Turqia fiton Kupën e Festivalit Folklorik të Vlorës, “Aulona Folk”

Grupi nga Turqia “Inegol Kafkas Folklor” fitoi Kupën e Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Folk”, që u zhvillua gjatë 3 ditëve në qytetin e Vlorës, një aktivitet që organizohet nga Qendra Kulturore “Aulona”.

Grupi nga Turqia solli në skenën e Festivalit vlerat e folklorit autokton gjeorgjian. Kjo, për shkak se, ai përfaqëson komunitetin gjeorgjian që jeton në këtë vend prej vitit 1870.

Gjeorgjianët përbëjnë një nga komunitetet e shumta jo turke që jetojnë prej më shumë se 1 shekulli në Turqi. Ata ruajnë dhe kultivojnë zakonet dhe traditat e vendit nga kanë ardhur dhe pjesë e tyre, janë edhe grupet folklorike.

Në këtë kuadër, “Inegol Kafkas Folklor”, përfaqëson të gjitha traditat e mirëfillta gjeorgjiane. Ka marrë pjesë në festivale në vende të ndryshme, mes të cilave në Bullgari, Qipro, Maqedoni, Poloni, ndërkohë që në Shqipëri artistët e tij vijnë për herë të parë.

Grupi u përfaqësua në programin e vet me valle të cilat karakterizohen nga dinamizmi. Valltarët ndërrojnë, hyjnë në skenë e dalin dhe vallja shfaqet e pandërprerë, në një skenografi shpërthyese. Valltarët me dinamizmin dhe energjinë e tyre tërheqin dhe mbajnë pezull spektatorët, i detyrojnë ata të mos ndërpresin asnjëherë vështrimin, t’i ndjekin në vazhdimësi në skenë, të bëhen pjesë e atmosferës festive dhe tepër entuziaste.

Ansambli “Inegol Kafkas Folklor”, ka një histori aktiviteti 50 vjeçare dhe gjatë kësaj kohe ka qenë i pranishëm në skena të folklorit në shumë vende të Evropës.

“Grupi me 35 artistë, pjesa më e madhe valltarë u përfaqësua në skenën e Festivalit “Aulona Inter Folk Festival”, me një repertor prej 7 vallesh.

Këto vlera të grupit foklorik nga Turqia e spikatën atë si ansamblin më të mirë në Edicionin e 7-të të “Aulona Inter Folk Festival”.

Në këtë aktivitet, që u zhvillua në skenën e madhe të ngritur në Sheshin “Pavarësia” në Skelë, u përfaqësuan 7 grupe që interpretuan gjatë tre netëve përpara publikut të shumtë artdashës të qytetit.

Ansambli “Dance Plus”, i Elbasanit, Ansambli “Detelina” i Sofjes (Bullgari), Ansambli “Mlodi Torun” i qytetit Torun (Poloni), Ansambli “Inegol Kafkas Folklor” nga Turqia, Ansambli “Citta di Ostuni” nga Italia, “Ilirida” nga Shkupi (Maqedoni) dhe Ansambli “Bajram Curri” nga Prishtina, ishin grupet protagoniste të këtij aktiviteti të rëndësishëm të folklorit në Shqipëri dhe më gjerë.

Artdashësit e shumtë vlonjatë, të pasionuar dhe dashamirës të folklorit, ndoqën interpretimin e këtyre grupeve që dallonin prej njëri-tjetrit nga kostumet, ngjyrat e tyre, nga koreografia, ritmika e lëvizjes dhe këngët, por që kishin të përbashkët muzikën, gjuhën e të gjithë popujve. Sepse muzika është një. Ajo shijohet dhe përjetohet njëlloj, si në gjuhën shqipe, po aq edhe në atë bullgare, polake, italiane, apo turke.

Skena e madhe e festivalit, përcolli larminë e folklorit nga treva dhe vende të ndryshme, nga Shqipëria e Mesme dhe Bullgaria e Polonia, Italia, Turqia e Maqedonia, nga Kosova. Atmosfera festive e mbrëmjeve në Sheshin “Pavarësia” u ndez nën ritmin e valltarëve dhe muzikën e këtyre grupeve.

 

SHKARKO APP