Trajtimi i limfomave, Manastirliu: Mbulim 100% për sëmundjet malinje të gjakut

Një prej problemeve më të mëdha për trajtimin me terapi të targetuar për sëmundjet malinje të gjakut ka marrë zgjidhje përfundimtare, me rimbursimin e barit Mabthera 100% nga shteti, i cili trajton limfomat malinje. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha gjatë vizitës në shërbimin e Hematologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë se: ”Jam e kënaqur që arritëm të sigurojmë për të gjithë limfomat malinje trajtimin me terapi të targetuar 100% falas, edhe nëpërmjet formëdozave siç është formëdoza e re që kemi futur që është ajo subcutane ose nën lëkurë, duke garantuar plotësimin e nevojave dhe rritjen e jetëgjatësisë së pacientëve”.

Mjekët e shërbimit të Hematologjisë theksuan se tashmë plotësojmë terapitë e mjekimit si në çdo vend të Botës. ”Muajin e fundit sapo ka filluar përdorimi subcutan i Mabtherës, i cili i kombinuar me një tjetër medikament që e disponojmë për trajtimin e limfomave dhe të një lloj leuçemie, bën të mundur trajtimin e të sëmurëve me limfoma malinje, mjekimi të cilave për shërbimin e hematologjisë bëhet njëlloj si në çdo vend të botës”, u shprehën mjekët e shërbimit të Hematologjisë.

Nga 42 pacientë që trajtoheshin më parë, sot trajtohen 70 pacientë në këtë shërbim, pra plotësohen nevojat për këtë medikament tepër të kushtueshëm që trajton sëmundjet malinje të gjakut. Manastirliu deklaroi se duke futur në listën e rimbursimit barin Mabthera subcutane kemi zgjidhur përfundimisht trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje që kanë nevojë për këtë bar të kushtueshëm, njëlloj siç bëmë me herceptinën për kancerin e gjirit.

Shërbimi i hematologjisë në QSUT, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë po përgatit infrastrukturën e nevojshme për të filluar nga viti i ardhshëm realizimin për herë të parë të transplantit të palcës së kuqe për pacientët me sëmundje malinje të gjakut. Shërbimi i hematologjisë në QSUT është unikal në Shqipëri, ku trajtohen sëmundjet malinje të gjakut, leuçemite, limfomat, mieloma, etj. Hapja prej gati dy vitesh e shërbimit ambulator në Hematologji ka lehtësuar dukshëm shërbimin ndaj të sëmurëve, pasi aty aplikojnë kemioterapinë dhe disa analiza për të cilat i sëmuri më parë duhej të shtrohej në spital, si, biopsinë e palcës së kockave, etj.

Aktualisht në këtë shërbim është mundësuar sigurimi për të sëmurët me sëmundje malinje gjaku mjekimi i targetuar, që ka bërë të mundur ndryshimin e jetës së të sëmureve dhe jetëgjatësinë e tyre me 2-3 herë. Gjatë vitit të fundit është përmirësuar trajtimi për sëmundjet tumorale. Janë 20 milionë euro në vit që Ministria e Shëndetësisë financon për sëmundjet tumorale

SHKARKO APP