Udhëzimi nr 30 i MASR dhe absurditetet e përcaktimit të profileve lëndore

Nga Zija  Lika – Me udhëzimin nr 30, datë 12.09.2018 te MASR, janë përcaktuar numri i nxënësve për klasë, normat e punës mësimore e tjera, për arsimin parauniversitar.

Mendoj se shumë nga ndryshimet që bëhen në këtë udhëzim në krahasim me udhëzimin e mëparshëm nr 21, datë 23.07.2010 te MASH, të ndryshuar me udhezimin nr 44, date 16.10.2014 të kësaj ministrie, janë pozitive dhe do t’i shërbejnë përmirësimit të mëtejshëm të punës mësimore edukative në sistemin arsimor parauniversitar.

Në fund të këtij udhëzimi (pika 4, shkronjat a dhe b të tij), jepet shtojca në  formë  tabelore me lëndët përkatëse të kurrikulës bërthamë dhe me zgjedhje të  arsimit të  mesëm të  lartë  (gjimnaz), profilet e kërkuara dhe të përafërta, të punonjësve arsimorë të diplomuar në lëndë e profile të ndryshme, që mund t’i zhvillojnë ato.

Gjykoj se është absurde, jo normale dhe jo e pranushme, që në lëndët: Ekonomi, Filozofi (të kurrikulës bërthamë) dhe Psikologji (të kurrikulës me zgjedhje), nëpunësit e diplomuar, specializuar dhe me siguri disa prej tyre të pajisur me grada shkencore në shkallë vendi, të jenë në profilin e përafërt dhe të diplomuarit në shkenca sociale, të cilët sigurisht që në rastin më të mirë, kanë shumë më pak formim shkencor në këto lëndë, të jenë në profilin e kërkuar.    Të  pasurit e një  diplome universitare të  fakultetit të  shkencave sociale, nuk do të  thotë  që  je i pajisur me komptencë  shkencore dhe profesionale njëherësh në  të gjitha degët përkatëse të tij (sociologji, filozofi, psikologji), pasi diploma jepet vetëm në  njërën nga këto degët  shkencore përkatëse.

Kjo do të  thotë  se nëse një  punonjës arsimorë   është  diplomuar në  degën e fiozofisë  apo psikologjisë , nuk mund të  jetë  në  profilin e përafërt pikrisht në  lëndën për të  cilën është  diplomuar për të  zhvilluar mësimdhënien, (sikurse pasqyrohet në  këtë  shtjocë) dhe një  tjetër punonjës mësimorë  që  është  diplomuar në  një  degë  tjetër të  shkencave sociale, të  jetë  në  profilin e kërkuar në  një  lëndë  për të  cilën nuk është  diplomuar.

Kjo është  e ngjashme me supozimin që, nëse dikush është  diplomuar në  degën “matematikë, të  fakultetin e shkencave te natyrës Tiranë  dhe ushtron profesionin e mësuesit në këtë drejtim, emërtohet në profilin e përafërt në  lëndën e matematikës, dikush tjetër që  është  diplomuar në  një  degë  tjetër të  shkencave të  natyrës (fizik, tik, biologji, kimi e tjera), emërtohet  çuditërisht në  profilin e kërkuar, jo në lëndën përkatëse  tek e cila është diplomuar,  por në  atë të matematikës!!

Ky përcaktim jo normal i pasqyruar në  shtojcën tabelore  përkatëse të ndodhur në fund të këtij udhëzimi, i cili ka hyre në fuqi qysh prej datës 12.09.2018,       së pari: do të cënojë nivelin shkencor të mësimdhënies në këto lëndë, duke dhënë impakte negative të drejtëpërdrejta tek nxënësit përkatës për sa i takon formimit shkencor respektiv të tyre dhe së dyti: në emër të zbatimit të këtij udhëzimi dhe nenit 80 të dispozitave normative në sistemin arsimor parauniversitar, do të mund të kërkohet në mënyrë krejtë të padrejtë nga drejtuesit përkatës të institucioneve arsimore, spostimi apo largimi nga puna i nëpunësve mësimorë kompetent të diplomuar, kualifikuar dhe specializuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në këto lëndë (duke patur edhe përvojë të gjatë pune në këto drejtime) dhe zvendësimi i tyre me punonjës arsimorë të diplomuar në shkenca sociale (pavarësisht nga dega përkatëse e diplomimit),  të cilët sikurse themi me sipër, janë përcaktuar në këto lëndë në mënyrë krejtesisht të pamerituar në pozicionin e profilit të kërkuar, ndonëse në shumicën e rasteve mund të mos përputhet titulli i diplomës universitare që ata disponojnë me lëndën / lëndët përkatëse mësimore.

Në  lidhje me sa më sipër, gjykoj  se MASR, sa më shpejtë  të jetë e mundur, duhet të korrigjojë këtë përcaktim të gabuar, pasi  është krejtësisht e qartë dhe e kuptueshme që në lëndët mësimore: Ekonomi, Filozofi dhe Psikologji,  punonjësit mësimorë të diplomuar direkt në këto lëndë dhe aq më tepër të specializuar e me përvojë të gjatë pune, duhet të jenë në “profilin e kërkuar”, ndërsa punonjësit  mësimorë të diplomuar në “shkenca sociale” në  degë  të  tjera, që  s’kanë  fare ose pak lidhje me to, duke mos  patur fare ose pak formim shkencor të përgjithshëm në  këto lëndë, veçanërisht në shkencën e ekonomisë, ku pothuajse i gjithë programi dhe teksti shkollor i kësaj lënde (jo vetëm ai i ndërtuar mbi bazën e kurrikules së  mëparshme, por edhe ai  i miratuar mbi bazën e kurrikulës së re për vitin shkollor 2018 – 2019 e  në  vazhdim), përbëhet nga disiplinat shkencore të mikro dhe makroekonomisë të ndërthurura me matematikën, të cilat janë specifike dhe të mundshme për t’u përvetësuar vetëm nga ekonomistët), duhet të jenë  në profilin e përafërt.

Do të ishte me shumë vlerë dhe shumë më e saktë, që MASR, para se të vendoste në udhëzimin e lartëpërmendur, se kush duhet të ishin në profilin e kërkuar apo atë të përafërt në lëndët: Ekonomi, Qytetari, Filozofi, dhe Psikologji, duhet të konsultohej edhe me autorët e këtyre teksteve.

Është e rëndësishme të theksojmë se, nëse punonjësit mësimorë të diplomuar e spcializuar në shkencat ekonomike, kanë zhvilluar e përvetësuar disa dhjetëra lëndë e disiplina të rëndësishme të kësaj shkence, duke përfshirë edhe matematikën, pa të cilën shkenca e ekonomisë transformohet në një përrallë qesharake që nuk i shërben askujt, punonjësit mësimorë të diplomuar në  degët përkatëse (sociologji, filozofi, psikologji) të shkencave sociale, nuk kanë  zhvilluar fare lëndën e matematikës, e cila është  tepër e rëndësishme për formimin shkencor në  lëndën e ekonomisë, por thjeshtë   kanë zhvilluar përgjatë një semestri shkollor në mënyrë sipërfaqësore, disa kapituj njohurish   të përcipta të lëndës “Hyrje në Ekonomi”, njohuri të cilat me kalimin e kohës, rrudhen, vishken e minimizohen, duke mbetur një kujtim i rëndomtë i viteve të shkollimit.

Faktin që  shkenca e  ekonomisë, ka lidhje me shkencat sociale (shoqërore),   por nga ana tjetër ato janë  edhe shumë  të  ndryshme, vetë  udhëzimi i lartëpërmendur nr 30, datë  12.09.2018, e pranon në  mënyrë  indirekte, ku në  kreun nr III “Arsimi i mesëm i lartë , gjimnaz”, shkrinja c, pika 2, përveç të  tjera citohet : “……..mësuesi i shkencave shoqërore (filozofi, psikologji, qytetari, sociologji),  i ekonomisë”. Pra, duket fare qartë  edhe ndarja që  ekziston midis grupit të shkencave sociale (filozofi, psikologji, qytetari,sociologji), të  përfshira në kllapa dhe shkencës së  ekonomisë, të  vendosur jashtë  tyre.

Përveç sa më sipër, në muajin Qershor 2018, sikurse është në dijeni edhe MASR, të gjithë mësuesit në shkallë vendi, që zhvillonin lëndën e ekonomisë në gjimnaze, përveç të tjerash kanë zhvilluar sipas qarqeve përkatëse, apo mbi bazë Drejtorish Arsimore Rajonale, trajnime disa ditore me agjencinë trajnuese “Junior Achievement” (dhe për këtë janë pajisur me çertifikatat përkatëse me 3 kredite), në funksion të përvetësimit sa më mirë të pjesës së katërt “Ekonomia në praktikë”, që ju shtua lëndës së ekonomisë, duke e bërë atë me 3 kredite nga dy që ishte më parë.

Natyrisht, që një pjesë e madhe e punonjësve mësimorë, që zhvillojnë prej shumë vitesh lëndën e ekonomisë, janë diplomuar dhe kanë ndjekur studime pasuniversitare në shkencat e ekonomisë, apo trajnime të tjera në fushën e mësimdhënies dhe fakti që për shumë vite kanë kontribuar dhe kontribuojnë në mësimdhënie, duhet vlerësuar dhe jo të sakrifikohen në mënyrë krejt të padrejtë, në emër të zbatimit të këtij udhëzimi, i cili në  çdo moment, mund të  ndërthuret në zbatim me nenin nr 80 të  dispozitave normative në  sistemin arsimor parauniversitar, duke sjellë  si pasojë  largimin e menjëhershëm nga puna,                pasi në  bazë  të  pikës 3 të  nenit nr 80 të  dispozitave normative të  lartëpërmendura: “Drejori e largon nga shkolla mësuesin jo në  profilin përkatës, kur për vendin e tij aplikon një  mësues në  profilin përkatës”.

Ajo çka themi më sipër, është një handikap dhe absurditet, jo shumë larg situatave të dikurshme dhe me të drejtë të kritikueshme, ku mësuesi i historisë, zhvillonte orët mësimore të biologjisë, matematikës, muzikës, edukimit fizik, apo anasjelltas pa lidhje shkencore e pedagogjike, prandaj nevojitet që këtë situatë absurde dhe jo normale (të shfaqur në arsimin e mesëm të lartë me hyrjen në fuqi të udhëzimit nr 30, datë 12.09.2018), MASR ta korrigjojë në drejtimin e duhur, sa më shpejtë të jetë e mundur.

Le të shpresojmë.

SHKARKO APP