Tranzicioni i zgjatur drejtësisë dhe parajsa e përkohëshme e “KÇK”-së
Nga Alfred Peza –
Tranzicioni nga drejtësia e vjetër që kalçifikoi kulturën e mosndëshkueshmërisë, drejt ngritjes dhe funksionimit të sistemit të ri e të reformuar thellësisht, po shoqërohet me një fenomen shqetësues për shoqërinë. Në mesin e dimrit të acartë për të gjithë ata që po ndëshkohen nga procesi i pamëshirshëm i vettingut, duket sikur po gjejnë ngushëllim duke iu gëzuar ardhjes së një “pranvere” të begatë, që i ka dhënë dorë të lirë për të bërë drejtësinë, siç ata e kanë dashur edhe më parë.
Pasi e kanë kuptuar se nuk do ta kalojnë dot urën për në anën tjetër, në mënyrë instiktive ato janë bërë pjesë e një “grupi” a “klani” gjyqtarësh e prokurorësh, që e kanë të qartë tashmë fundin e karrierës së tyre. Ndaj edhe e kanë mbledhur mendjen pasi më keq se ajo që i prêt, ska çtu ndodhë tjetër. Të ndodhur në këto kushte, duket se janë në kulmin e fushatës së tyre për të “kapur çfarë të kapin”, deri ditën kur të marin në dorë vendimin që do i nxjerrë përfundimisht, jashtë sistemit të drejtësisë.
Kjo me sa duket është edhe arësyeja, se përse nuk kanë asnjë kufizim dhe asnjë frikë për atë që po bëjnë. Sepse për ta, të jesh jashtë sistemit të drejtësisë, ishte edhe maksimumi i dëmit dhe i të keqes që mund tu bëje. Ndaj, duket sikur janë të hapur tashmë, përkundrejt çdo përfitimi personal në kurriz të drejtësisë. Për aq kohë sa nuk kanë më, as përse të ruhen dhe as se kujt tu druhen.
Fushata e tyre e “KÇK”-së, duket që të jetë edhe pa limit, edhe e diversifikuar. Sepse për ta e rëndësishme është që të përfitojnë maksimalisht prej saj. Nuk ka rëndësi nëse në këtë fushatë përfitojnë influencë politike apo njerëzore. Kriminale apo financiare. Apo përfitime të çfarëdo lloj natyre tjetër. Sepse e gjitha u duket si një investim dhe kapital, që ata po e grumbullojnë, për ta përdorur për pjesën tjetër të jetës, kur të mos jenë më pjesë e sistemit të ri të drejtësisë.
Në këto kushte mos u çudisni edhe aq shumë, kur pushojnë çështjen e lobimit me paratë ruse për Kryetarin e PD Lulzim Basha nëpërmjet artificeve ligjore e proceduriale. As kur lirojnë kriminelët më të rrezikshëm nga burgu. As kur rrezikojnë apo cënojnë sigurinë kombëtare. As kur nuk i ndëshkojnë kurrë fajtorët e vërtetë. As kur i bëjnë të pafajshmit të dridhen e të vuajnë jo për kusuret e veta, por vetëm për fajet e atyre që nuk u ndëshkuan dot kurrë.
Kjo periudhë e tranzicionit nga drejtësia e vjetër, drejt drejtësisë së re të pastruaur rrënjësisht e të riogranizuar me themel, po shndërrohet në parajsën e të gjithë atyre që janë bërë pjesë e “grupit” që po vepron nën moton “kap çfarë të kapësh”. Kjo parajsë gënjeshtare, është aq e përkohëshme, sa çjanë të tilla edhe lulet që çelin për shkak të pranverës së përkohëshme të disa ditëve të ngrohta në mes të dimrit të acartë. Ndaj edhe në zhargonin popullor, ato quhen lule gënjeshtare. Sepse më shumë sesa njerëzit, ato gënjejnë “pemët” e tjera rreth e rrotull, nëpërmjet “tundimit” për tu infektuar edhe ato, nga ndjesia e lulëzimit në mes të një stine të pamundur.
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se “në këtë fazë tranzicioni shoqëria jonë po përballet me një organizatë kriminale brenda sistemit të drejtësisë, e rrezikshme e kriminale e përbërë nga prokurorë e gjykatës që nuk e kalojnë dot vettingun e i janë bashkuar motos “KÇK” duke dhënë vendime skandaloze”.
Është kjo edhe arësyeja, se përse mazhoranca që ai drejtonë ka “ndërmarrë nismën e një pakete ligjore duke e kolauduar edhe me BE, për të realizuar ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar, ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, janë akuzuar por i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KÇK. Ka ardhur koha që të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë e tyre. Paralelisht (me këtë) do vemë me shpatulla pas muri çdo anëtar të KÇK që do marrë vendime në kundërshtim me ligjin”,- tha Rama.
Kjo situatë tranzicioni në kulmin e transformimit rrënjësor të drejtësisë, është një miniaturë e tranzicionit të madh që pësoi Shqipëria, nga rrëzimi i komunizmit drejt sistemit të demokracisë funksionale. Një periudhë që u shoqërua sidomos në 10- 15 vitet e para pas rrëzimit të Murit të Berlinit, me tensione të shumta sociale, shkatërrime, mungesë rendi e sigurie, mungesën e kontrollit mbi territorin dhe një amulli e përgjithshme, në shumë fusha të tjera të jetës së vendit.
Kjo përvojë e parë e madhe dhe e hidhur e së shkuarës, ka bërë që mazhoranca të reflektojë e të jetë koshiente për të reaguar në kohë, për të amortizuar dëmet e mëdha që mund të sjellë një trupë e pakontrolluar drejtësie, që është duke dalë përgjithmonë nga sistemit.
Në këto kushte, anti KÇK duket të jetë terapia më e mirë, për të shkurtuar dhe zbutur në maksimumin e vet të mundshëm, të gjitha dhimbjet që po shkakton tranzicioni i ri i parajsës së përkohëshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve në ikje. Të cilët me këtë që po bëjnë, tregojnë se e kanë merituar më shumë se gjithçka tjetër jo vetëm vettingun në vetëvete, por edhe reformën e thellë të ndërmarë në sistemin e drejtësisë e sëfundi, edhe paketën e re ligjore kundër tyre.
Alpe News