Trendet e udhëtimit 2019 – Përfitojnë Kroacia dhe Rumania. Kjo e fundit, pritet të jetë ‘Berlini i ardhshëm’

E ndërsa trendet e udhëtimit ndryshojnë vit pas viti, udhëtarët janë gjithnjë e më të interesuar mbi tendencat e fundit, rreth destinacioneve më të pëlqyera. Nisur nga kjo, Brodway Travel, një kompani e themeluar prej më shumë se shtatë dekadash, ka arritur të nxjerrë disa statistika interesante bazuar në një analize të thelluar mbi trendet e udhëtimit në vitet e mëparshme duke përdorur ‘Google Trends’. Po ashtu, ka përpiluar edhe një listë me destinacionet e preferuara për vitin 2019.

Turistët kanë filluar të kthehen në Egjipt pas rritjes së stabilitetit politik në vend. Gjatë shtatë viteve të kaluara, turistët u shmangën nga Egjipti për shkak të trazirave politike dhe ekonomike në vend. Por, tendenca tashmë ka ndryshuar dhe numri i turistëve me shumë gjasa pritet të rritet gjatë vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, ‘pushimet romantike’ nga ana tjetër kanë pësuar një rënie prej 16% gjatë katër viteve të fundit. Trendet tregojnë se Rumania më shumë mundësi do të jetë Berlini i ardhshëm duke tërhequr pranë saj gjithnjë e më shumë vizitorë.

Sipas tendencave të udhëtimit të ‘Broadway Travel’, në listën e destinacioneve të preferuara të udhëtarëve po përfshihen gjithnjë e më shumë vendet ku janë xhiruar filma/seriale.

Kroacia është një shembull tipik i këtij turizmi, ku pas xhirimit të skenave të serialit të famshëm ‘Game of Thrones’, Dubrovniku ka pasur një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve. Sipas të dhënave, numri i tyre mund të rritet akoma më shumë pas sezonit të fundit të serialit, i cili pritet të nisë në prill të vitit të ardhshëm.

Greqia është një tjetër vend që ka regjistruar një rritje të numrit të pushuesve. Santorini, i njohur tashmë si destinaiconi i preferuar për të sapomartuarit, do të vijojë të mbetet sërish një nga tendencat e vitit të ardhshëm. Rajoni ka përjetuar një rritje të konsiderueshme prej më shumë se 56% ndërmjet viteve 2014-2018.

Ndërkohë, referuar tendencave të pushimeve për vitin 2019, shumë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar do të vijojnë të mbeten ‘besnikë’, duke vizituar vendet që kanë më afër. Praga, Rumania dhe Franca janë disa nga destinacionet më të pëlqyera për britanikët, të cilat edhe vitin e ardhshëm pritet të jenë në listën e vendeve të preferuara për ta.

SHKARKO APP