Tenori dhe pedagogu Kastriot Tusha: Mësimi online shumë stresues, mezi presim kthimin në auditore

Studentët që do të diplomohen në bachelor dhe master pritet të kthehen së shpejti në auditore. Tenori i njohur dhe pedagog në Universitetin e Arteve, Kastriot Tusha, në një intervistë për Ora News thotë se mësimi online ka qenë i vështirë për shkak të mosaksesit në internet por edhe cilësisë së dobët të tij.

Tusha: Online jemi në varësi të internetit. E dimë fort mirë sa fuqi ka interneti. Një pjesë e tyre nuk kanë akses, flas për studentët e Universitetit të Arteve, nuk kanë telefona Android apo janë në fshat dhe interneti është i dobët apo nuk ka drita. Është shumë stresuese, i falenderoj shumë pedagogët e Departamentit të Kantos se kanë bërë një punë të mirë. Do të fillojmë me 1 qershor me diplomat e bachelor dhe master,  duke ruajtur të gjithë parametrat e distancës fizike dhe dezinfektimit.Jemi të përgatitur për këtë situatë. Në Fakultetin e Muzikës janë 70-80 studentë për diplomim. Kemi një shans se e kemi mësimin individual. Mezi presim të hyjmë.

I pyetur nëse do të kenë një mirëkuptim ndaj studentëve për të gjithë situatën e kaluar duke e lëshuar pak dorën në nota, ai jep këtë përgjigje:

Tusha: Patjetër. Është lënë dhe në urdhëresat e MAS. Gjatë provimeve të mos ketë ngarkesa siç kishim normalisht. Nëse kemi 8 pjesë për diplomë, studenti edhe pas 5-6 pjesëve e ka treguar veten.

Si për secilin prej nesh, edhe për artistët kjo periudhë izolimi për shkak të pandemisë ka qenë e vështirë.

Tusha: Edhe ne artistët besoj e kaluam, se jemi drejt fundit të pandemisë, kjo ka lënë streset e veta pas. Shpresoj ta kalojmë me sukses, virusi është i vështirë dhe duhet të kemi kujdes me distancat fizike. Por fillimi ka qenë shumë i vështirë.

SHKARKO APP