Tirana, vendi i kinema-parajsave
Vërtetë Tirana e viteve ’20 dhe ’30 nuk i ngjante në infrastrukturë metropoleve të tjera ballkanike simotra, por interesat e saj filloi t’i kishte shumë të mëdha. Këtë e tregon numri i madh i kinemave në qytet, që shpërhapi një kulturë të re në kryeqendrën e re të shqiptarëve. Por, çdo gjë e ka një fund. 100 vjet më vonë, Tiranës i janë tretur sallat e kinemasë, kurse ato të dikurshmet, po harrohen madje edhe në kujtime…
Nga Ben Andoni, JAVA
“Tutkun, hapi sytë!”; ”Mos u shty!”; “Do ketë të puthura?”; “Ik, ti mut, s’të lajnë në shtëpi?!”; “Qelbesh!”; “Tate, 5 Fronga”; “Oh sa kam qarë dje…”; “Mama…”; Ofshama. Përlotje. Sy të zgurdulluara t’ngulura në bezen e bardhë. Befas, nga sipër, fluturon në ajri ndonjë pështymë. “Plehra, u botë dhe ju për kinemo”…
Mos kujtoni se është “Kinema Paradiso” me subjektin e Tornatores. Jo, jo, asfare. Është një situatë e zakonshme në një nga kinematë e dikurshme të Tiranës, sot qytetit tonë milionësh, që në vitet ’20 dhe ‘30 ishte një qendër e vockël urbane, ku mezi po ngriheshin 2-3 hotelet e para, dhe ku të huajt ngatërroheshin dhe i zinin rrugën njëri-tjetrin për një dhomë ku të shtriqeshin rehat. Ani, logjika e tregtarëve vendas kërkonte një fushë tjetër ndryshe për të fituar, krejt ndryshe prej atyre tradicionale. Fusha është zbuluar. Kulti i kinemasë ka kapur Evropin. Po ne? Tregëtarët, që kishin lënë takijet dhe taçat dhe pazarin me karvane, e tashmë vishnin këpucë llustrafina me çorapet deri afër gjurit, iu turrën bobinave të pelikulave, që i blinin andej-këndej në Ballkan deri matanë detit. Më 1917, prova që kish bërë një austriak, rezultoi e suksesshme. Mrekullia e filmit i kish mahnitur qytetarët-fshatarë të Tiranës, që binin ende erë përç. Vërtetë haletë i kishin në fund të oborrit, por mrekullinë e botës e kishin para syve. Ca shtrëngonin ushkurët, të tjerët përhumbeshin. Po para bezes së filmit ishin njësh fëmijë. Vetë fëmijët hanin çoka, kur dikush dilte pak e zhveshur në ekranin e madh. Tek lulishtja “Orient” në lagjen “Fortuzi” të vjetrit mund të mbajnë mend ende sesi mblidheshin njerëzit gjithë ngut. Vetëm tre vjet më vonë, pak më tutje në Kafe “Central”, pronari Spasso Çepunjo hapi një tjetër vend ku mund të këqyreshin filma dhe më 1926 mori jetë një tjetër kinema. “Iliria” e Dhimitër Voillës e filloi projektimin mu në kopshtin e Hotelit. Austriaku Rudolf Pentz mendoi të modifikonte mjedisin e kafes së vet. Tek “Orient” shfaqeshin filma, që vinin nga metropoli austriak. Një garë e fshehtë valonte mes pronarëve, që emancipimin e lidhnin me sallat e tyre të kinemasë. Tirana, kështu po e ndjente realisht lezetin e të qenit kryeqytet. Kjo ishte koha kur një nga arkitektët më të mirë të qytetit, Skënder Luarasi i dhanë porosinë e parë. Ai ndërtoi “Nasionalin”, për vëllezërit Beshiri, që vite më vonë italianët do ta përshtasin pas djegjes në Kinema “Rex”. Kinemaja do japë shpirt si godinë në ditët tona me emrin legjendë: “17 Nëntori”. Kinemaja jo vetëm e plotësoi sqimën e porositësve, por u bë një pikë ngjitëse në qytet. Aty bëheshin parjet e çifteve dhe po aty përpunoheshin ndjenjat e para estetike të popullsisë vendase. Frekuentuesit më të rregullt mbeteshin të rinjtë dhe sidomos ata që ktheheshin nga jashtë. Pronarët vendosën t’ua ushqenin interesat edhe me filmat e zgjedhur. Mes tyre, një figurë e njohur që është ende mes nesh, historiani Kristo Frashëri pretendon se Kinema “Gloria”, 500 metra tutje “Nasionalit”, ishte model emancipimi për vitet ’30 dhe ’40. Personazhe të njohura të kohës ishin tani t’gjalla falë filmit për publikun shqiptar, që po dilte me vrull nga gjumi i thellë osman. Situata është pak groteske se përkthimi bëhet me zë. Në pushime, kur ndërrohen bobina ka zakonisht tollovi, por pronarët fusin për herë të parë dhe shfaqje të tjera, derisa jo rrallë në vend të kinemasë jepet teatër. Po teatër. Këtë e kupton më së miri, më 1934, Dhimitër Canco, një intelektual i këndshëm, që s’është vetëm pronar i zakonshëm i “Gloria”. Ai di të zgjedhë filma që e joshin rininë e kryeqytetit. Canco e ka blerë kinemanë kur quhej “Diana” dhe e mban tashmë “Glorien” e tij deri më vitin 1947, kur bëhet shtetëzimi i kinemave, sipas ligjit të 16 prill 1947. Te “Gloria” Kadri Roshi, aktori i njohur i pas-luftës, që i mbahet pak goja, do punojë si biletashitës. Këtu merr dashurinë për filmin, që e ndjek për çdo natë, kolegu i tij i mëvonshëm Naim Frashëri. Ky i fundit, kur kthehet në shtëpi, hedh çdo përshtypje në letër. E ndërsa një pjesë shkon thjesht të shikojë filma, një pjesë tjetër e spektatorëve ndjekin teatrin dhe shfaqjet, që bëhen në këto vende. Tefta Tashko Koço “…më 8 qershor 1938, bashkë me Marie Krajën japin koncert në kinema ‘Gloria’ në Tiranë shoqëruar nga orkestra frymore e Shkodrës, udhëhequr nga Preng Jakova, ku bashkë me to këndoi edhe djaloshi nga Boboshtica e Korçës Kristaq Koço, i porsaardhur nga Rumania…”, shkruajnë kronikat e kohës.
Kronika, pa ndalim
Për fat, historia shkruhet tani prej të pasionuarve. Një i tillë, Spiro Vasil Mëhilli, do të shkruajë pak më parë në mënyrë skrupuloze në librin e tij “Tirana, 1920-1944” një kronologji të tërë për kinematë e qytetit. Pak shkëpusim edhe ne prej saj: Kinema- teatër “Nasional” u hap më 22 Qershor 1926. Pronarë ishin Xhuf Koliaka, familja Hobdari dhe Ferid Vokopola. Më 1930, ajo u bë pronë e Familjes Beshiri. Më 1939 u dogj dhe u ndërtua nga themelet. Më korrik 1940 mori emrin e ri: Kinema- Teatër “REX”. U shtetëzua më 1947. Kinema-teatër “IDEAL” më 1922-47, pronë e Ali Sheqerit. Kinema verore “Ideal” më 28 qershor 1934. Kinema “Popullore” më 23 gusht 1930. Kinema “Diana” më 1 gusht 1931 me pronarë Muharrem Qosjen, Gavril Laskun dhe F. Krajën. Kinema verore “Imperiale”, që u ndërtua më vitin1939 në pronësi të familjes Qosja. Kinema-teatër “Rozafat”, që u ndërtua më vitin 1931 dhe shërbeu deri në shtetëzim në vitin 1947, kur pronar ishte Murat Kamani. E mori në përdorim Jusuf Beshiri. Kino- Lulishte “Skënderbeu”, që u themelua në vitin 1934 me pronar Ali Sheqerin. Kinema “Haverik”, që kishte pronar Fadil Haverikun. Më vonë u quajt “Punëtori” dhe në vijim Estrada e shtetit. Kinema “Dopo lavoro”; Kinema- teatër “Savoia” 1940-1943. Deri më 1944 ishte “Kosova” me drejtor Koço Janku. Klubi “Dante Aligieri”. Kinema “Skënderbej” me pronar Z.Shpuza; Kinema-teatër “Tomori” viti 1942 me drejtor Koço Janku; Kinema “Paris”, që funksionoi nga 1944-1947. Kinema verore “Donika”, që shërbeu nga vitet 1942-1947. Pronarë ishin Jani Opari, Xhuf Opari dhe italiania Vinçenza Bova. Kinema verore “Impero” që u themelua më 26 prill 1943.
Jo vetëm kaq…
Por të gjitha këto nuk do të shërbenin thjesht si vende ku projektoheshin filma, pasi që nga vitet 1926 ato “e kalojnë” atributin e tyre. Në to do të kemi shfaqjen e pjesëve të vogla disa minutëshe për të kaluar në drama, komedi e tragjedi të autorëve vendas e të huaj. Në kronikën që kemi sërish prej z. Mëhilli kemi të regjistruar shfaqjen e parë më 24 korrik të vitit 1927, kur në kinema-teatër “Nacional”, jepet shfaqja me titull “Qëndrim në dashuri” të autorit Muhsin Serezi. Përveç tij, në sallat e ndryshme do kemi pjesë të Kristo Floqit (shkrimtar avokat), Foqion Postolit etj. Disa rrethe kanë pjesët e trupat e tyre. Më 28 tetor të vitit 1930, grupi i teatrit të Romës “Quirino” shfaqi “Berberin e Seviljes” nën interpretimin e Diana Fiumana, Jole Rizzuto. Kurse më 26 dhjetor të vitit 1930 nën patronazhin e Princeshës Ruhije Zogu, grupi filodramatik “ORFE i bandës mbretërore shfaqi “Lulen e Kujtimit” të Foqion Postolit. Më 19 mars të vitit 1933, në kinema “Diana” jepet premiera e vodevilit “Pata”, përkthyer nga Cuk Simoni, vënë në skenë nga Henrik Lacaj. Më 1933 jep koncert Lola Aleksi dhe Kristaq Antoniu. Dhimitër Canco shkon dhe me tej, kur krijoi grupin humoristik më 1934 me Mihal Popën, Matish Prendushi etj. Kemi një pjesë të Et’hem Haxhiademit, të rregjistruar po ashtu në kronika…Më 17 maj 1935 interpretoi Mihal Ciko i sapoardhur nga Italia. Më 15 nëntor 1942, jepet një Koncert simfonik nga Shoqata “Dante Aligieri” e kështu me rradhë. Tirana gëlon nga shfaqjet, si të jetë Tirana e shekullit XXI.
Pas
Italia ka plane të mëdha për koloninë e saj të re dhe më 30 shtator1942, me porosi të Benito Musolinit krijohet në Shqipëri, shoqëria “Tomorri Film”. Në krye të saj, Franco Taglarini, që ka si këshilltar shqiptarin Mihallaq Mone kanë ide të mëdha. Ky i fundit bën disa dokumentarë interesantë për kohën. “Takim në liqen”, “Ullishtat e Vlorës”, “Miniera e Selenicës”, “Gjaku në Karaburun”, “Martesa në Nartë”, kanë sukses, por edhe ngjallin shpresë. Shqiptarët tentojnë filmin e parë me metrazh të gjatë “Bija e Bajraktarit”. Skenarin e merr ta realizojë Medin Kamber Bego, por ai u tërhoq dhe e atë e përfundon Ernest Koliqi. Regjisor do ishte italiani Aldo Vergano.
…
S’ka më kohë për plane. Ka filluar Lufta e Madhe. Sekuencat e filmave, ndërpriten nga dokumentarët e sukseseve fashiste. Si për ironi, kohët e arta të kinemave të qytetit tonë kanë përfunduar. Por diçka s’shkon. Mu te “Nacional”, komunistët gjejnë mundësinë që të bënin propagandën e tyre të parë duke hedhur në mes të filmit trakte komuniste. Duket se i kanë bërë pagëzimin, sepse këtu bëhen disa nga gjyqet më të tmerrshme kundër kundërshtarëve të tyre. Zërat e prokurorëve komunistë të pasluftës ende sot janë në veshët e banorëve të vjetër. Kinemaja që kish pasur aq shumë shfaqje, humor, teatër dhe kuptohet filma, u kthye në Gjykatore. E çfarë gjykatore? Jo shumë larg në kohë, zëri i një prokurori sokëllin. Është zëri i Bedri Spahiut. Para tij të drobitur qëndrojnë bashkëluftëtarë, intelektualë, por edhe kundërshtarë. Kinema “Tomori” (sot godina e Partisë Socialiste) akoma të drithëron me akuzat e rreshtuara ndaj admiralit Teme Sejko. Italianët që e përdornin për argëtimin e tyre dhe më pas edhe për tiranasit, nuk e dinin se çfarë mynxyre kishin lënë, pa ditur. Partizanët do argëtoheshin në vendin që do e quanin me emrin Kinema “Brigada” më 1945, por që shërbeu edhe si kinema e qytetit gjatë viteve 1947-1970. Por fatin më të keq e pati Kinema “17 Nëntori”, që vazhdoi deri në mesin e viteve ’90. U kthye në Bingo dhe sot është e prishur. Të njëjtën fat pati “Gloria”, që shumica nga ne e arritën me emrin “Republika” dhe pastaj “Millenium 1”. Një sasi prej 400 mijë dollarësh amerikanë, miratuar nga ministri i Kulturës, u mor për rikonstruksionin e saj, por ajo u shkatërrua për t’ia lënë vendin ngrehinës, që ende s’ka mbaruar.
Të tjerat
Një rrugicë më tej është ende kinema “Dajti”, sot rikthyer në qendër për Bashkinë, por jo kinema. Ishte e shtata e ndërtuar në kohën e komunizmit. Dikur ishte kinemaja e kinezëve, pasi ata kishin mensën e tyre afër dhe apartamentët ku jetonin. Kinema “Ali Demi”, që është prishur dhe sot e kësaj dite është e rrafshuar, është simboli i fshirjes së kësaj kulture. Mu përballë Lanës gjendet kinema “Agimi”, ish kinemaja e sovjetikëve, dikur argëtimi kryesor në lagjen e specialistëve sovjetikë. Por, ajo që do të bëhej vërtetë kinemaja e elitës do ishte Kinema “Partizani”. Sot të kap trishtimi që i zhdukën fasadën dhe sot e gjen të fshehur, pas një dere. Kinemaja e ndërtuar e fundit në vitin 1957 u dogj në vitin 1988. E kthyen njëherë restorant për një firme maqedonase, e më pas në “Bingo”, kurse tani s’ekziston më.
…
Në vitet 2002-2003, në vendin e kinemasë “17 Nëntori” filloi ndërtimi i një qendre tregtare, që ia përvetësoi kujtesës së qytetit edhe një simbol. Përpjekja e përfolur për të rikrijuar fasadën e dikurshme të kinemasë, qëlloi nul. Qyteti im sot ka pak kinema, shumë më pak se para Luftës së Dytë Botërore, sepse askush nuk i do më ato. Tirana e ka fshirë me përdhunë kujtesën e vet të kinemave. Ndaj të vjen të qeshësh kur dëgjon zgërdhirjet e zyrtarëve për trashëgiminë e qytetit. Ajo që të mbetet të thuash është vetëm: “Hapni sytë”, ju që i morët qytetit tonë, kujtesën e bukur, ëndrrat e dikurshme gjithçka. Parajsën tonë të pelikulës…Mbase, dikush do ndëshkojë. Në ëndërr, në kujtesë! Mbase.