Timo Luto, ‘Kronika e fundit’ e një gazetari

Një rrugëtim personal i gazetarit Timo Luto në librin “Kronika e fundit” , botimet “Dituria”;  një meditim mbi kohët e shkuara dhe të tashme, një diskutim i heshtur me të gjithë ne që kemi përshkuar të njëjtën rrugë, të njëjtën trajektore jete, të paktën në dimensionin kohor dhe në ngjarjet kryesore historike të këtyre dekadave, ku kemi qenë të gjithë bashkëkohës

Nga Diana Çuli

Shpesh herë të tërhequr vetëm nga veprat e mirëfillta letrare i anashkalojmë ose i shtyjmë për t’i lexuar më vonë shumë libra që mund të kenë interes të veçantë për historinë tonë të përbashkët. Dhe nuk e kam fjalën për libra të rëndë historie, por për ato lloj librash që janë një zhanër më vete midis kujtimeve, biografisë dhe reflektimeve për periudhën mbi të cilën shkruajnë. Një libër i tillë është dhe Kronika e fundit, botuar nga shtëpia Botuese Dituria, shkruar nga Timo Luto, gazetari i njohur i RTSH, zëri dhe kronikat televizive të të cilit kanë shoqëruar gati tre breza shqiptarësh, duke filluar që në vitet ‘70 të shekullit të kaluar.

Çfarë është ky libër? Një rrugëtim personal, një meditim mbi kohët e shkuara dhe të tashme, një diskutim i heshtur me të gjithë ne që kemi përshkuar të njëjtën rrugë, të njëjtën trajektore jete, të paktën në dimensionin kohor dhe në ngjarjet kryesore historike të këtyre dekadave, ku kemi qenë të gjithë bashkëkohës.

Timo Luto e fillon librin si një rrëfim autobiografik – duke rrëfyer qetësisht e me masë – si gazetar me përvojë që është dhe që e di se asnjë fjalë nuk duhet të jetë e tepërt – një histori familjeje, duke e zgjeruar ngapak me historinë e Hekalit, të viteve të Luftës së Dytë Botërore, duke kaluar nga një  histori personale në atë të një krahine e të një populli. Dhe ky është një perceptim që i jepet shumë natyrshëm lexuesit, të cilit i duket sikur kalon në shtigje të ngjashme të historive të tij. Në të vërtetë, bëhet fjalë për një lloj autobiografie intelektuale, e cila, përmes fakteve  të individit, hedh dritë mbi disa prej momenteve historike më të rëndësishme të disa dekadave  të  historisë sonë dhe veçanërisht të zhvillimit dhe të ecurisë së Radiotelevizionit Shqiptar – një prej institucioneve publike më të rëndësishme – sidomos deri para forcimit të mediave vizive private.

Është një fat për lexuesit, për studiuesit, për historianët, për sociologët, që një gazetar si Timo Luto të përshkruajë ecurinë e këtij institucioni që në periudhën e regjimit e deri në ditët tona. Eshtë fat, sepse jepen në vetë të parë fakte të jetuara nga autori. Subjektiviteti dhe interpretimi historik dhe politik janë dhënë me një vetëpërmbajtje shumë të çmuar dhe aspak këmbëngulëse. Në një libër të tillë është e qartë se nuk kërkohet interpretim shkencor, Kronika e fundit është një libër me opinione, mbresa dhe interpretime personale të ngjarjeve të rëndësishme, por nga ana tjetër, këto opinione dhe interpretime janë tepër të vlefshme për të reflektuar, secili në mënyrën e tij, për ngjarje që i njohim të gjithë. Dikush mund të gjejë afirmim në ato që ka menduar vetë, dikush tjetër mund të ketë dhe objeksione, por pikërisht ky është qëllimi i këtij libri: rindërtimi i kuadrit të ngjarjeve për të nxitur reflektimin mbi çështje të rëndësishme të medias, të televizionit publik, të qëndrimeve, të integritetit të gazetarëve, të profesionalizmit të tyre e  të tjera çështje të tilla që të gjithë ne i diskutojmë paprerë.

Përmbajtja e librit mund të ndahet në dy pjesë: në pjesën e parë, përveç fillimeve të viteve të shkollës etj., kemi përshkrimin – nëpërmjet përjetimeve personale – të mënyrës së si drejtohej Televizioni Publik në kohën e regjimit, të vështirësive dhe rreziqeve që vinin për shkak të ideologjisë sunduese, po edhe të reagimeve të ndryshme të njerëzve të ndryshëm ndaj pushtetit. Në pjesën e dytë kemi ardhjen e sistemit demokratik dhe ndryshimet në përmbajtje që pëson edhe RTSH, gjithnjë të përjetuara nga vetë autori, kemi pothuajse pamundësinë për të patur një televizion publik në kuptimin e vërtetë të fjalës, për shkak të mentalitetit të vjetër, ndikimeve të politikave tashmë shumë të ndryshme nga njera tjetra, sipas partisë që vinte në pushtet, dukurive të reja amorale që zëvendësojnë ato të vjetra, që ishin kryesisht servile dhe  që u zënë vendin korrupsioni, kthimi i parprerë i fletës, po edhe dëshira për të patur radio e televizion vërtet demokratik.

Lexuesi do të gjejë aty, nga një gazetar që i ka “prekur me dorë”  momente nga vitet ’70 e ’80 kur regjimi egërsohej e ashpërsohej, nga ’97-a, nga 14 shtatori, nga seanca parlamentesh, emërime e ndryshime drejtorësh dhe midis tyre fatet e gazetarëve që punonin në RTSH – fate shpesh të diktuara nga këto rrethana.

Urojmë që sa më shpesh të kemi në dorë libra të tillë, të shkruar me profesionalizëm dhe me qëndrim qytetar, që lexuesi i lexon jo vetëm me ëndje dhe kureshtje, po edhe me ndjenjë të thellë reflektimi. MAPO

SHKARKO APP