Thaçi – Vuçiç, delir i madh me kufij të vegjël!

Nga Arian Galdini

Fjalët e John Bolton ne Kiev sikurse edhe takimi i paradokohshëm me të dhe me Jared Kushner i Ivica Daçiç në DC, kanë përmbushur të gjithë hartën e spekulimit se pas idesë së korrektimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë qëndron Presidenti i SHBA Donald Trump.

Madje kongresmeni Dana Rohrabacher më ka shkruar mua një email këto ditë ku më kujton se një marrëveshje me axhustime kufijsh si ajo e bërë dikur mes Çekisë dhe Sllovakisë, do të ishte një ide shumë e mirë edhe për Kosovën dhe Serbinë.

Nuk e di sesa e ka të qartë historinë dhe pangjashmërinë e rasteve Dana, por me siguri për mua e bën të kthjellët panoramën se në politikën amerikane ka një sensibilitet të fortë përmbarues të çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë edhe me prapakthime historike.

Pra as John Boltoni, as ndoshta Jared Kushneri apo të tjerë, nuk janë rastësi e as surprizë.

Tek e fundit jemi brenda një normaliteti demokratik me mendime ndryshe dhe lobistë të cilët e kanë punën e tyre të përditshme të shtyjnë përpara e lart aq sa munden ide dhe axhenda të paguara mirë.

Por a janë këto zhvillime, aq bazike dhe me peshë, saqë të përbëjnë një sirenë alarmi për një ndryshim të qëndrimit zyrtar të SHBA për Kosovën?

Kurrë mos thuaj kurrë, por e dyshoj seriozisht.

Së pari, vlera e Këshilltarëve të Presidentit Trump shihet tek fakti sesa shpesh janë ndërruar e madje edhe tek përballjet e tyre me gjyqe e dënime. John Bolton nuk ka pse të jetë rasti përjashtimor.

Së dyti, Sekretari i Shtetit Pompeo dhe vetë Departamenti i Shtetit kanë folur nëpërmjet Ambasadorit të dekretuar Philiph Kosnett për mosndryshim të qëndrimit të SHBA.

Së treti, ideja e korrektimit të kufijve, duket se ka të njëjtët ideatorë, frymëzues, lobistë dhe mbështetës politikë që ka pasur ngahera.

Çdo të thotë kjo?

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur si një projekt paqeje me mbështetjen e plotë të Perëndimit.
SHBA dhe BE e kërkuan dhe imponuan Dialogun, sepse donin që ta avanconin paqen në Ballkan dhe ta përmbyllnin kapitullin e luftrave në këtë Rajon me një marrëveshje e cila zgjidh ngërçin e madh historik nëpërmjet njohjes reciproke.

Vetë kultura e Dialogut si e huaj për Ballkanasit, synon njëkohësisht që proçesi dhe marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, të jenë edhe perëndimorizuese në formë, përmbajtje dhe arritje për liderët e dy vendeve.

BE dhe NATO janë dy dyert e Shtëpisë së Perëndimit ku pritet dhe kërkohet që të anëtarësohen edhe Serbia edhe Kosova e të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nuk ka sesi vendet europiane dhe SHBA të lejojnë që kultura e huaj, kultura tjetër, kultura e pazarit të rrëzojë kulturën e parimeve mbi të cilat është ngritur e gjithë arkitektura e qytetërimit perëndimor.

Edhe kur zyrtarë të BE si Johanes Hahn e ndonjë tjetër si ai, apo politikanë austriakë që dasmat i bëjnë me Vladimir Putinin, vendosin ti bashkohen aradheve të mendimit ndryshe dhe të shndërrohen në mbështetës entuziastë të një marrëveshjeje kreative me shkëmbim a korrektim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, përsëri jemi në kushtet e opinioneve apo lobingjeve ndikuese por jo vendim-marrëse në Perëndim.

Të njëjtën mund ta themi edhe kur vetë Komisioni Europian me zërin dhe fytyrën e Zëdhënëses Kocijancic flet për lejim hapësire për marrëveshje, e duke nënkuptuar atbotë se nuk ka asnjë ndalesë për lojën e nisur nga Presidentët armiq dhe bashkëpunëtorë Thaçi – Vuçiç.

Thjesht, nisja zyrtare e lojës në Austri me bekimin e Johanes Hahnit dhe nxitimi i Komisionit Europian për ta konsideruar si nismë e përpjekje për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm dhe afatgjatë në Ballkan, idenë e korrektimit të kufijve, dëshmon se vetë ideja dhe partneriteti Thaçi – Vuçiç rreth saj e për të, nuk kanë asnjë lidhje me ndonjë ndryshim të mundshëm të qëndrimit amerikan me ardhjen në fuqi të Presidentit Donald Trump.

Kjo ide është shumë më e hershme dhe i ka rrënjët dhe frymëzimin tjetërkund.

Mbështetësit europianë të lojës Thaçi – Vuçiç, nxjerrin në pah se ndryshimi nuk vjen prej SHBA apo prej Trumpit e as nga ndonje ujdi konsiprative ne Helsinki, por thjesht ka rifituar forcë dhe zë aty ku ka qenë ngahera, tek e majta europiane.

Deklarata e Edi Ramës se është i gatshëm të nënshkruajë shqip, atë çka Komisioneri Johanes Hahn e tha anglisht në Durrës, është një tjetër pjesëz e zbuluar e mozaikut të frymëzuesve dhe prapavijës së lojës Thaçi – Vuçiç.

Mos të harrojmë këtu se Edi Rama nënshkroi Hahnin dhe jo Ramush Haradinajn që foli për mosprekje të temës së kufijve.

Sidoqoftë, thelbi është ky, Kancelarja Merkel dhe Presidenti i SHBA Donald Trump, mund të kenë pranë a rreth tyre shumë John Bolton apo Johanes Hahn, ama në fund vendosin vetëm ata në krye.

Vendimi madhor e parimor i Perëndimit për zgjidhjen e çështjes në fjalë , është marë krejt herët, gati 2 dekada më parë, kur bombat e NATO-s përcaktuan kufijtë e Serbisë dhe Kosovës.

Rasti i Kosovës shënoi edhe precedentin e një lufte të drejtë nga NATO në mbrojtje të një popullate nën agresion dhe së drejtës së saj për vetëvendosje.

Rasti i Kosovës ndryshoi edhe paradigmat e së drejtës dhe disa institucioneve ndërkombëtare.

Rasti i Kosovës u zgjidh me bomba nga NATO, që të betonohej si një rast unik, sui generis dhe i pangjashëm me raste të tjera të shtetformimit.

Dialogu si vijimësi e zgjidhjes në kohë paqeje ka qenë dhe mbetet rruga perëndimore e mbërritjes në një zgjidhje të mençur, kreative dhe aspak bizare.

Dialogu si instrument në kohë paqeje nuk nxitet e as eksploron mundësi pazaresh tipike për një kulturë joperëndimore.

Kancelarja Merkel jo rastësisht i quan të papranueshme ndryshimet e qëllimeve të dialogut, sepse ajo është sot mbrojtësja më e shprehur dhe më e zjarrtë e themeleve mbi të cilat u lartësua perëndimi.

Britania e Madhe gjithashtu nuk është kursyer aspak në kundështinë e vendosur ndaj idesë dhe partneritetit Thaçi – Vuçiç.

Të gjithë vendim-marrësit e vërtetë dhe finalë në Perëndim, janë shprehur kategorikisht kundër aventurës me lojëra kufijsh të lobuar dhe avancuar me këmbëngulje të çuditshme nga dy Presidentët Armiq Bashkëpunëtorë në Kosovë dhe Serbi.

Vetëm nivele ndikuese, këshilluese, lobuese dhe promovuese e kanë mbështetur lojën me korrektim kufijsh.

Pse atëherë Thaçi dhe Vuçiç guxojnë tê shkojnë kaq larg?

Sepse loja e tyre është shumë e hershme dhe ka nisur dhe është mbushur me gjymtyrë e marifete pak më parë ose bashkë me Proçesin e Berlinit.

Edi Rama pa asnjë mëdyshje ka qenë dhe mbetet lojtari i tretë i padukshëm i ujdisë së gatuar në zyra dhe mendje të së majtës europiane e ndoshta edhe tê tjerëve aktorë të tretë politikë apo privatë.

3 gjëra i bënë mençurisht dhe të rakorduar fort me njëri – tjetrin, këta 3 udhëheqësit arlekinë, autoritarë dhe të korruptuar të Ballkanit.

1. Iu qasën Proçesit të Berlinit si çuna të mirë e krijuan me sukses iluzionin se mezi prisnin të bëheshin çunat e Merkelit. Edhe vetë Merkeli e besoi për një hop. Në fakt, këtyre 3 arlekinëve të Ballkanit, Merkeli u duhej vetëm si legjitimuese e pushtetlojës që këta kishin për tu shitur në vendet e tyre si të favorizuarit e Perëndimit.

2. Me skenar e rregji të mirëorganizuar 3 arlekinët Thaçi – Vuçiç – Rama, prodhuan laboratorikisht me sukses të plotë “incidente luftëndjellëse me dron e tren”.
Tupanët e luftës që gjëmuan në stadiumin e Beogradit apo në shinat e trenit rus që u nis drejt Kosovës, e krijuan përsosmërisht atmosferën kërcënuese dhe frikësuese ndaj Perëndimit.

Kur shfaqeshin në media 36 mijë tifozë serbë të egërsuar për vdekje me 11 lojtarë të kombëtares së Shqipërisë për shkak të një droni të stisur nga Mjeshtrat e PR dhe Shërbimet përkatëse të Kryeministrave Rama dhe Vuçiç, me siguri të gjithë udhëheqësit dhe burokratët e Europës kanë kujtuar tmerret dhe mizoritë e freskëta të luftrave në ish – Jugosllavi.

Treni bëri të vetën po ashtu. Ritmikën e melodramës dhe suspansin e rriti edhe “trimëria” e dakordësuar e Ramës me Vuçiçin, mu në mes tê Beogradit. Ata të dy dhe Thaçi në Prishtinë, e kishin një plan. Ndaj u duhej vallja e luftës në TV e gazeta në mënyrë që tu kallnin datën me Fantazmën e një Lufte të re, të gjithë politikanëve dhe burokratëve perëndimorë.
Asokohe, kurkush nuk e kuptonte, por konteksti i ri e vendos gjithçka nën një dritë të re. Edhe deklarata e Edi Ramës në shkurt për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku në mes të Prishtinës foli për një President të Përbashkët, nuk paska qenë as gafë, as lajthitje, as ëndërr marroke, e as improvizim prej emocionit.
Paska qenë pjesë e mirëmenduar e planit Thaçi – Rama – Vuçiç.
Teza e Presidentit të Përbashkët mer kuptim tani, nën optikën e re të ofruar nga plani i Treshes së Arlekinëve.

Çfarë thonë pak a shumë propozuesit, zhvilluesit dhe promovuesit e idesë së korrektimit të kufijve?

a) Korrektimi i kufijve garanton paqen.
b) Korrektimi i kufijve garanton Integrimin e shpejtë europian.
c) Korrektimi i kufijve hap rrugën për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Me pak fjalë, rrengu e ka të plotë kurthin logjik dhe propagandistik. E Rama ka qenë në dijeni të këtij plani që në krye të herës, andaj e ka hedhur në Prishtinë karamelen kinsepatriotike të Presidentit të Përbashkët.

3. Çunat e Merkelit në fakt më shumë janë byrazerët e Erdoganit. 3 arlekinët e Ballkanit, me afrinë e tyre me Erdoganin, ia dalin të kërcënojnë drejtpërdrejtë mu në zemër çdo faktor perëndimor.

Të treja këto shtyllat të skenarit Thaçi – Rama – Vuçiç, kanë funksionuar për mrekulli deri ditën kur në Maqedoni fitoi Zoran Zaevi e nê Kosovë u bë Kryeministër Ramush Haradinaj.
Harmonia e 6 liderëve filestarë të Ballkanit Perëndimor në Proçesin e Berlinit u prish.
Zoran Zaevi qëlloi KM guximtar që brenda pak kohe lëvizi përpara reforma dhe çështje që askujt nuk ia merte mendja.
Edhe Ramush Haradinaj ka pothuajse tê njëjtat karakteristika.
Ardhja nê Klubin e Liderëve të Ballkanit e dy Kryeministrave që guxojnë të avancojnë reforma dhe tema tepër të vështira, i nxori zbuluar e plotësisht lakuriq, 3 arlekinët Thaçi – Rama – Vuçiç, të cilët bëjnë shumë show e pak ose aspak punë.

Prej këtu ka ndodhur edhe humbja e besimit që Merkeli e kishte krijuar dhe investuar tek këta të tre.

Mbetet pyetja, përse këmbëngulin Thaçi dhe Vuçiç që së bashku të shfaqen si një ekip për një qëllim dhe një ide?

Sepse ata e dinë që e kanë humbur Merkelin dhe nuk e kanë pasur kurrë Trumpin me vete.
Ata e dinë se ideja e tyre për korrektim kufijsh, do ndalet e nuk ka asnjë shans të trajtohet e zhvillohet më shumë sesa një trallisje politike, mediatike dhe test për shumëkënd tjetër.

E megjithatë ata e duan këtë moment lavdie duke shijuar famën e mediave dhe vëmendjes maksimale të kancelarive dhe udhëheqjes ndërkombëtare.

Çuditërisht, të 3 arlekinët e Ballkanit, edhe Edi Rama, edhe Hashim Thaçi edhe Aleksander Vuçiçi vuajnë rëndë nga Kompleksi i Liderit Global.

Ata e shohin veten si Nobelistë për Paqen, si Çunat e Merkelit, si byrazerët e Erdoganit dhe si shokët e dhëndrit të Trumpit.

Kufijtë e Ballkanit u rrinë të vegjël këtyre lloj liderëve që nuk e durojnë dot më faktin që të jenë sundimtarë kaq të pasur të vendeve e njerëzve kaq të varfra sikurse janë Kosova, Shqipëria dhe Serbia.

Plani i përbashkët i dominove dhe dominimit në Ballkan, u jep ndjesinë e triumviratit që sundon një Rajon të tërë.

E kanë delirin e madh, prandaj u duken kufijtë të vegjël.

Ndihen lojtarë politikë të peshës dhe dimensioneve të tilla që mund të bëjnë me kufijtë e Rajonit, atë që bënë pas L2B në Konferencën e Jaltës, 3 burra të tjerë të cilët quheshin Rusvelt, Stalin dhe Çurçill.

Thelbi i problemit qëndron në faktin se Thaçi – Vuçic dhe Rama e duan ose e përdorin tezën mbi marrëveshjen me korrektimin e kufijve sepse nuk kanë, nuk munden e nuk dinë asnjë rrugë apo vizion demokratik në e për udhëheqjen e tyre.

Show, ujditë me konsensus negativ, hiletë, marifetet dhe deliri i tyre, janë gjithçka çka ofrojnë këta të 3.

Pra, nuk duhen nënvleftësuar e as toleruar.

Duhen ndalur me akte të qarta politike.

Ngjarjet më fatkeqe dhe më tragjike në Rajonin tonë dhe ngado në Glob, kanë ndodhur kur në krye të punëve kanë ardhur të tillë udhëheqës.

Arlekinizmi në politikë paraqet rrezikshmëri të shkallës më të lartë.

SHKARKO APP