Top Story: Bashkitë rrisin fiktivisht sasitë e plehrave, për të “fryrë” fondet e tenderave
Emisioni Top Story në Top Channel ditën ej djeshme tregoi se si bashkitë kanë abuzuar me plehrat e qytetit, duke rritur artificialisht sasinë për të tenderuar më tepër para.
Në Bashkinë Belsh, pjesë e qarkut të Elbasanit, në vitin 2016 kjo bëhet një tender për pastrimin e qytetit për 4 vite, me vlerë 82 milionë lekë të vjetra.
Vijmë në vitin 2020, kur duhet të tenderohet sërish pastrimi i Belshit. Kësaj here tenderi bëhet 410 milionë lekë dhe është pothuajse 5 fishi i tenderit të mëparshëm. Për të justifikuar këtë fryrje të plehrave, zyrtarët e Bashkisë së Belshit kanë bërë një studim sikur qyteti i tyre gjeneron mbi 2700 ton plehra në vit.
Sot Belshi i depoziton mbetjet në impiantin e Elbasanit, ku çdo mbetje matet përpara se të shkojë në djegie. Top Story i dërgoi një kërkesë zyrtare impiantit të Elbasanit, i cili vuri në dijeni se Bashkia e Belshit depoziton aty rreth 150 ton plehra në muaj, ose rreth 1800 ton plehra në vit.
Pra, Bashkia e Belshit ka rritur artificialisht shifrën prej 900 ton plehrash në vit, për të 5 fishuar shumën e tenderit. Natyrisht ky është një dëm financiar, por më tepër se kaq, është një marrëdhënie interesash mes bashkisë dhe kompanive private, të ngritura mbi plehrat e qytetit.
Vijojmë me një tjetër bashki, atë të Librazhdit. Në vitin 2016, kjo bashki realizon një tender për pastrimin, me vlerë 480 milionë lekë të vjetra, për 4 vite. Fitues është kompania e Arbër Abazit, nipit të Sadri Abazit, “Alko Impeks”.
Pasi mbaron kjo kontratë, në korrik të vitit 2020, Bashkia e Librazhdit shpall sërish fitues kompaninë e Arbri Abazit për pastrimin e qytetit, por kësaj herë me një vlerë pothuajse 3 herë më të lartë, rreth 1.2 miliardë lekë.
Librazhdi për të justifikuar këtë rritje, ka përpiluar një studim ku thotë se në muaj gjenerohen 330 ton mbetje.
Sërish Top Story u interesua pranë landfillit të Elbasanit, aty ku depozitohen të gjitha mbetjet e Librazhdit. “Sipas të dhënave të siguruara nga impianti, kompania e Arbër Abazit, nipit të Sadri Abazit depoziton rreth 200 ton çdo muaj.
Kjo do të thotë se 130 ton mbetje nuk ekzistojnë në këtë bashki, por ajo e ka rritur artificialisht sasinë e plehrave për të shtuar buxhetin prej 1.2 miliard eurosh për kompaninë e nipit të deputetit socialist Arber Abazi.
Ndërkohë ka edhe bashki si ajo e Gramshit e cila ka vendosur të zhvillojë tender për mbetjet urbane, duke u bazuar tek sasia që dërgohet në impiantin e Elbasanit.
Këto shembuj japin shpjegimin se mafia e plehrave nuk ka interes të kontrollohet në asnjë cep të Shqipërisë. Tre impiantet, ai i Elbasanit, i Fierit dhe i Sharrës bëjnë matjen faktike të plehrave, dhe kjo sjell një kontroll zinxhir deri tek tenderimi i bashkive.
Shpesh në media keni vënë re, se dhëndrri i ish kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi shkruan me një gjuhë të egër kundër menaxhimit të mbetjeve dhe inceneratorëve. Ky protagonizëm i Malltezit në fakt, fsheh interesa të forta për plehrat.
Top Story ka siguruar dokumenta dhe të dhëna, sesi Malltezi ka përfituar me dhjetra projekte mjedisore për menaxhimin e plehrave, kur vjehrri i tij ishte kryeministër i Shqipërisë.
Ne vitin 2010, Banka Botërore financoi një projekt për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe pastrimin e zonës bregdetare. Për ndjekjen e këtij projekti, Ministria e Punëve Publike angazhoi dhëndërrin e kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezin, në konflikt të hapur interesi.
Projekti që menaxhonte Malltezi kishte një buxhet prej 27.5 milionë dollarësh, dhe kishte për fokus pastrimin e mbetjeve të rrezikshme në Porto Romano, ndërtimin e një vend transferimi mbetjesh në Himarë dhe ndërtimi i një landfilli në Bajkaj të Sarandës.
Nëse i shohim me vëmendje këto 3 investime, Porto Romano u kthye në zonën më të ndotur të Durrësit, vend transferimi i Himarës nuk u vu kurrë në punë, ndërsa landfilli i Bajkaj në Sarandë është jashtë çdo standarti.
Kjo është puna që ka bërë Jamarbër Malltezi me 27 milion dollarë, ku përveç konfliktit të interesit për shkak të vjehrrit, dyshime ngrihen edhe për shpërdorim të fondeve të huaja.
Asokohe, vetë Banka Botërore nisi hetimet për këtë skandal, por sot e kësaj dite nuk dihet sesi arriti të shpëtojë nga drejtësia, Malltezi dhe grupi që menaxhoi projektin.
Por përfitimet e Malltezit nuk përfunduan me kaq. Në vitin 2012, Lulzim Basha drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe landfillin e Sharrës e menaxhonte ortaku i kunatit të tij.
Asokohe, Basha i kërkoi dhëndrit të Berishës, që të bënte një vlerësim mjedisor për Sharrën. Por shikoni se çfarë shkruante në raport Malltezi, për landfillin e Sharrës, që e menaxhonte indirekt kunati i Bashës.
“Me nje ndihme financiare nga Qeveria Italiane (nje kredi prej 4,6 milione Euro) eshte ndertuar nje landfill i ri sanitar ne Sharre. Pas venies ne funksionim Landfilli i Sharres ka pemiresuar mjaft mjedisin sidomos cilesine e ajrit ne rrethinat e tij. Nga nje studim per parametrat kryesore te ajrit ne Sharre te realizuar para dhe pas funksionimit te tije rezultojne se permbajtjet mesatare.”- thuhej në raport.
Pra, Malltezi po manipulonte publikun në vitin 2012, duke thënë se Sharra kishte parametra normal të mjedisit. Kjo është një e pavërtetë. Mjafton të shikosh pamjet e asaj kohe dhe era e rëndë që depërtonte deri tek 21-dhjetori, dhe e kupton se çfarë vlerësimi në mjedis ka bërë dhëndrri i Berishës.
Në të njëjtin raport, Malltezi sugjeronte që të krijohej një landfill tjetër, mes Tiranës dhe Durrësit.
“Vleresimi i projektuesve te landfillit eshte se landfilli i ri ne Sharre, do te zgjase vetem deri ne vitin 2015, vit pas te cilit duhet gjetur nje vend tjeter. Bashkepunimi Italian per Zhvillim ka ofruar nje fond per studimin e identifikimit te vendit. Propozimi fillestar eshte qe Tirana dhe Durresi mund te ndajne nje landfill te kombinuar diku ne kodrat midis dy qyteteve. “- vijonte më tej raporti.
Pas këtij propozimi fshiheshi interesa të reja, pasi bëhej fjalë për ndërtimin e landfillit në Manëz, që do të ngrihej nga vjherri i Malltezit, Sali Berisha.
Mjaftojnë këto dy raste, për të kuptuar sulmet e Malltezit ndaj menaxhimit të plehrave. Duket qartësisht se interesi i dhëndërrit të Berishës, është penetrimi i tij në biznesin e plehrave, njësoj siç bëri gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike./ Marrë nga Top Channel