Umberto Eco, një roman për gazetarinë e ‘numrit zero’

 

Bisedë midis shkrimtarit Umberto Eco dhe historianit Paolo Mieli, president i RCS Libri, historian dhe gazetar, me rastin e botimit të Numrit Zero, romanit të ri të autorit të “Emri i trëndafilit”.

Numri zero është romani i shtatë dhe libri i 43-të për Umberto Eco-n, semiologu më i madh italian që ka pasur sukses të madh edhe si shkrimtar: prova e tij e debutimit Emri i trëndafilit (1980) i përkthyer në 47 vende, ka shitur rreth 30 milionë kopje në botë.

Befasia e veprës së re të Eco-s është që i kushtohet botës së informacionit: nga një specialist i masmedias, do të pritej ndonjë studim, por jo një roman. Një roman thriller që rimerr disa nga temat që autori i ka rrahur edhe në vepra të tjera, nga problemi i së vërtetës deri në teoritë e komplotit, këto të fundit të zhvilluara sidomos në dy romanet e tij, Lavjerrësi i Fukoit dhe Varreza e Pragës.

Numri zero zhvillohet në vitin 1992, në tre muajt që shkojnë nga arrestimi i Mario Chiesa-s që shënjoi fillimin e Tanxhentopolit deri në qershor të po atij viti. Protagonistët e librit janë redaktorë që janë marrë në punë nga një kryeredaktor cinik, Simei, për të përgatitur numrat zero të një gazete të titulluar “Nesër”, që nuk do të dalë kurrë në treg, e konceptuar nga një botues ambicioz Vimerkati, si mjet shantazhi për të hyrë në të ashtuquajturin sallon të lartë të pushtetit ekonomik. Rrëfyesi është “doktor” Kolona, që në të vërtetë nuk është diplomuar kurrë, por që është marrë në punë si Ghost Writer i Simeit, për të mbajtur një ditar të “përvojës” së gazetës, për një libër që do të titullohet “Nesër: dje”, i paracaktuar si bestseller.

Më poshtë, biseda për këtë libër me autorin dhe me Paolo Mielin, president i RCS Libri, historian dhe gazetar.

Përse është zgjedhur viti 1992 si viti i ngjarjeve të romanit?

Eco: Zgjodha vitin 1992, sepse e konsideroj atë vit si një çast vendimtar në historinë e shoqërisë italiane. Për më tepër, meqë do të rrëfeja për gazetarët, të detyruar që të bënin parashikime për të ardhmen, m’u duk e dobishme ajo datë, sepse e dimë se ç’ndodhi më tej. Ai është momenti i duhur për të hyrë në lojë një personazh iri, jo një politikan por një botues i vogël, Vimerkati, që i financon gazetat me numër zero, me qëllime të hapura shantazhi dhe përfitimi. Ai i çon në shtyp që dikush t’i thotë mjaft më dhe t’i ofrojë për këtë, diçka si shpërblim.

Drejtori i gazetës, Simei, duke u shpjeguar redaktorëve filozofinë e gazetës së re, pohon që “tashmë fati i një gazete ditore është që t’i ngjasojë një të përjavshmeje”. Kur filloi ky shndërrim?

Mieli: Në zgjedhjen e Ecos për të ambientuar romanin e tij të ri në vitin 1992 ka dhe diçka më shumë: ajo datë shënjon fillimin e një degjenerimi që nuk lidhet vetëm me gazetat e vogla të lindura nganjëherë vetëm me qëllimin e shantazhit, por përfshin të gjithë gazetarinë. Po, është e vërtetë që Numri zero është një libër argëtues, por do të shpërthejë si një bombë nëpër redaksi,sepse rrëfen një të vërtetë të vështirë për t’u kapërdirë. Gazetaria sharlatane ka ekzistuar gjithmonë, por më parë ka pasur një barrierë që e dallonte gazetarinë serioze, e cila duke huajtur teknikat e gazetës së përjavshme është thyer, kurse më 1992 është shkatërruar përfundimisht. Pas 1992, është bërë gjithmonë e më e vështirë të dallosh midis serive A dhe gazetarisë më të ulët. Në atë periudhë unë kisha pozicione përgjegjësie në gazeta dhe për këtë arsye e shoh veten midis “të akuzuarve” të librit të Ecos.

Një tjetër nga hipotezat e drejtorit Simei është që “gazetat mashtrojnë, shkencamashtron, historia mashtron”. Pra, e vërteta, si qëllim i paarritshëm nga gazetaria.

Eco: Jam marrë shpeshherë me temën e së vërtetës, por ajo që dëshiron të thotë Simei është që gazeta, në të vërtetë, është një makinë që hedh baltë, një mjet i përhapjes së lajmeve rreth jetës private, në mënyrë që të nxjerrësh jashtë loje kundërshtarin.

Në ShBA, kur ende jetonte Xhon Ficxherald Kenedi, nuk u shkrua kurrë që ai kishte një lidhje me Merilin Monronë, Riçard Niksoni u akuzua mbi baza politike jo për ngjarje të jetës private. Ndryshimi fillon me Bill Klintonin, kur presidenti u akuzua për sjellje private që kishin ndodhur brenda studios së tij në Shtëpinë e Bardhë.

Për sa i përket Italisë, në Numrin zero jam frymëzuar nga rasti i një gjykatësi, Rajmondo Mesiane, që më 2009 u bë tema e akuzave nga të gjitha anët, vetëm sepse pinte dhe mbante çorape të kaltra. Është shembulli klasik i makinës që hedh baltë: të flasësh  për një hollësi që nuk ka asnjë lloj rëndësie, vetëm për ta bërë të pabesueshëm kundërshtarin.

Kur ka ndodhur që gazetaria, ose të paktën një pjesë e saj, ka marrë këtë kthesë negative dhe ka degjeneruar deri në këtë pikë?

Mieli: Sipas meje, revolucioni i gjyqësorit, i 1992 ishte një nga etapat e rëndësishme të pasluftës së dytë botërore që meriton një opinion pozitiv, por pikërisht nga ai vit fillon të theksohet dhe degjenerimi i informacionit. Më parë gazetarët kishin një vizion deontologjik të ndryshëm: ata bënin hetime autonome, që shkonin pothuajse paralel me ato të gjykatësve. Nganjëherë madje i frymëzonin. Ishte paksa si modeli i Uotergejtit, i ndjekur së fundmi, gjithmonë nga gazeta “Washington Post”, me zbulimet e torturave që kanë ndodhur në Bagram dhe Guantanamo. Gazetaria italiane, pjesërisht, ishte frymëzuar nga ai model, gazetarë që hera-herës bëheshin edhe nxitësit e veprimit të gjykatësve. Por, po në ato vite, kronistët më pak të talentuar, gjetën rehat, pas një faze fillimi konfliktuale, të mbështeteshin krejtësisht në përfundimet e proceseve gjyqësore. Ky model u bë ligj universal më 1992 dhe deri më sot, 23 vjet gjithsej, ka provokuar shumë të këqija. Punët nga kronistë të tipit të Gian Antonio Stellae Sergio Rizzo, të Milena Gabanella dhe pak të tjerëve, janë një përjashtim  në panoramën e përgjithshme.

Në një mbledhje të redaksisë së Numrit zero diskutohet për objektivitetin e lajmeve dhe të ngjarjeve, të ndara nga opinionet. Një përrallë, sipas njërit prej protagonistëve.

Eco: Ekziston një polemikë e vjetër që kam pasur në vitet ’60 me “anglosaksonin” Piero Ottone, i cili ngulte këmbë që ishte e mundur dhe e detyrueshme të ndaje faktet nga opinionet. Siç tregoj edhe unë në libër, mjafton të vësh bashkë në një faqe katër ngjarje në dukje të lidhura, që fjala vjen lidhen në përgjithësi me të rinjtë, për të ndërtuar një lajm të pestë: një alarm për pedofilinë ose për dhunën…

Një tjetër teknikë e objektivitetit të rremë është ai i futjes në thonjëza të opinioneve të ndryshme, duke i lënë lexuesit lirinë e zgjedhjes. Sigurisht që preferenca do të bjerë mbi opinionin më të pritshëm, pra edhe opinionet e ndryshme mund të menaxhohen. Ky është mekanizmi së bashku me hile të tjera për të mashtruar lexuesin, siç e shpjegon bukur dhe qartë kryeredaktori Simei. Kam krijuar një doktor Xhekëll të gazetarisë, por është e qartë që ashtu si jo të gjithë shkencëtarët janë Xhekëll, as të gjithë drejtorët nuk i ngjajnë Simeit.

Ka faqe në Numrin zero shumë ironike, për shembull kur një gazetar flet për telefonat celularë si për një modë kalimtare, dhe kam lexuar aty ushtrime stilistike, për të mos u humbur.

Mieli: Jam i një mendjeje me ju. Gjithashtu si botues i Ecos do të doja të kërkoja t’i bashkëngjisnim këtij romani një antologji të gafave të ne, gazetarëve, sepse askush nuk mund të dalë i larë duke thënë “unë nuk isha”.Numri zero nuk më përket mua, nuk lidhet me mua. Por ajo që ju quani pjesë ironike na fut një temë shumë të rëndësishme: atë të përgënjeshtrimit. Më thuaj si e bën përgënjeshtrimin dhe do të them çfarë gazete je duke bërë. Në një nga faqet më të forta, Eco-ja na propozon letrën e një lexuesi me një emër të sajuar, Saktësor Përgënjeshtronjësi, i akuzuar se kishte festuar në mes të majit dhe në njëfarë mënyre ishte përfshirë në vrasjen e Jul Cezarit. Në të vërtetë, zoti Saktësor Përgënjeshtronjësi ka  vetëm një faj: që ka është që ka lindur në15 mars 1944 dhe për këtë arsye feston normalisht ditëlindjen e vet…Eco-ja e përshkruan mrekullisht teknikën e gjenerimit të një kaosi mendor nëpërmjet përgjigjes së redaktorit ndaj përgënjeshtrimit të fatkeqit. Së fundi, kushdo që ka shkruar një budallallëk, nuk do të ndëshkohet nga askush.

Përkrah diskutimeve në redaksi, në romanin e Ecos flitet për një plan paralel: një nga gazetarët, Bragadoço, na fut në temën e komplotit, një tjetër temë e nxehtë e gazetarisë italiane.

Eco: Bragadaço që në anglisht do të thotë edhe mburravec, është i bindur se Musolini nuk ka qenë pushkatuar në Xhulino të Mexegrës më 28 prill 1945, por ka shpëtuar duke ia mbathur në Argjentinë dhe aty qëndron në pritje të momentit të duhur për t’u kthyer në Itali. Dhe kjo hamendje lidh të gjitha tragjeditë italiane të pasluftës së dytë botërore, nga bomba në sheshin Fontana në kasaphanën e Breshas, nga atentati i Peteanos në Italikus, në një zinxhir ngjarjesh që nuk përjashton vdekjen e papritur të Papës Luçiani.

Nuk do të kishim pritur kurrë nga Umberto Eco një rindërtim kaq të saktë të orëve të fundit të jetës së Musolinit.

Eco: Në njëfarë mënyre ishte e paracaktuar, sepse kam qenë shok i komandantit “Pedro” emër i luftës i partizanit Pier Luixhi Belini, i cili arrestoi Musolinin në Dongo. Kurse Valter Audizio, “koloneli Valerio”, që pushkatoi Duçen dhe Klareta Petaçin ishte nga Alesandria dhe banonte pranë shtëpisë sime.

Mieli: Pasi lexova Varrezën e Pragës që flet për protokollet e rrema të pleqve të Sionit, në të vërtetë prisja nga Eco një libër rreth degjenerimit të temës së komplotizmit, që në variantin italian është mbajtur gjallë nga ide të pazakonta dhe shprehje të parafabrikuara.

Eco: Teoritë e Bragadaços janë të sajuara, por faktet e përshkruara janë të vërteta. Vendi ynë ka parë të ndodhin nga të gjitha, pas luftës, gjithmonë pa iu kushtuar ndonjë rëndësi të veçantë. Diku tjetër mund të kishte shpërthyer revolucioni.

Mieli: Mendoni për Amerikën e viteve ’60 ku ndodhi vrasja e presidentit Xhon Kenedit, e vëllait të tij Bobit, e Martin Luter Kingut, e Malkolm X….

Eco: Po, por andej këto ndodhi e kanë tundur e shkundur vendin, duke shkaktuar reagime të forta.

Mieli: Në Itali, mungesa e identifikimit të fajtorëve dhe kërkimi gjithmonë në një nivel më të lartë i përgjegjësisë, ka ushqyer teoritë e komplotit. Është koha të kthehemi tek faktet, të tregojmë emra dhe mbiemra të përgjegjësve dhe t’i lëmë mënjanë teoritë që nuk janë verifikuar. Si është e mundur që midis të gjitha vendeve perëndimore, ku ka pasur një organizim të NATO-s “stay-behind”, vetëm në Itali kjo gjë ka ushqyer fantazitë e të fiksuarve pas komploteve.

Eco: Bragadoço është një mitoman. Një komplotist që i bën të duken të gjitha gjërat që kanë ndodhur në Itali që nga 1945 deri në vitet 90, si të ishin efekti i një komploti të vetëm. Por nëse Bragadoço do të fliste përçart, atëherë është shumë mëkeq, do të thotë që shoqëria, pa një plan të bashkërenduar, në mënyrë spontane, ka prodhuar mashtrues dhe sharlatanë të cilët më pas nuk ka qenë në gjendje t’i kontrollojë. Tragjedia e vërtetë është që nuk ka pasur një plan në të cilin çdo detaj do të ishte i parashikuar, por ekziston vetëm një shoqërie sëmurë.

Mieli: Jam i bindur që duhet të kthehemi te faktet dhe të jetojmë kohën në të cilën të pastrohemi nga fantazitë. Kurrë në histori nuk është verifikuar si e vërtetë një ide komplotiste.

*Marrë nga Corriere della Sera, 12.01.2015. Përgatiti Dino Messina

 

 

Panorama e një redaksie që fabrikon dosje dhe shantazhe

Nga Petrit Ymeri

Umberto Eco, autor shumë i njohur edhe në Shqipëri me veprat e tij të shumta, vjen në shqip nga Shtëpia Botuese DITURIA, me një roman tjetër, "Numri zero". Por ky nuk është një roman historik në stilin e "Emri i trëndafilit", dhe as si "Varreza e Pragës". Megjithatë është i njëjti kujdes për detajet, përsëri e njëjta dashuri për historinë, por asaj të afërme. Gati-gati të ditëve tona. Është një pantomimë e gjatë: si funksionon një gazetë dhe si arsyetojnë (disa) gazetarë. Një roman  thellësisht aktual, jo vetëm nga ngjarjet që përshkruan e vendos në qendër të rrëfimit të tij shumë interesant, por në radhë të parë e kryesisht nga tema që trajton: roli dhe qëndrimi i medias për të ndikuar nëpërmjet shantazhit dhe shpifjes mbi opinionet dhe mbi ngjarjet. I vendosur në Milanon e vitit 1992, viti i procesit të njohur të Duarve të Pastra, "Numri Zero" përshkruan tërë dramat e shoqërisë italiane: masakrat, Gladio, P2, atentatet e Mafias, roli i CIA-s në politikën italiane etj.

Ngjarjet në romanin e Eco-s nisin një mëngjes qershori të vitit 1992; zëri i rrëfimtarit i takon një intelektuali të dështuar, përkthyesi e shkrimtari fantazmë, i cili përfshihet në krijimin e një gazete të re. Janë muajt e Tangentopolit, arrestimi i “hajnit” Mario Chiesa i ka hapur rrugë stinës së Antonio di Pietros e grupit të Duarve të Pastra, dhe gjykatësi Falkone sapo është vrarë në masakrën e Kapaçit (Palermo). Republika e parë është duke dalë palavdishëm nga skena dhe po përgatitet më e keqja nga të gjitha. Gazeta do të quhet Nesër, do të bjerë në sy me anë të dosjeve, hamendësimeve dhe, nëse është e nevojshme, shantazhit. Ndërkohë përgatitet numri zero, numrat zero më saktë, për t’i shpërndarë mes parisë. Ndoshta vetëm për t’i frikësuar? Sepse, dalja e së njëjtës gazetë mund të jetë një gënjeshtër? Një mashtrim i ndërtuar për të treguar gënjeshtra. Eco-ja e ndërton Numrin zero si një roman vorbull që ka ngërthyer një mashtrim: nëse është gjithmonë, siç thotë një personazh, “pas shpinës sonë gjithnjë ndodhet dikush që na mashtron”, atëherë brenda çdo mashtrimi ka një tjetër mashtrim, e kështu deri në pafundësi. “Gazetat të gënjejnë, historianët gënjejnë, televizioni sot gënjen.”- shkruan Umberto Eco në romanin e ri. A mbetet dikush a diçka tek e cila mund të kesh besim?!

SHKARKO APP