Uji i rëndë dhe ndikimi i tij kundër kancerit

Uji i rëndë parandalon kancerin e stomakut dhe zorrës së trashë. Si ndikon “mbetja e thatë” në organizëm, çfarë tregojnë studimet në Azi, Europë dhe Amerikën e Veriut. Ndikimi i ujit dhe përbërësve të tij në organizmin e njeriut ka dhe mbetet objekt i studimeve të thelluara shkencore nga institucione të specializuara në këtë fushë. Këto studime janë fokusuar në efektet që ka konsumimi i llojeve të ndryshme të ujit në parandalimin e sëmundjeve dhe forcimin e sistemit imunitar.

Studime të institucioneve prestigjioze në Azi, Europë dhe Amerikën e veriut, të përmbledhura në raportin e Organizatës Botërore e Shëndetësisë, “Ushqyesit në ujë të pijshëm” kanë marrë në shqyrtim mineralet që ndodhen në ujin e pijshëm, duke raportuar efektet që kanë ato në shëndetin e njerëzve. Bazuar në këto raporte ka rezultuar se “ekziston një marrëdhënie domethënëse negative midis ujit të pijshëm të rëndë dhe vdekshmërisë nga kanceri i zorrës së trashë, në raportin e mundësive 1.22 dhe 1.46, përkatësisht për ujin e butë krahasuar me ujin e rëndë”.

Kërkimet e mëparshme, nga i njëjti grup studiuesish treguan gjithashtu marrëdhënien negative midis ujit të pijshëm të rëndë dhe vdekshmërisë nga kanceri në stomak. E thënë më thjeshtë konsumimi i ujit të rëndë, ose të fortë siç njihet ndryshe, krijon kushte më të mira për parandalimin e këtyre sëmundjeve të rënda siç janë kanceri i stomakut dhe ai i zorrës së trashë. E gjitha kjo falë kripërave minerale që gjenden në këtë ujë, ose siç njihen në gjuhën shkencore “mbetjes së thatë”.

Çfarë është “mbetja e thatë’

Në gjuhën e përditshme, ashtu sikurse togfjalëshi “ujë i rëndë’, edhe togfjalëshi tjetër “mbetje e thatë’, krijon nje ndjesi negative, më së shumti për shkak të fjalëve “i rëndë” dhe “mbetje”.

Por në fakt janë pikërisht këto dy element që e bëjnë ujin të ketë vlera të veçanta për shëndetin e njeriut.“Mbetja e thatë” e ujit, është sasia e mineraleve të tretura në ujë dhe që përbëjnë vlerën më të rëndësishme të këtij lloj uji. Këto elemente minerale mund të dallohen pasi kemi zier 1 litër ujë në 180°. Me avullimin e ujit do të vijën re mineralet që ndodhen në ujë dhe që përbëjnë atë që quhet “mbetja e thatë”.Bazuar në udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetit (World Health Organisation), vlerat optimale të “mbetjes së thatë” në ujin e pijshëm janë 150 – 300 mg/l.

Eksperimente dhe studime të shumta kanë treguar se konsumi për një kohë të gjatë i një uji me bazë minerale të ulët ka pasoja mbi shëndetin tonë, pasi krijon defiçenca të mineraleve kryesore si dhe të elektroliteve, një pjesë e të cilave dalin përsëri nga trupi ynë me ujin. Sa më i varfër në minerale dhe elektrolite të jetë uji që ne konsumojmë, aq më shumë minerale apo elektrolite do të nxjerrë jashtë nga trupi ynë. Largimi i këtyre elektroliteve nga trupi ynë rrezikon funksionimin e organeve vitale të trupit. Simptomat e para janë lodhje, shterim energjish, dhimbje koke dhe më pas vijnë dhimbje muskulore dhe dobësim i rrahjeve të zemrës.

Studimet në Europë

Roli i ujit të rëndë, përkundrejt sëmundjeve kardiovaskulare është studiuar dhe vlerësuar gjerësisht, sidomos duke marrë për bazë ndryshimet rajonale në Europë. Uji i rëndë, me përbërje magneziumi, kalciumi etj., rezultoi të ishte shumë efikas kundër shqetësimeve kardiovaskulare, në një studim të bërë në 600 zona në Republikën Federale të Gjermanisë. “Studime gjermane mbi efektet shëndetësore të ujit të pijshëm inorganic”, titullohej punimi i studiuesve Sonneborn M. dhe Mandelkoë J. Studime që kanë vërtetuar këtë lidhje janë kryer edhe në Finlandë, Angli dhe Francë. Ndërkohë që studiuesit italianë, Leoni V, Fabiani L, Ticchiarelli L. në studimin e tyre “Uji i fortë dhe shkalla e vdekshmërisë kardiovaskulare në Abruzzo, Itali”, kanë shqyrtuar modelin e vdekshmërise që vjen nga sëmundjet ishemike të zemrës dhe sëmundjet cerebrovaskulare në rajonin e Abruzzon-s në Itali, që ka një popullsi prej rreth 595 mijë banorësh.Në këtë zonë, e cila konsumon ujë të rëndë, me përmbajtje mineralesh niveli i përhapjes së sëmundjeve kardiovaskulare, veçanërisht në individët e moshës 45 – 64 vjeç ka qenë më i ulët krahasuar më zona të tjera, në të cilat konsumohet ujë i lehtë. Niveli i vdekjeve të papritura si pasojë e arrestit kardiak në mesin e popullsisë ka qenë po ashtu shumë më i mirë krahasuar me mesataren europiane, në zonën e Media Valle del Serchio në Itali, e cila përbëhej nga 35 000 banorë. Edhe në këtë rast studiuesit dolën në konkluzionin se konsumimi i ujit të fortë kishte ndikuar dukshëm në këtë rezultat.

SHKARKO APP