Tensioni i ri Turqi-Greqi dhe gjeopolitika e energjisë
Nga Shaban Murati
Në shekullin 21 aleancat pothuaj kanë pushuar së ndikuari në raportet midis anëtarëve të tyre. Gravitacioni ka lëvizur drejt burimeve të energjisë, të cilat po ndikojnë dhe po përcaktojnë raportet në diplomacinë dhe në gjeopolitikën rajonale.
Tensioni i ri, që lindi këto ditë në marrëdhëniet midis dy shteteve anëtarë të NATO-s,Turqisë dhe Greqisë, për çështjen e zonave detare në detin Mesdhe, është një tregues elokuent se si burimet e reja të naftës dhe të gazit po kushtëzojnë klimën e marrëdhënieve midis shteteve.
Në 27 nëntor Turqia nënshkroi me qeverinë e Libisë dy memorandume, njeri për delimitimin e zonave ekonomike ekskluzive, EEZ, dhe tjetri për çështjet dypalëshe të sigurisë dhe të bashkëpunimit ushtarak. Memorandumi apo marrëveshja detare u ratifikua nga parlamenti i Turqisë në datën 5 dhjetor dhe në datën 7 dhjetor me botimin në “Gazetën Zyrtare” hyri në fuqi.
Në datën 7 dhjetor presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, njoftoi se marrëveshja detare midis Turqisë dhe Libisë është depozituar në OKB, siç është rregulli për marrëveshjet e rëndësishme detare të ratifikuara midis shteteve.
Marrëveshja detare midis Turqisë dhe Libisë përcakton kufijtë e Zonave Ekonomike Ekskluzive midis dy shteteve në detin Mesdhe dhe ligjëron të drejtat e tyre për shfrytëzimin e këtyre zonave në përputhje me sovranitetin e secilit shtet dhe me ligjin ndërkombëtar të detit. Marrëveshja shkaktoi një reaksion emotiv në Greqi, e cila e cilësoi si të pavlefshme dhe që shkel të drejtat greke në hapësirën detare mesdhetare.
Tërheq vëmendjen fakti që Greqia reagoi kundër marrëveshjes detare midis Turqisë dhe Libisë ende pa u njohur me përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje, e cila nuk është publikuar. Qeveria greke në mënyrë ultimative i kërkoi ambasadorit të Libisë në Athinë që t’i dorëzonte Greqisë brenda tri ditëve tekstin e marrëveshjes detare me Turqinë. Është një kërkesë jo normale nga pikëpamja diplomatike, sepse një shtet nuk është i detyruar t’i japë shteteve të treta marrëveshjet dypalëshe, që nënshkruan me shtete të ndryshme. Meqë qeveria e Libisë nuk ia dorëzoi tekstin e marrëveshjes, qeveria greke e dëboi ambasadorin e Libisë të akredituar në Athinë. Vëzhguesit diplomatike e gjetën disi të habitshëm faktin që qeveria greke nuk ia kërkoi ambasadorit turk të njëjtën gjë.
Reagimi i furishëm diplomatik dhe propagandistik i Greqisë ndaj marrëveshjes detare midis Turqisë dhe Libisë duhet shpjeguar me përballjen e një sfide të re në Mesdhe, që i lind tani Athinës pas marrëveshjes së re detare të dy shteteve mesdhetare. Greqia ka ndjekur një politike detare ekskluziviteti në Mesdhe, për t’i siguruar vetes hapësira sa më të mëdha juridiksioni detar të shfrytëzimit dhe përdorimit të pellgjeve të naftës dhe të gazit dhe për ta bërë Greqinë një forcë dominuese në detin Mesdhe dhe në detet lidhur me të, që nga deti Egje e deri në detin Jon. Zbulimi i rezervave të mëdha të gazit dhe të naftës në Mesdheun Lindor, të cilat sipas Shërbimit Gjeologjik Amerikan vlerësohen në qindra miliarda dollarë, bënë që politika detare e Greqisë të orientohej në krijimin e aleancave dhe grupimeve detare, që mënjanojnë Turqinë si një fuqi e madhe mesdhetare. Në këtë kuadër Greqia krijoi koalicione të reja energjetike me Qipron, Egjiptin, Izraelin, Libanin, etj. Koalicionet energjetike greke kanë një emërues të përbashkët, që zgjedhin shtete në konflikte dhe në armiqësi me Ankaranë, duke synuar që Turqia të përjashtohej nga përfitimet në zonat e reja detare me pellgje nafte dhe gazi në Mesdheun Lindor.
Kjo gjeopolitikë energjetike përjashtuese do të lindte konflikte të reja, në zhvillim e sipër, lidhur me shfrytëzimin e burimeve energjetike të rajonit mesdhetar. Së pari, lindi konflikti për zonën ekonomike ekskluzive të Qipros, të cilën Athina e konsideron të drejtë ekskluzive vetëm të qeverisë së Qipros Jugore greke, duke përjashtuar qeverinë dhe popullin e Republikës turke të Qipros Veriore, që gjithashtu ka të drejtën të gëzojë dhe të shfrytëzojë burimet e naftës dhe të gazit në hapësirat detare qipriote. Së dyti, lindi konflikti i ri për pellgjet e naftës dhe të gazit, që janë në zonën ekonomike ekskluzive midis Turqisë dhe Libisë, dhe të cilat Greqia i pretendon për veten e saj. Shqetësimi grek është gjithashtu edhe sepse kufiri i ri i zonave ekonomike ekskluzive midis Turqisë dhe Libisë i jep fund monopolit grek në këtë hapësirë detare dhe e pengon Greqinë që të jetë zotëruese e hapësirës detare, ku pritet të kalojë nëpër det një gazsjellës nga Lindja e Mesme për në Europë dhe që tani i bie të kalojë në zonat ekonomike ekskluzive detare të Turqisë dhe të Libisë.
Diplomacia greke po përpiqet të ngrejë një reagim ndërkombëtar kundër kësaj marrëveshje, edhe në 3 dhjetor në samitin e NATO-s në Londër, edhe në 9 dhjetor në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE në Bruksel. Natyrisht në samitin e NATO-s, ku janë anëtarë edhe Turqia, edhe Greqia, nuk arriti gjë, sepse NATO nuk mund të mbajë anë në një konflikt dypalësh të dy anëtarëve të saj. Por nuk duket se arriti as në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE në Bruksel në 9 dhjetor, ku ministri i jashtëm grek Dendias paraqiti kërkesat zyrtare që BE të dënojë marrëveshjen detare midis Turqisë dhe Libisë dhe të ndërmarrë sanksione kundër Turqisë dhe Libisë. Shefi i ri i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, deklaroi pas mbledhjes së 9 dhjetorit se disa vende të BE janë të shqetësuara për marrëveshjen e kufijve detarë të Turqisë me Libinë, por BE do të vazhdojë të studjojë marrëveshjen para se të vendosë të ndërmarrë ndonjë veprim.
Vetëpërmbajtja, që po tregon BE, është një shenjë se çështja e marrëveshjes detare midis Turqisë dhe Libisë duhet parë në një kuadër më të gjerë të respektimit të të drejtave dhe të interesave, që kanë të gjithë shtetet e rajonit për zonat e tyre ekonomike ekskluzive. Parimi i rëndësishëm është që e drejta e shfrytëzimit të burimeve të naftës dhe gazit në Mesdheun Lindor duhet të jetë kolektive e të gjitha shteteve të rajonit dhe jo vetëm i njërit shtet apo i një grupimi të mbyllur energjetik dhe politik.
Vetëpërmbajtja e BE duke se ka të bëjë edhe me lojërat e shumta energjetike, që po luhen në Mesdhe. Greqia vetë ka ndjekur përpara Turqisë praktikën e delimitimit të zonave ekonomike ekskluzive me shtete shumë larg saj si Egjipti. Ministri i jashtëm grek Dendias pranoi në 8 dhjetor se midis Greqisë dhe Egjiptit janë zhvilluar qysh në kohën e qeverisë së ish kryeministrit Cipras dhjetë raunde bisedimesh për të përfunduar një marrëveshje detare të përcaktimit të zonave ekonomike ekskluzive. Derisa Greqia po zhvillon bisedime me Egjiptin për të njëjtin tip marrëveshje, është e vështirë të pranosh se Turqia nuk ka të drejtë të zhvillojë bisedime dhe të arrijë marrëveshje me Libinë për këtë çështje.
Ngutja për të akaparuar pellgjet energjetike në Mesdhe e ka nxitur Greqinë drejt qendrimeve të gabuara lidhur me konfliktin e brendshëm në Libi. Athina po zhvillon marrëdhënie zyrtare dhe po përfundon marrëveshje zyrtare me forcat rebele të gjeneralit libian Haftar, që po zhvillon luftë civile për të rrëzuar qeverinë e ligjëshme të Libisë në Tripoli, qeveri e njohur ndërkombëtarisht nga OKB. Greqia dhe Egjipti në kritikat e tyre kundër marrëveshjes detare të Turqisë me Libinë po përdorin argumentin se qeveria e ligjshme e Tripolit nuk ka autoritetin të firmosë marrëveshje ndërkombëtare, në një kohë që Greqia dhe Egjipti po bëjnë marrëveshje ndërkombëtare të firmosura me forcat rebele libiane. Greqia ka arritur në atë pikë sa që po përdor forcat rebele të Libisë Lindore për të kundërshtuar marrëveshjen. Madje kryetari i parlamentit të Greqisë, Tasulas, ka ftuar për vizitë zyrtare në Athinë këto ditë kryetarin e dhomës së përfaqësuesve të Libisë Lindore të forcave rebele. Qysh në tetor në Athinë Banka Qendrore e Libisë Lindore të rebelëve ka nënshkruar me qeverinë greke marrëveshje për zbatimin e masterplanit për rindërtimin e Bengazit, qytetit të dytë më të madh të Libisë. Athina po mobilizon dhe po ndihmon forcat rebele të gjeneralit Haftar, që të përmbysin qeverinë e ligjshme në Tripoli dhe në këtë mënyrë të zhvleftësojnë marrëveshjen detare midis Turqisë dhe Libisë.
Strategjia greke në Libi për të sjellë në pushtet forcat rebele përputhet me strategjinë e njëjtë të Rusisë, e cila nëpërmjet rebelëve synon të vendosë influencën e saj në Libi. Jo rastësisht zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova, në 3 dhjetor shprehu mbështetje për qëndrimin e Greqisë në çështjen e marrëveshjes Turqi-Libi. Përpjekjet ruse për influencë në Libi kanë shkaktuar shqetësim në SHBA. Radio shtetërore gjermane “Dojçe Vele” shkruante në 29 nëntor se “Raportet në rritje për mercenarët e grupit “Wagner” të Rusisë, që kanë favorizuar Haftarin, kanë rritur frikën e Uashingtonit për një rritje të influencës ruse në rajon, duke ndezur zërat që SHBA i kanë hapur dritën e gjelbër kësaj marrëveshje të Turqisë me Libinë nëpërmjet NATO-s”.
Grindjet midis Greqisë dhe Turqisë për çështjet detare janë të vjetra dhe të shumta. Kështu që marrëveshja e re detare për përcaktimin e zonave ekonomike ekskluzive midis Turqisë dhe Libisë është një kapitull i ri tensioni midis dy shteteve dhe në Mesdhe. Vështirë të gjendet një zgjidhje, nëse shtetet nisen nga kërkesa maksimaliste apo monopoli në lidhje me shfrytëzimin e burimeve energjetike të detit Mesdhe. Në aspektin teknik divergjenca kryesore midis Turqisë dhe Greqisë për marrëveshjen me Libinë qëndron në interpretimin e të drejtës se ishujve për të pasur shelf kontinental dhe zonë ekonomike ekskluzive. Sipas Turqisë ishujt grekë nuk e kanë këtë të drejtë, aq më tepër që shumica e tyre janë pjesë e shelfit kontinental turk. Greqia niset nga interpretimi që ishujt e saj kanë të drejtën e zonës ekonomike ekskluzive dhe marrëveshja detare Turqi-Libi ka kapërcyer zonën ekonomike ekskluzive greke. Greqia e ka të vështirë ta çojë çështjen në një gjykatë ndërkombëtare arbitrazhi, sepse Turqia, ashtu si SHBA, Izraeli, Vatikani, dhe disa shtet të tjera, nuk e kanë firmosur konventën e OKB për të drejtën e detit.
Në situatë të tillë tensioni të ri midis Turqisë dhe Greqisë merr rëndësi zbatimi i një vije diplomatike të qetë dhe realiste për të zgjidhur divergjencat në tryezën e bisedimeve diplomatike dhe jo me politika përjashtuese dhe monopolizuese. Nga këto zhvillime merr rëndësi për Shqipërinë dalja e këtij tensioni, për shkak të dosjes së çështjes së paqenë të detit, ku diplomacia shqiptare i ka hapur me duart e veta varrin interesave jetike e kombëtare për detin shqiptar. Athina bën të habiturin që Turqia dhe Libia nuk kanë publikuar dhe nuk i dhanë asaj marrëveshjen detare të 27 nëntorit. Por qeveria greke në bisedimet e zhvilluara me MPJ të Shqipërisë në 2008-2009 për marrëveshjen e vdekur detare i kërkoi zyrtarisht qeverisë së Shqipërisë që të mos ia njoftonte përmbajtjen e bisedimeve detare as SHBA, as Italisë dhe as Turqisë, tre shtete anëtare të NATO-s dhe aleatë strategjikë të Shqipërisë. Greqia kërkonte të fshihte bazamentin e gabuar të procesit të bisedimeve, që përfunduan me marrëveshjen e zezë antikombëtare të detit, dhe të cilën me plot të drejtë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi si të pavlefshme.
Qeveria shqiptare duhet të ndjekë me vëmendje zhvillimet për konfliktet detare në Mesdhe, sepse kjo dinamikë zbulon taktikat dhe intrigat e diplomacisë dhe të qeverisë greke në lidhje me çështjet detare me të gjitha shtetet me të cilat Greqia ka hapur dosjet detare. Në vitin 2017, kur Shqipëria për fat të keq pranoi të rinegociojë me Greqinë marrëveshjen e vdekur të detit, duke shkelur vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese, Athina siç pohon në 6 dhjetor në një artikull të vet në “Ekathimerini” ish ministri i jashtëm grek Nikos Kocias, “arriti të sigurojë angazhimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE që respekti për ligjin ndërkombëtar të detit do të jetë kriter për palët e treta”. Ishte një lëvizje dinake greke në prag të rihapjes së bisedimeve zyrtare për detin me Shqipërinë me synimin që Shqipëria të pranonte interpretimin grek të ligjit të detit si një nga kushtet e anëtarësimit në BE. Diplomacia e Shqipërisë nuk ia bëri të ditur opinionit të saj publik këtë lëvizje greke në atë kohë.
Tensionet e reja për zonat detare dhe burimet energjetike në Mesdheun Lindor duhet të jenë kambana për diplomacinë dhe për qeverinë shqiptare, që të mos nguten siç bënë në vitin 2008 dhe në vitin 2017 për të negociuar kufijtë shtetërorë detarë, objekt i ndaluar nga traktatet historike ndërkombëtare dhe nga Gjykata Kushtetuese. Greqia u zgjua pas 100 vjetësh të kërkonte ratifikim të kufijve detarë me Shqipërinë për të akaparuar zona të reja pellgjesh nafte dhe gazi të zbuluara në detin shqiptar të Jonit. Qeveritë shqiptare e hëngrën karremin diplomatik, energjetik dhe gjeopolitik të Greqisë. Ndaj është jetike të dilet nga kurthi detar grek, që zonat e pasura energjetike shqiptare në detin Jon të mos shkojnë, siç deklaronte Kociasi, për zgjerimin e ujërave territoriale greke dhe as për përfshirjen e hapësirave tona detare në hartat e zonave ekonomike ekskluzive greke. Gjeopolitika greke e energjisë është gjeopolitikë përjashtuese me të gjithë fqinjët, ndaj qeveria dhe diplomacia jonë duhet të mësojnë përvoja të reja në mbrojtje të interesave jetike detare të Shqipërisë.
Gazeta Dita