U ndjeva e pafuqishme! Aktorja e “Game of Thrones” akuzon producentin

Listës së gjatë të aktoreve që kanë akuzuar producentin Harvey Weinstein për sjellje jo të hijshme, i është bashkuar edhe aktorja Lena Headey, e njohur për rolin e saj në serialin “Game of Thrones”. Edhe aktorja e famshme e serialit “Game of Thrones” Lena Headey ka akuzuar procudentin Harvey Weinstein për ngacmim seksual. Në një varg postimesh në Twitter, aktorja e mirënjohur përshkroi se si ajo dhe Weinstein kishin ndarë një moment të tensionuar mes tyre, kur producenti e ftoi në dhomën e tij për t’i treguar një skenar. “Ashensori po ngjitej, i gjithë trupi im ishte në alarm dhe i thashë Harvey-t, nuk jam e interesuar në asgjë tjetër përveç punës, prandaj mos mendo se jam këtu për një tjetër arsye. Asgjë nuk do të ndodhë”. Aktorja vijon duke treguar se si Weinstein u nervozua, pasi ajo i rezistoi përpjekjeve të tij. “U ndjeva tërësisht e pafuqishme”, shtoi më tej Headey, teksa gjithashtu tregoi se si Weinstein e porositi të mos e fliste këtë ngjarje me askënd. Me këtë denoncim, aktorja britanike i bashkohet një liste prej më shumë se 40 grash, të cilat kanë akuzuar producentin e Hollywood-it për sjellje jo të hijshme. 65-vjeçari Weinstein është akuzuar për përdhunim, ngacmime dhe sulme seksuale, por ai ka mohuar kategorikisht çdo pretendim për marrëdhënie jo-konsensuale. Producenti dha dorëheqjen nga bordi drejtues i kompanisë së tij të prodhimit të filmave, ndërkohë që është përjashtuar nga Akademia organizatore e Çmimeve “Oscar” pas publikimit të skandalit seksual. Rasti i Weinstein ka frymëzuar shumë aktore të njohura të Hollywood-it, si Reese Witherspoon, apo Jennifer Lawrence të denoncojnë ngacmimet, me të cilat janë përballur në prapaskenat gjatë përzgjedhjes së aktorëve për prodhime të caktuara kinematografike.

SHKARKO APP