Turi i “Miss Globe” drejt fundit
këtë fundjavë autobusi i konkurrenteve ka ndalur në Ulqin. Atje vajzat janë pritur nga kryetari i Bashkisë së Ulqinit dhe në ceremoninë e organizuar me këtë rast, secila prej pjesëmarrësve i ka dhënë nga një dhuratë simbolike kreut të qytetit. Në Ulqin gjithashtu, mbrëmjen e së dielës është organizuar edhe finalja e “Miss Talent show”, pjesë e formulës së spektaklit, në të cilin secila prej vajzave konkurrente garon me një talent të sajin. Pas minikompeticioneve të organizuar në Vlorë dhe Pukë, në finalen e Ulqinit, te prezantuar nga Kristi Ziçishti, votat më të shumta i ka fituar përfaqësuesja Siberiane, Anna Sopkalova. Ajo ka konkurruar me kërcim, ka interpretuar Brulesque dhe pas paradës me pesë kostume kombëtare nga vendi i saj është votuar si më e mira. Kështu “Miss Globe” ka dhënë kurorën e parë për këtë vit.
Ndërkaq në Shkodër, aty ku vajzat do të stacionohen pas vizitës së sotme në Bulqizë, do të jetë qyteti që mbrëmjen e 8 nëntorit, në Pallatin e Sportit mirëpret natën finale të edicionit të 41-të të Miss Globe. Organizatorët po merren me detajet e fundit dhe mbi një skenografi të ngritur nga Ilirjana Bozo, përveç vajzave të kuruara nga Anila Konomi do të jenë të ftuar edhe shumë artistë të njohur si Redon Makashi, Aleksandër Gjoka, Rovena Dilo, Eranda Libohova, Armando Likaj me Orinda Marashin etj. Një performancë të veçantë do të ketë edhe prezantuesja Orinda Huta, e cila nuk do të jetë vetëm në skenën e prezantimit të “Miss Globe”. Bashkë me të, këtë edicion do ta prezantojë Blendi Salaj, emër i njohur në fushën e medias dhe jo vetëm, i cili premton të shfaqet në një dimension të ri.
Ky është viti i 11 që “Miss Globe”, i treti edicion ndërkombëtar i bukurisë për nga rëndësia në botë, mbahet në Shqipëri. Siç ka deklaruar producenti Petri Bozo, mbajtës i patentës, ky do të jetë edhe viti i fundit që Shqipëria mirëpret më të bukurat e botës. Pas kësaj, “Deliart Association” do të vazhdojë ta mbajë patentën, por organizimin e spektaklit do të bëjë në vende të tjera, larg ose afër Shqipërisë.