Themeluesit e Google japin dorëheqjen

Themeluesit e Google, Larry Page dhe Sergey Brin, dhanë dorëheqje nga rolet e tyre në kompaninë simotër të gjigantit të teknologjisë.

Ata do t’i lënë rolet e shefit ekzekutiv dhe të presidentit në Alphabet por do të mbeten në bord. Shefi ekzekutiv i Google, Sundar Pichai, do të bëhet shef ekzekutiv edhe në Alphabet. Alphabet u krijua në vitin 2015 si pjesë e ristrukturimit të Google.

Kompania simotër kishte për qëllim t’i bënte aktivitetet e gjigantit të teknologjisë “më të pastra dhe më të përgjegjshme”, pasi ai ishte zgjeruar nga kërkimet në internet në fusha të tjera, të tilla si veturat pa shofer.

Page dhe Brin, themelues të Google më 1998, u zhvendosën nga Google në Alphabet më 2015, duke thënë se duan të përqendrohen në nisma të reja. Por, në një blog të postuar online, bashkëthemeluesit thanë se do të tërhiqen nga administrimi ditor i kompanisë.

Ata theksuan se “do të mbeten të përfshirë në mënyrë aktive si anëtarë të bordit, aksionarë dhe bashkëthemelues”./REL

SHKARKO APP