Tirana tingëllon Rock, nis Festivali i Rockstock-ut

Nga Albina Gjergji  – 

(Rikthehet për të dytin vit radhazi në Sheshin “Nënë Tereza” ngjarja e vitit. 17 banda rocku; Kosova, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Ukraina dhe Shqipëria pritet të performojnë mbrëmjen e sotme e të nesërme)

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana do të tingëllojë rock. Falë iniciativës së artistëve dhe organizatorëve, Elton Deda dhe Erjon Zaloshnja, Rockstock Music Festival rikthehet për të dytin vit radhazi me gjithë madhështinë e tij në Sheshin “Nënë Tereza”. Shtatëmbëshjetë grupe, që kanë udhëtuar nga Kosova, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Ukraina, si dhe Shqipëria pritet të performojnë tek Ish-Kolonat, në ngjarjen më të madhe muzikore, i cili çdo vit do të trokasë në formën e maratonës për tre net me radhë.

Por edhe pse moti me shi duket se nuk ka qenë në favorin e eventit mbrëmjen e parë të Festivalit, organizatorët kanë menduar edhe planin B. Tre netët e Rock&Roll të planifikuara, përkatësisht për enjten, të premten dhe shtunën, do të përmblidhen në dy. Pra sonte dhe nesër mbrëma RockStock Music Festival, mes grupeve të renditura sipas programit artistik do të ngjisë në skenë edhe bandat që ishin planifikuar të këndonin mbrëmjen e djeshme. “Miq të RockStock Music Festival, moti me shi duket se nuk është në favorin tonë sonte. Me gjithë dëshirën e madhe për t'u takuar të gjithë bashkë në natën e parë të Festivalit, NJOFTOJME që eventi shtyhet për nesër e pasnesër, përkatësisht në datat 25 dhe 26 shtator (sonte dhe nesër). Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, PREMTOJMË që nesër e pasnesër do ia vëmë FLAKEN edhe shiut… po guxoi të na e ndalë hovin. Domethënë, SMOKE ON THE ËATER”, thuhet në njoftimin zyrtar të Festivalit Rockstock.

Sipas Elton Dedës, disi i pezmatuar për anullimin e natës së parë të Festivalit nga moti i paqëndrueshëm, lidhur me eventin shprehet se, synimi është që ky festival të kalojë nga rajonal në ndërkombëtar vitet e ardhshme. “E gjithë tendenca është që nga festival rajonal të kalojë në festival internacional, kjo sigurisht që ka projektin e vet dhe duhen 4-5 vite, por të fillojë të dalë fjala se edhe Tirana ka një festival që pret të gjithë rockerët nga gjithë bota”. E rëndësishme për kantautorin është që ky festival jo vetëm të krijojë traditën e tij të përvitshme, të mbledhë rreth vetes zërat brilantë të së shkuarës dhe të së tashmes, por edhe të shpërndajë mesazhe dashurie, miqësie dhe bashkëpunimi. Sipas tij këtë nuk mund ta bëjë asgjë dhe askush më mirë sesa muzika e mirë.

Gipsy Groove, Asgjë Sikur Dielli, Offchestra, Altin Goci & Band, Shpat Deda, Renis Gjoka & Band dhe “Tre musketierët” (Aleksandër Gjoka, Redon Makashi dhe Elton Deda), janë vetëm disa prej artistëve të muzikës rock shqiptare që do të performojnë sonte dhe nesër mbrëma. Të tjerë, si; The Curlies, Altin Goci Band, Offchestra, Irie FM, Duck Lord, RockStock Band, Centaur (Reunion), Muscle Tribe of Danger and Excellence (të ardhur posacërisht nga Kroacia), Crossbones, Gipsy Groove, Shpat Deda, Jinjer (Ukraine), Jericho, Elita 5 pritet të argëtojnë publikun dhe fansat e muzikës rock.

 

Altin Goci (Ritfolk):  Privilegj që jam pjesë e këtij Festivali

Ndjehem i privilegjuar që jam pjesë e këtij festivali, terësisht live, me një stage të mrekullueshëm dhe ku luhet rock i bukur. Vjet ishte një publik i shkëlqyer, që si gjithmone më lë pa fjalë. Sivjet besoj se do jetë edhe më bukur, pasi ndërgjegjësimi është rritur. Një gjë që i ka munguar shumë këtij vendi. Ideja e një Festivali të tillë është shumë e mirë dhe gjej momentin për të falenderuar ideatorët  dhe organizatorët, miqtë e mi Elton Deda dhe Erjon Zaloshnja. Vit pas viti ndërgjegjësimi për muzikë të mirë rock po shtohet edhe falë këtij eventi. Muzika duhet bërë me pasion dhe duhet të ngelet ndër vite, jo të harrohet pas një stine. Këtë e tregojnë këngët tona (këngët e gjithë brezit tonë), të cilat edhe sot këndohen nga të gjithë brezat. Tregu ka evoluar në teknologji dhe kjo mbase i ka bërë keq vlerave, duke ju dhënë mundësi edhe pseudoartistëve të sundojnë tregun. Por është koha ajo që i tregon vlerat e vërteta. Mesazhi që unë dëshiroj të shpërndaj nëpërmjet pjesëmarrjes sime në këtë Festival është: Peace and Love.

 

Renis Gjoka: Rockstock, ilaç për “sëmundjen” që ka kapluar muzikën

Organizimin e një Festivali rocku në vend e shoh si ilaçin më të mirë për të shëruar sëmundjen që ka kapluar muzikën shqiptare. Publiku duhet të vijë në Rockstock festival, sepse këtu do të luhet muzikë live dhe kualitative. Sa i takon idesë që Festivali i rockut të kthehet në një event ndërkombëtar më duket një ide shumë e mirë, por do të doja që megjithëse RockStock mund të kthehet në Festival Ndërkombetar, prioriteti kryesor, do ishte mirë të ishin sërish artistët shqiptarë. Sepse, nëse artistëve të huaj i shtohet edhe një festival rock-u më shumë ndër dhjetra, ne të Shqipërisë një kemi (qesh). Këtë, që është unik në llojin e tij tek ne.

 

Leonard Bombaj: Elton Deda, protagonist i ‘90-ës dhe influencë tek brezat sot

Respekt për Elton Dedën që nga protagonist i 90-ës është influencë tek brezat sot. Respekt për suportin “Frë of Charge” të Erjon Zaloshnjës në këtë mision historik – është shprehur Leonard Bombaj lidhur me iniciativën e dy artistëve për Fesivalin e Rockstock Music, por edhe mbi përbajtjen e filmit dokumentar, “Antologjia e muzikës rock shqiptare”, premiera e së cilës u dha të hënën në Kinema Imperial.

SHKARKO APP