Turizmi i aventurës, kush janë katër personazhet që u nderuan me çmime

Sot u zhvillua në Tiranë, Panairi i Parë Kombëtar i Turizmit të Aventurës në Shqipëri.

Në këtë aktivitet të mbajtur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Federatat e Sporteve në Natyrë, ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit Edi Rama.

Kreu i qeverisë, u shpreh se Shqipëria hyn ndër ato vende që Zoti apo natyra i ka bekuar me një pasuri shumë të larmishme. Kryeministri u shpreh se është shumë mbresëlënëse që 4 ndër 10 turistë sot në botë, zgjedhin turizmin e aventurës. Ai tha se Shqipëria është i 5 vendi në Evropë për potencialet që ka për të zhvilluar turizmin e aventurës ndërsa theksoi së këtu ka një potenciale të madh zhvillimi ekonomik dhe punësimi.

“Turistët e aventurës janë turistë besnikë që rikthehen gjithmonë aty ku ata gjejnë atë që kërkojnë”, theksoi Kryeministri Rama.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi në fjalën e tij theksoi se, duhet ta shndërrojmë turizmin e aventurës si markën më të re të turizmit të Shqipërisë.

Turizmi është një nga sektorët e zhvillimit të ekonomisë, tha Klosi, duke shtuar se, Sipas tur-operatorëve, turistët vijnë në Shqipëri sepse ka turizëm të shumëllojshëm. Duhet ta shpalosim në tregjet evropiane dhe botërore Shqipërinë si një vend që nuk ka vetëm turizëm veror të plazhit, por ka turizëm gjithëvjetor ka male, ka lumenj, nënvizoi Klosi.

Në këtë aktivitet u ndanë edhe disa çmime për ata që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri dhe promovimin e diversitetit, natyrës  dhe kulturës sonë të pasur. Kështu çmimet shkuan për katër personazhe që nuk ndalin asnjëherë së promovuari Shqipërinë turistike:

Gazetarja e Turizmit Aventurë 2017 – Znj. Alma Çupi;

Fotografi i Turizmit Aventurë 2017 – Z. Fation Plaku;

Modeli i Turizmit të Qëndrueshëm 2017 – Znj. Blerina Ago

Sipërmarrja Ekologjike 2017 – Farma Sotira.

“Meqenëse Shqipëria është ende e ruajtur kaq mirë dhe ka një potencial kaq të jashtëzakonshëm për turizmin ne duhet të ndalojmë një moment dhe të mendojmë se çfarë lloj turizmi duam të shohim në vendin tonë. Duam turma turistësh që vijnë shumë shkurt, vizitojnë atraksionet, shpenzojnë shumë pak dhe lënë gjurmë të mëdha në mjedis gjatë pranisë së tyre?

Apo mbase duam të shikojmë më shumë turistë që vijnë për të qëndruar më gjatë në Shqipëri, përgjatë 12 muajve të vitit, që ecin rreth fshatrave, vizitojnë me kujdes parqet tona arkeologjike dhe bëjnë aktivitete ne natyrën e egër; që duan të mësojnë rreth traditave lokale dhe të takojnë banorët e zonës duke respektuar kulturën tonë? Kjo është Aventura dhe ky është Turizmi i Aventurës që ne kemi si mision për të zhvilluar në Shqipëri”- është shprehur organizatorja dhe moderatorja e aktivitetit “Shqipëria e turizmit të aventurës”, Blerina Ago .

SHKARKO APP