Tetori i Dritëroit…

13-Tetori, ditëlindja e AGOLLIT

Nga Bektash Zeneli

Ndërkohë tek rendim nëpër rrugëtimin tonë të përbashkët, në këto ditë Tetori, vetiu ndërmend na vijnë prej mot-moti kronikat për ditëlindje udhëheqësish, pikërisht përgjatë këtij muaji. Si për kocidencë ndër më kryesorët udhëheqës shqiptarë e kanë patur ditëlindjen në këtë muaj. Në Tetor në ditën e trembëdhjetë të tij ka lindur një “udhëheqës” i një lloji tjetër, ndër kolosët e letrave shqipe, Dritëro Agolli. Besoj që lexuesit tanë do të ishin në një mendje që në këtë “konkurrencë” ditëlindjesh “tetoriane” mes udhëheqësish më së pari ky muaj do të njihej si Tetori i Driteroit, kjo edhe për faktin që për dekada me radhë Tetori qe edhe muaji i letërsisë dhe i arteve, ku Dritëroi banesën e vet të përhershme e ngriti pashkulshmërisht bash aty, në majat e letërsisë. Kadareja e vlerëson Agollin si të “pazëvëndësueshëm në dramën hijerëndë të letërsisë shqiptare…” e nga ana tjetër Qosja e ka përcaktuar si “krijuesin e madh të saj…”

Dhe s’ka se si të ndodhë ndryshe me vazhduesin dinjitoz e më rrënjë në zemër të kombit, të Naimit, Çajupit , Mjedës, Nolit, Migjenit e Poradecit – mjeshtrin e gjuhës së mençur plot bukuri te popullit, një Titan i cili na plotëson edhe si njerëz, një njeri i shpirtit të tokës dhe bukurisë njerëzore që siç shkruan pena e poetit të thekur: Në sofrën e epërme të Perandorisë së letrave zure vend/Me thërrimet e së cilës u ushqyen të gjithë/siç u ushqyen tragjeditë helene në sofrën e Homerit ….poeti e shkrimtari më së pari ishte e mbeti njeri i madh. Burrë shembull urtësie e mençurie, i thellë e zemër gjerë, me kulturë të jashtëzakonshme, i dashur, mikpritës e burrërorë, shpirt bukur.

E konsideroj fat njohjen nga afër, bashkëpunimin sa do të shkurtër me këtë gjigant të letrave shqipe. E kam patur jo vetëm në një rast personazh të dashur Dritëroin e papërsëritshëm në shkrime apo libra të mi. Ka qenë një ditë e zakonshme pune kur në korridoret e “Zërit të Popullit” mu shfaq profesori i gazetarisë. ish-gazetar i talentuar i “ Zërit…” Dritëroi bashkë me gruan e tij fisnike -Sadije. Agolli pas përshëndetjes së rastit më thotë se gjendeshin këtu për kryeredaktorin e gazetës , Thoma Gëllçin e meqë për momentin s’ndodhej në zyrë po largoheshin . Jo vetëm me shaka i drejtohem Dritëroit;

-A nuk do t’a pranonit kafenë nga pjesëtarë të “familjes” në mungesë të të “zotit të shtëpisë” ? ..domethënia ishte qartazi, duke e pranuar menjëherë. Aty pranë godinës së “Zërit…”, tek një kafene e zakonshme për pak minuta biseda jonë rroku fushën e gazetarisë, gazetën-legjendë të kohës ndaj së cilës regjimi i Berishës ushtronte represion të paprerë! Në një moment kur i them Dritëorit se vija nga Laçi, malësia e Kurbinit, më përgëzoi jo vetëm për profesionalizmin e angazhimin, por edhe sakrificën….Bëj kujdes nga “këta” më tha se i

urdhëron “Ai” … e kishte fjalën për shikësat e Berishës që urdhëroheshin po nga Ai, Berisha vetë deri në reprezalje ndaj gazetarëve e gazetave opozitare…! Ishte viti 1996. Në aktivitetet e rëndësishme të socialistëve takoheshim shpesh…në mbledhjet e KPD-ës sidomos. Ishim anëtare të forumit me të lartë socialist. Në një nga mbledhjet e saj ku trajtoheshin çështje organizative, ku me sa duket Dritëroi i quante të pa “rëndësishme” nxori lapsin e mbi letrën e bardhë hidhte vargje. Po e ndiqja nga afër në karrigen ngjitur me të’ . “ Ktheu nga shtëpia o Sali Berisha”-ia vuri titullin. Po e lexoja varg pas vargu. Në një moment, Dritëroi e ndesh vështrimin tim mbi letrën e tij dhe befas më pyeti.

-More vesh çfarë u diskutua këtu?-Jo i thashë, duke mos e përmbajtur të qeshurën e lehtë, unë po lexoja vargjet e tua. Ai po me të qeshur ma ktheu:-“herë tjetër mbaje mendjen në mbledhje. Pas dy ditësh vargjet e njohura satirike ishin botuar në “Zëri..” e të 70 mijë kopjet e sajë ishin shitur pa ardhur dreka.

Provo të “udhëtosh” me Dritëroin dhe do të shijosh ndjesinë e një udhëtimi të bukur. Ndër më të bukurit. Udhëtim përmes veprash letrare të rrallëhasura. Rendim në udhën e bukur të Tetorit bashkë me Dritëronë e madh. E bukur kjo udhë veprash e cila pikënis me “ Në rrugë dola” për të vijuar me “Hapa në asfalt” shoqëruar me “ Zhurma e erërave të dikurshme”, me “Shtigje malesh dhe trotuare“ ku që në krye të herës Dritëroi nis rrugën e shtruar me dashuri dhe fisnikëri, lëndinë me manushaqe e luleshqerra ku blerojën pranverat, vjeshtat dhe dimërat e tokës sonë, një testament për të gjitha kohët e brezat…për të arritur në “Mesditë” e kuvenduar me “Komisari Memo” , “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” e kryveprën ”Nënë Shqipëri”.

Ikona e gjallë e letrave shqipe, poeti homerik, i cili e ngriti dashurinë mbarëshqiptare në një kult. Ai befson dhe surprizon duke përcjellë pa prerë mesazhet e bashkëkohësisë ku tema e dashurisë dhe dëlirësisë së jetës, e hises së tokës dhe e qiellit të shqiptarve e dheut të ëmbël arbënor mund të themi se mbajnë kryet e vendit. E gjitha kjo na shtyn të endemi në veprën madhore të Agollit e mbrujtur me pathosin e një dashurie virgjine që i buron nga shpirti i madh poetik e njerëzor dhe shkon e shpërndahet në “mjedisin“ e shpirtrave të lirë të cilët ndjejnë nevojën e melhemit të vargjeve të tij. .

…Vazhdojme “udhëtimin” me Dritëroin dhe ja kur Ai lëshon një “tungjatjeta” për Mato Grudën tek “ Njeriu me top” përmes kuvendimit “Fjala gdhend gurin” … lexojmë “Trëndafili në gotë” për të zbuluar më pas “Fytyrën e dytë” e për të vijuar bisedën për “Moshën e bardhë”

Ecim…” Udhëtoj i menduar” për të mbërritur tek…” Njeriu i mirë” e folur me “Kalorësin lakuriq”, futemi tek “Arka e djallit” e që andej dëgjojmë “Tështimat e lirisë” të cilat vijnë edhe nga “I përndjekuri i dashurisë” për t’u ulur në atë lëndinë të bukur ku Dritëroi” lëshon thirrjen lutëse “ Prit edhe pak” …

Tek njihesh me veprën madhore krijuese të Dritëro Agollit, poetit, prozatorit, eseistit, idealistit e progresistit me contribute të fuqishme jo vetëm letrare mund të pohohet fuqimisht se ai mbetet një zë unik, një ikonë jo vetëm e letërsisë e më gjërë,i mendimit shqiptar, një moderator i madh që prodhoi vlera ne një shoqëri e cila ka nevojë për aq shumë vlera etike dhe morale të përmasave të tij.

Janë të rralla personalitet publike shqiptare siç është në të vërtetë Dritëro Agolli që janë identifikuar si Ai me dheun e vendit të vet, me plisat e baltën e arave, me sharmin e bukurinë virgjine të një bote që ai dinte ta sillte në vargjet e poezisë elitare me shijet dhe ngjyrat e gjalla të tokës, Ai qe dhe mbetet njësimi i poetit me etninë, apostulli i poezisë me rrënjë thellë në tokë e mes njerëzve të tij. Ende pa e shkelur tokën e Kosovës, me sytë e imagjinatës, me zërin e tij uragan promovoi prologjet e qëndresës së madhe kombëtare. “Udhëtova” këto ditë Tetori me Dritëroin përmes titujsh, veprash të pashoqe pa folur këtu për qindra e mijëra faqe librash, revistash e gazetash të kohës e dhjetëra intervistave televizive, fryte të veprës së pa përsëritshme të penëartit të rrallë popullor. Ditet, vitet,dekadat e pse jo shekujt tutje… e Dritëroi i madh vetëm tëhu. Ai radhitet ndër ata personalitet kombëtare që s’kanë datë-vdekje.

Kujtojmë atë ditë –morti në shkurtin e zi që kemi lënë pas. Një komb i tërë, mbarë shqiptaria në dridhërimë, përveç ndonjë karkaleci a pleshti…Përgjigjen për ta’ Agolli e kish dhënë që në të gjallë të tij tek “ Tështimat e lirisë” …Keni ecur ndonjëherë përmes një livadhi me karkalecë? Ata kërcejnë përpara fytyrës tënde …sikurse Bertold Brecht mjeshtërisht thotë:-“…peshkaqenëve u shpëtova/ujqërit i vrava/ më grinë pleshtat…

Atë ditë të lamtumirës Dritëro i dashur foli populli mbarë. Çfarë tha populli? Ai i ulur i tëri në gjunjë, pyeti tokën: A ka dhe që tret Dritëronë…? Ai veçse pushon. I qetë në shtëpinë e amshimit. E mban përjetësisht gjallë vepra e artë, një këngë që do të këndohet gjatë. Se ashtu sikurse Pushkini me daltë ja bëri vendin vetes…Dritëroi e bëri atë me penë.

SHKARKO APP