“Tirana Open”, Rama: Shqipëria, destinacion dhe për dashamirësit e artit

Kryeministri Edi Rama shprehu sot angazhimin e qeverisë për kthimin e Shqipërisë në një destinacion edhe për dashamirësit e artit dhe të kulturës në rajonin e Europës Juglindore.

Duke marrë fjalën në ceremoninë e çeljes së “Tirana Open”, festivali i librit dhe arteve pamore, në Pallatin e Kongreseve, kryeministri deklaroi se ky aktivitet, që nisi si “një ide e mikut të paharruar Ardian Klosi, është kthyer në një pikë referimi që vit pas viti do të shkëlqejë si një institucion i krijuar nga njerëzit e artit, për njerëzit e artit”.

Qëllimi ynë, tha Rama, është që të stimulohen dhe të mbështeten sa më shumë nisma të njerëzve të njohur të artit sa herë që qasja e tyre është me projekt dhe sa herë që projekti i tyre hyn në mundësitë tona për t’i mbështetur edhe financiarisht.

Kryeministri shprehu bindjen se duke investuar te dituria dhe kultura ne në fakt bëjmë një investim shumë herë më të çmuar se sa faktet që prodhojnë këto projekte, se bëjmë një investim tek liria e brendshme e njerëzve dhe tek liria e vetë shoqërisë sonë. “Tirana Open”, shtoi Rama është një kontribut për librin dhe mendimin, ndaj kjo është një arsye për të ftuar dhe prindërit që në këtë aktivitet të sjellin fëmijët e tyre.

Festivali i Librit dhe Arteve “Tirana Open” çeli sot siparin e edicionit të dytë të tij në Pallatin e Kongreseve, përmes veprave në letërsi, arte pamore, muzikë, arkitekturë dhe filma dokumentarë.

SHKARKO APP