit i shfrytëzonte fshatarët, duke marrë prej tyre gjalpë, djathë, lesh, vezë, qumësht e kos, pula qengja, keca, etj., pa pagesë.

E thirra kapitenin dhe e ballafaqova me fshatarët që më ishin ankuar dhe i vura një afat 15 ditor të rregullonte marrëdhëniet me fshatarët.

Që nga ai çast kosovarët e Dragashit filluan të më besonin e të afroheshin së tepërmi me mua!

 “Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës” më ngarkoi që eksperiencën e Dragashit ta përhapja në gjithë territorin e Kosovës, duke më vënë në dispozicion policinë dhe xhandarmërinë”…Duke i besuar vlonjakut, vëllezërit e një gjaku, trokisnin në zyrën e tij, duke trokitur e gjetur hapur derën e zemrës.

“Një ditë më vjen një fshatar nga Vranishti në zyrë dhe më kërkon një pushkë për të mbrojtur vajzën e tij 15-16 vjeçe. I thash të transferonin në një ambient tjetër dhe vajzën të mbronim me forcën e ligjit, dhe të rendit. Ai insistoi në të vetën. Munda ti jap një pushkë dhe një arkë me municion, por ai erdhi pas pak ditësh tek unë  por këtë radhë më tepër i vdekur se sa i gjallë. Vajzën ia kishin grabitur dhe për më tepër disa fshatar të hoxhës e kishin gjetur atë të vdekur në një kodër.

Ky akt barbar ngriti peshë popullin e Kosovës, unë, pasi ngushëllova hoxhën, i premtova se hakun e vajzës nuk do ta linim pa marrë”…

Komiteti “Për Mbrojtjen e Kosovës” më falënderoi. Mirëpo… “Një ditë më erdhi një letër kërcënuese nga hajdutëria se unë kisha rënë në gjak me ta dhe se ata do të hakmerreshin”. Atëherë Ministria e Brendshme më urdhëroi të zbrisja në Prizren dhe të merresha me punët e prefekturës, duke mbajtur edhe Dragashin nën kujdes. Dragashi pas vendosjes së kufijve, unë kërkova nga populli që të bëhej pajtimi i hasmërive. Dhe këtë propozim populli e pranoi me kënaqësi dhe aksioni i pajtimit vazhdoi për dy muaj. Në shenjë mirënjohje populli i Dragashit më zgjodhi Deputet, pa pasur vënë kandidaturë për një ofiq të tillë.

 Prizren, në festën e Pavarësisë

Më 28 Nëntor të vitit 1943, Prizreni festoi shpalljen e Pavarësisë, ngritjen e Flamurit në Vlorë. Në një sallë ta madhe ishin mbledhur qindra e qindra shqiptarë për të festuar këtë akt historik. Aty ishte dhe gjenerali gjerman dhe shumë oficerë të tjerë. Pasi e përshëndetën sallën, disa prej pjesëmarrësve, e mori fjalën kosovari Ibrahm Femiu, përgjegjës për arsimin e Kosovës. Ky nuk tha asnjë fjalë, por kërkoi të flisja unë si vlonjat.

*Në ditën e Pavarësisë/ Birit të Vlorës i kërkuan/ Fjalën gjatë ceremonisë/ Nga goja e tij dëgjuan…

Por unë iu përgjigja se, “nuk më vintë doresh të flisja, të mbaja fjalime”. Kosovarët e sallës thanë se, “unë isha i detyruar të thosha të paktën dy fjalë, sepse isha vlonjat dhe Flamuri u ngrit në Vlorë”. Atëherë desha s’desha u ngrita dhe iu drejtova sallës me këto fjalë: Vëllezër kosovarë, unë ju thashë se nuk jam i aftë për fjalime, megjithatë për hatrin tuaj do të mundohem të them diçka. Por më përpara dua t’ju pyes, pse jemi mbledhur sot në këtë sallë? Ata mu përgjigjën: Vërtetë nuk e ditke ti përse jemi mbledhur”? Jemi mbledhur këtu për të festuar festën tonë të madhe, festën e çlirimit tonë kombëtar, ditën e ngritjes së Flamurit të Skënderbeut në Vlorë.

*A festohet Pavarësia/ Me pushtuesin në sallë/ Neve na mungon Liria/ Shpata ra mbi gjeneral…

Dhe unë vazhdova: Vëllezër Kosovarë, a mund të ketë ditë çlirimi e festë çlirimi me një okupator të tmerrshëm në sallë? Gjermanët kanë ardhur në truallin tonë pa vullnetin tonë, pra ata janë okupatorë.

Pas fjalës time, vetëm një shkodran, Galip Juka u ngrit e tha, se dhe ai ishte dakord me ato që thashë unë.

Prita si do të reagonte gjenerali.

Ky urdhëroi oficerët e vet të mbushnin gotat dhe bashkë me ta erdhi para meje: “Ta pimë këtë gotë,- tha ai,- për shëndetin e këtij djali fisnik. Më mirë një armik si ky, se miq si ata në sallë”. Kurse mua mu drejtua: “Zotëri, fole drejtë, na cilësove si okupator, falë drejtësisë jemi me të vërtetë okupatorë, se ne kemi ardhur këtu pa lejen tuaj dhe natyrisht kush vete në truallin e tjetrit pa vullnetin e të zotit të shtëpisë, ai nuk mund të jetë veçse okupator. Ju kini 100 herë të vërtetë, po tani më dëgjoni edhe mua: “Të betohem me nderin e një ushtari gjerman se erdhëm këtu nga një hall i madh. Po, të mos vinim ne këtu do të vinte anglezi dhe ai na prish shumë punë, pasi tani ne po bëjmë një luftë për jetë a vdekje e jo për këtë e atë truall.

Duke ju drejtuar sallës shtoi. “Vini re, sa jam unë këtu, nuk do të guxojë askush shqiptar apo gjerman qoftë, të prek qoftë dhe një qime floku të këtij njeriu”.

-Unë ju përgjigja: Zoti Gjeneral, ju falënderoj fisnikërinë tuaj, por do më falni t’ju them hapur se unë nuk pranoj mbrojtjen tuaj. Unë mund të vdes kur perëndia të ketë caktuar, por vdes për atdheun tim dhe ju mund të vdisni, sidoqë kini mitraloza, topa, aeroplanë dhe ushtri sa të duash.

Tani dëgjoni dhe ju të them dy fjalë: “Populli shqiptarë s’ka ushqyer kurrë urrejtje karshi popullit gjerman, përkundrazi ne i dimë se edhe Gjermania nuk e ka urryer Shqipërinë.

Albanologët gjermanë e kanë thënë gjithmonë një fjalë të mirë për Shqipërinë…”

Arrestimi nga Gestapo, në burgun e Prizrenit

Gestapoja gjermane më arrestoi dhe më burgosi në një burg të Gestapos në Prizren. Të them të drejtën nuk u sollën keq me mua, sepse shumë kosovarë morën takim me gjeneralin gjerman dhe i’u lutën të më lironin, duke i premtuar se do të largohesha. Gjenerali nuk pranoi të më lironte, por u dha fjalën se me mua nuk do të përdorte dhunë. Nga burgu i Prizrenit më transferojnë në kampin famëkeq të Prishtinës. Këtu kalova shumë vështirësi. Tre herë më nxorën për të më pushkatuar, por të tre herët më shpëtoi një kapter, të cilit i pata dhënë një letër nga vëllai i tij binjak që më kishte pasur nën kontroll në burgun e Prizrenit. Gestapoja, tre net rresht merrte nga dhjetë vet kuturu për t’i pushkatuar. Dhe në çdo rast shorti më kapte edhe mua. Kapteri, s’bënte gjë tjetër, veçse nuk më kapte mua…

*Tranzicioni i sistemit dr. Çelën e zuri në moshën 80 -vjeçare. Edhe pse në këtë moshë, me dobësimin e shikimit dhe paralizimin e dorës, ai nxori në dritë nëpërmjet penës, të kthyer sërish në pushkë, disa nga publikimet e tij të cilat kanë mbetur të shënuara në memorien e lexuesve si: “Komunizmi shqiptar, ngritja e zbritja”. “Si nisi lufta e Vlorës më 1920”. “Harri Fulc-agjent apo mik i Shqipërisë”, të botuara si në revistën “Republika” të Lubjanës dhe në gazetën “Zëri” të Kosovës. “Kaq munda të bëja unë për Shqipërinë kur isha në “UNDRRA”, si dhe mjaftë faqe të përgatitura dhe të pabotuara!

Dr. Xhemil Çela flet për njohjen dhe miqësinë me Dr. Omer Nishanin, Nako Spirun,  personalitete të tjera të botës akademike dhe universitare, të cilët kanë çmuar punën studimore dhe akademike  për 26 vjet si: Qëndro Zotaj e Dr. Kudert Mita, Prof. Fiqiri Sheri, Dr. Zenel Shalari, Dr. Thanas Dhimarko, Dervish Gjiti, ish zv. Dekani i fakultetit Barjam Maloku, Pandeli Gjika etj., të qëmtuara dhe qëndisura me pasionin e pa shoq nga nipi dhe shoku i tij, Leka Veraj, mbeten faqe hapura për lexuesin dhe faqe e ndritur për autorin!

Figura e tij ishte dhe mbetet një ikonë e arsimit dhe shkencës shqiptare, një emblemë e Labërisë…

SHKARKO APP